Gjermania është shteti europian model në luftën kundër Covid-19, përballimin e pasojave, menaxhimit të rasteve, masave të marra dhe planit të hapjes e rimëkëmbjes së ekonomisë. Ilir Arifi, Doktor i Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv që punon pranë ´´Regiomed Klinikum- Hildburghausen´´, Gjermani ka deklaruar për “Dielli”-n se situata në Gjermani po shkon drejtë normalizimit dhe fatmirësisht numri i shqiptarëve të prekur nga pandemia botërore ka qenë modest.
SITUATA NË GJERMANI
Doktor Ilir Arifi na shpjegon se duke parë trendin pozitiv të rënies së intensitetit të virusit dhe menaxhimit me sukses të situatës, Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn deklaroi se përhapja e virusit në Gjermani është bërë tashmë e menaxhueshme, si rrjedhojë qeveria gjermane ka vendosur t’i zbusë në mënyrë të kujdesshme masat kufizuese të jetës publike, edhe pse masat e vendosura nuk ishin ekstreme si në vendet e tjera të prekura me COVID 19. Aktualisht sipas doktor Ilir Arifit Gjermania është në një situatë shumë më të relaksuar se sa para 2-3 javesh, pasi është arritur qellimi kryesor i qeverisë në zbritjen e shkallës së riprodhimit të virusit, pra një person me COVID 19 infekton më pak se 1 person (0,7). Kjo përhapje mundëson imunizimin e kontrolluar të popullates pa e ngarkuar sistemin shëndetësor.
E ARDHMJA
Momentalisht në Gjermai sipas dokor Ilir Arifit numri i të sheruarve me COVID 19 (11000) është dyfish më i lartë sesa i të prekurve (45000), dhe vdekshmëria (5800) mbetet ende në shkallë të ulët në raport me të prekurit. Shkaqet e vdekjes janë kryesishtë pasojat që shkakton virusi në rrugët respiratore, por zakonisht virusi është me rrezikshmëri të ulët te pacinentët pa sëmundje shoqëruese. Personat e rrezikuar janë ata me sëmundje respiratore, duhanpirësit, sëmundje të zemrës, diabet dhe semundje që dobësojnë imunitetin.
PLANI I RIMËKËMBJES
Tashmë në Gjermani, na raporton doktor Arifi, ka filluar hapja e bizneseve të vogla, dalja në natyrë dhe për blerje ka qenë vazhdimisht e lejuar me kusht që të respektohet distanca 1.5 m dhe të mos levizin më shumë se 2 persona së bashku, me përjashtim të familjarëve. Nga 4 Maji sipas doktor Ilir Arifit, është planifikuar hapja graduale e çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme, me kushte të rrepta të mbajtjes së distancës dhe higjienës dhe poshtu është bërë obligative vendosja e maskave në hapsirat e mbylluara. Gjatë periudhes së pandemisë, në Gjermani vendoset çdo dy javë për masat e mëtutjeshme.
Në betejën e fituar nga shteti gjerman ndaj Covid-19 doktor Ilir Arifi rendit disa arsye: marrja me kohë e masave adekuate, sistemi shumë i avansuar shëndetësorë, në veçanti mjekimi intenziv modern, shtimi i mbi 10 mijë shtretëve të kujdesit intenziv, krahas 30 mijë ekzistues, numri i madh i testimeve, po ashtu zbulimi dhe menaxhimi i shpejtë i vatrave të infeksionit. Mbi të gjitha këtë sukses e ka mundësuar kultura e lartë e popullit gjerman në respektimin e masave të vendosura dhe ndërprerja e herëshme e kontakteve te të moshuarve me gjeneratat e reja, sidomos të gjysheve/gjyshërve me nipat dhe mbesat.
PARASHIKIMI
Sipas parashikimeve të Institutit Robert Koch vala e dytë e infektimeve me COVID 19 parashikohet në vjeshtë të këtij viti, e treta në pranverë të vitit të ardhshëm dhe e katërta në vjeshten e 2021. Vetëm atëherë do të arrihet infektimi i 60-70 % i popullatës, si rrjedhojë edhe imunuizimi. Ky imunizim sipas doktor Arifit do të realizohej më shpejt me zbulimin e Ilaçit apo vaksinës, e cila këtë javë ka filluar të testohet nga një Institut në Gjermani. SHQIPTARËT NË GJERMANI Në bazë të dhënave ka një numer modest të Shqipëtarve të prekur me COVID 19 dhe poashtu për secilin Land të Gjermanisë janë vënë në dispozicion numrat e telefonit dhe E-mailet e Mjekve Shqipëtarë që punojnë në Gjermani për këshilla dhe ndihmë të bashkatdhetarëve.
MESAZH PËR LEXUESIT E DIELLIT
Bashkëatdhetar të dashur në USA, si mjek i cili po përballet çdo ditë me pacientët me COVID 19, ju lutem mos e nënvlersoni këtë situate shumë serioze, respektoni rregullat e distancimit dhe higjienes, bëni durim edhe një kohë, qëndroni në shtëpi! Bëjeni këtë për veten tuaj, për familjarët tuaj më të moshuar, apo edhe të rinjë me sëmundje shoqëruese. Moskujdesi juaj mund të jetë fundi i më të dashurve tuaj, u shpreh për gazetën Dielli, Ilir Arifi, Doktor i Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv që punon pranë “Regiomed Klinikum- Hildburghausen” Gjermani.