Merkel, sfida për formimin e qeverisë së re

19

F7E88FDC-F00F-4CDE-94FA-5D6368B96FF3_w640_r1_sVOA

Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua sot me zyrtarë të lartë të partisë në Berlin për të biseduar mbi formimin e qeverisë së re.

Në zgjedhjet e djeshme parlamentare, blloku i Bashkimit Kristian Demokrat i zonjës Merkel shënoi rezultatin më të mirë në 23 vitet e fundit, duke i siguruar asaj një mandat të tretë si kancelare e Gjermanisë. “Ky është një super-rezultat,” tha zonja Merkel para përkrahësve që brohorisnin.

Bashkimi Kristian Demokrat i fitoi zgjedhjet me 41.5 përqind të votave duke mos e arritur shumicën absolute në Dhomën e Ulët për vetëm pesë vende.

Zonja Merkel përballet tani me punën delikate të formimit të një koalicioni të ri, sepse partnerët e saj të mëparshëm, Demokratët e Lirë nuk mundën të hyjnë në Parlament. Për të formuar qeverinë e re, ajo do të ketë nevojë për ndihmën e rivalëve të qendrës së majtë.

Zonja Merkel ka tani dy mundësi: ajo mund të formojë një koalicion të madh me Social Demokratët e qendrës së majtë të rivalit Peer Steinbrueck që humbi në zgjedhje, duke rigjallëruar kështu aleancën që drejtoi Gjermaninë në mandatin e saj të parë. Mundësia e dytë është një koalicion me partinë e Gjelbër, por kjo ka më pak të ngjarë të ndodhë.

Zonja Merkel tha sot se ka kontaktuar kreun e Partisë Social Demokratike, mbiformimin e një qeverie të koalicionit të gjerë.

Konservatorët e zonjës Merkel morën shumë më tepër vota se sa Social Demokratët e zotit Steinbrueck, i cili fitoi 25.7 përqind – një rezultat jo shumë më i mirë se sa 23 përqindshi që kjo parti mori katër vjet më parë, kur arriti pikën më të ulët të periudhës së pasluftës.

Duke folur në një konferencë shtypi sot në mëngjes, zoti Steinbrueck tha se partia e tij do të “vazhdojë në rrugën e saj”.

Partnerët e koalicionit të zonjës Merkel në qeverinë e mëparshme, Demokratët e Lirë morën vetëm 4.8 për qind të votave. Për herë të parë në historinë gjermane të pasluftës ata nuk arritën të kalojnë pragun prej 5 përqind, të nevojshëm për të hyrë në parlament, duke paguar çmimin për grindjet e shpeshta në qeveri dhe për dështimin e përpjekjeve për të siguruar uljen e taksave.

Përsa u përket tre partive të majta të Gjemanisë, edhe pse ato së bashku formojnë një shumicë të dobët në parlament, nuk ka pothuajse asnjë shans që ato të mund të qeverisin bashkë.