Qeveria Berisha u mblodh sot per te miratuar mbi 70 vendime, që nga zyrtarizimi i dorëheqjeve të zv/ministrave deri tek vendime të tjera të rëndësishme të karakterit ekonomik.
Që në nisje, Berisha falenderoi qytetarët shqiptarë për besimin 8-vjecar që i dhanë. “Kjo është mbledhja e fundit pas 2 mazhorancash, kjo është mbledhja e 425 në 8 vite, në të cilat janë miratuar mbi 7255 mijë vendime e ligje”, tha ai.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Berisha tha se dy ishin qëllimet e tij si kryeministër në 8 vite, integrimi euroatlantik dhe Shqipëria vend i zhvilluar. Para 8 vitesh sipas tij, integrimi ishte një çështje e ngrirë për Shqipërinë. Ai akuzoi qeverisjen e para tetë viteve se vendosnin interesat personale para atye kombëtare, se ushqenin konsolidimin e sistemit të korrupsionit dhe se nuk luftonin krimin e organizuar.
“Të dashur qytetarë shpreh mirënjohje për besimin që na dhatë në 8 vite. Që ditën e parë dhe deri më sot dy kanë qenë objektivat, qëllimet e të gjitha qëllimeve. Me bindjen më të thellë se ato ishin interesat më jetike të cdo fëmije, burri, gruaje apo të moshuari. Ato ishin dhe mbeten, integrimi euroatlantik dhe Shqipëria vend i zhvilluar. 8 vite më parë procesi i integrimit ishte i ngrirë, jo për shkak të partnerëve ndërkombëtarë por për shkak të papërgjegjësisë të atyre që qeverisnin, të cilët vendosnin interesat meskine të pushtetit të tyre mbi interesat jetike të qytetarëve dhe kombit shqiptar. Shqipëria kishte hapur negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asocimit, po firmosja e kësaj marrëveshje largohej se Shqipëria bënte zgjedhje të dhunuara, konsolidonte sistemin e korrupsionit nuk luftonte krimin e organizuar, pushteti bashkëjetonte me bandat më të rrezikshme të Europës. Këto ishin faktorët dhe rrethanat që kishin ngrirë procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik”, tha Berisha.