21 policët e burgut të Drenovës u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme një ditë pas arratisjes së 7 të dënuarve me burgim të përjetshëm nga ky burg. Gardianët akuzohen për shpërdorim detyre pasi nuk kanë penguar 7 të dënuarit të arratisen.
Gjykata vendosi “arrest me burg” për Shpëtim Peronkën. Ai ishte roje te dera e jashtme e burgut të Drenovës. I pranishëm në seancë Pernoka ka dëshmuar se nuk i ka parë të arratisurit kur kanë dalë nga burgu.
“Nuk i kam parë kur dolën nga burgu. Kisha për qëllim të shikoja rrugën ndërsa të arratisurit dolën nga telat”- ka dëshmuar ai.
Po “arrest me burg” është masa që është dhënë edhe për Margel Rushanin. Mbrëmjen e arratisjes Rushani ishte pjesë e grupit të gatshëm. Ai ka dëshmuar në gjykatë se nuk është njoftuar për ndërhyrje. “Sapo kishim marrë turnin,nuk u njoftuam për të ndërhyrë. Ne dolëm vetë kur dëgjuam krismat. Kur ne dolëm jashtë, ata ishin arratisur”- ka deklaruar Rushani.
Ndërkohë ditën e djeshme Gjykata e Korçës dha masat për katër nga të dënuarit që u arrestuan pas arratisjes, Admir Tafilin, Gëzim Gurin, Artur Gorës dhe Fran Marashinsi dhe disa nga bashkëpunëtorët e tyre që akuzohen se i kanë ndihmuar në organizimin e planit për tu arratisur.