Shërbimi Frëngjisht për Afrikën e Zërit të Amerikës njofton se luftimet ishin të përqëndruara në Banguin verior dhe gjëmimet e të shtënave mund të dëgjoheshin në disa lagje.
Zyrtarët e misionit paqeruajtës në Republikën Qendrore Afrikane thanë për Zërin e Amerikës se pesë trupa të tyre ishin vrarë në Bangui në përleshje me grupet kryengritëse kryesisht të krishtera anti-qeveritare.
Po ashtu, persona të armatosur vranë katër vetë pas një ceremonie fetare. Në një intervistë për Shërbimin Frëngjisht për Afrikën, një prift lokal tha se mendohet që autorët e sulmit kanë lidhje me kryengritësit Seleka, të përbërë kryesisht nga myslimanë.
Ai tha se kisha që u sulmua ka shërbyer si strehë për mijëra civilë të shpërngulur nga konflikti.
Forcat franceze dhe afrikane janë përpjekur të çarmatosin grupet kryengritëse dhe të ndalin konfliktin në këtë vend./VOA