Letra e Gjunkshit: “SHQUP”, jo seli e PD

56

gjunkshiShefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Xhemal Gjunkshi është pozicionuar hapur kundër ndryshimit të destinacionit të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, që me vendim të Këshillit të Ministrave është vendosur të përdoret si seli e Partisë Demokratike.

Me anë të një letre zyrtare drejtuar në datën 14 gusht 2013, Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, ai shprehet se “vlerësimi ynë është që për vetë pozicionin dhe infrastrukturën kjo qendër ka shërbyer dhe gjykojmë se duhet të vazhdojë të shërbejë dhe në të ardhmen si institucion prestigjoz për aktivitetet/ceremonitë protokollare jo vetëm të Forcave të Armatosura por edhe shtetit shqiptarë. Në përmbledhje të vlerësimeve të bëra për këtë pronë prononcohemi se nuk jemi dakord për tjetërsimin e saj dhe nxjerrjen nga lista e Planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, – shprehet Gjunkshi, duke listuar në 6 paragrafë edhe argumenta të tjerë në mbështetje të qëndrimit të tij.

Në fakt shkresa e Shefit të Shtabit ka qenë përgjigje për letrën e marrë në datën 13 gusht 2013, nga Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, i cili kërkon prononcimin e Gjeneral Gjunkshit lidhur me statusin e pronës së SHQUP-it. E kjo për shkak se nxjerrja e kësaj prone nga plani i përhapjes dhe vendosjes së Forcave të Armatosura nuk mund të bëhet pa miratimin e Shefit të Shtabit. Mes të tjerash, Kulluri shprehet se “me anë të shkresës së protokolluar me Nr.7374 datë 13.08.2013 në Ministrinë e Mbrojtjes kërkohet kalimi në përgjegjegjësi administrimi tek Ministria e Brendshme i pronës Nr.32 me emërtim ‘Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë’ me vendndodhje Bulevardi ‘Zhan Dark’ Tiranë. Ministria e Mbrojtjes i është drejtuar për prononcim për statusin aktual dhe perspektiv të përdorimit të pronës, institucioneve të vendosura në këtë godinë, konkretisht SHQU-së dhe QKMBM-së.
Kjo godinë është ndërtuar me qëllim plotësimin e misionit të QKMBM, me të gjitha kriteret dhe standardet teknike, çka nuk i ofron godina ku zhvillojnë aktivitetin aktualisht. SHQU shprehet se me planin e ri organizativ është parashikuar që aktiviteti i saj, për shkak të bilancit negativ financiar dhe reduktimit të aktivitetit, të zhvendosë aktivitetin pranë Hotelit të Ushtarakëve. Sa më sipër, kjo pronë dhe objektet ndërtimore të saj mbetet pa funksion në shërbim të SHQU-së dhe QKMBM-së. Në këto kushte kërkojmë prononcimin tuaj për nxjerrjen e kësaj prone nga Plani i Përhapjes dhe Vendosjes së FA dhe vijimin e procedurës ligjore për këtë qëllim”, – shprehet Kulluri në letrën drejtuar Gjunkshit. Ndërkohë burime nga Ministria e Mbrojtjes pohuan dje për TCH se “Presidenti Republikës në kapacitetet edhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e ka firmosur dekretin për nxjerrjen jashtë inventarit të ushtrisë të godinës së SHQUP-it”.