Kryeministri turk Erdogan zhvillon nesër vizitë zyrtare në Shqipëri

58

Rama-erdoganKryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të mbërrijë nesër në Tiranë për një vizitë zyrtare së bashku me një delegacion mjaft të gjerë qeveritar, ku marrin pjesë shtatë ministra të rëndësishëm të kabinetit.

Siç bën të ditur për ATSH-në Ambasada e Turqisë në Shqipëri, Kryeministri turk Erdogan do të ketë një vizitë intensive ku pjesa më e rëndësishme e saj do të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë.

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit ku do t’i bëhet një pritje ceremoniale, do të marrë pjesë në inagurimin e restaurimit të xhamisë otomane të Kalasë së Prezës, i cili është kryer me mbështetjen e Agjencisë për Bashkëpunim dhe Koordinim të Turqisë(TIKA).

Më pas do të zhvillohet takimi me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, si dhe do të mbahet mbledhja e Këshillit të Nivelit të Lartë shqiptaro-turk. Pas takimit do të nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë.

Në selinë e Kryeministrisë, pas takimeve pritet të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në orët e pasdites, Kryeministri i Turqisë do të ketë një takim të veçantë me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe do të mbajë një fjalim të posaçëm në Parlamentin shqiptar.

Zoti Erdogan, do të pritet gjtihashtu në një audioncë të veçantë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Në fund të vizitës së tij në Tiranë, për nder të kreut të qeverisë turke do të shtrohet një darkë nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të përfundojë vizitën e tij në Shqipëri, në orët e vona të ditës së nesërme. Zoti Erdoğan vjen në Tiranë së bashku me Zv.kryeministrin dhe shtatë ministra të rëndësishëm, ku bien në sy Ministri i Jashtëm, Ministri i Brendshëm, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ministri i Arsimit si dhe një numër i konsiderueshëm deputetësh të Parlamentit të Turqisë.

Qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama, i ka konsideruar marrëdhëniet me Turqinë si strategjike dhe vizita e zotit Erdogan është një zhvillim i rëndësishëm në ecjen përpara të këtyre marrëdhënieve.