Ditën e sotme janë prishur 109 furra të gëlqeres në Krujë dhe aksioni është shoqëruar me kundërshtimin e pronarëve, dhe madje ka pasur edhe shoqërimin në polici të disa prej tyre.
Ndërhyrja dhe prishja e furrave të gëlqeres u krye në zbatim të urdhrit të ministrit të Mjedisit Lefter Koka, i cili kishte lënë afat për mbylljen e tyre më datën 31 tetor. Kjo masë e ministrisë së Mjedisit u mor pas shqetësimeve të shumta të banorëve por edhe konstatimeve të agjencisë rajonale të mjedisit në Durrës.
Pronarët kanë kundërshtuar këtë masë penalizmi, pasi sipas deklaratave të tyre kjo është e vetmja mundësi ku mund të nxjerrin të ardhura.
Inspektorati i mjedisit kishte lënë një muaj kohë pronarëve për mbylljen e furrave, por kjo nuk ndodhi, çka detyroi forcat e policisë që në mbështetje të inspektoratit mjedisor dhe INUK të ndërhynin forcërisht.