ILDKP bën të ditur se, ka vendosur fillimin e procedurave të kontrollit të plotë, rikontrollit të plotë dhe hetimit administrativ të të gjithë deklaratave të interesave private që nga viti 2003 për funksionarët e lartë, përfshirë presidentin, kryeministrin, kreun e Kuvendit, ministrat, anëtarët e gjykatave të Lartë dhe Kushtetuese, prokurorë dhe drejtues të pushtetit lokal.
Njoftimi
Nisur nga situata tepër e rëndë në të cilën u gjend zyra e administrimit të dosjeve të kontrollit të plotë të deklaratave të interesave private të zyrtarëve dhe dyshimeve për zhdukjen e dosjeve të kontrollit të plotë të zyrtarëve të ndryshëm; nisur nga fakti i konstatimit të zhdukjes së regjistrit disa vjeçar të denoncimit të rasteve të korrupsionit dhe interesave private të fshehura ose të padeklaruara të zyrtarëve, raste këto të denoncuara nga ana e qytetarëve, medias dhe shoqërisë civile; nisur nga fakti i bllokimit qëllimisht, për shumë vite të adresës elektronike [email protected] dhe numrit pa pagesë 08009999; nisur nga fakti që, prej vitit 2006 nuk është kontrolluar asnjë zyrtar i lartë nëse ka përfituar nga fondet publike apo jo, sipas ndalimeve të përcaktuara në nenin 21 të Ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar; nisur nga konstatimi se gjatë këtyre viteve është shkelur tepër rëndë detyrimi ligjor i nenit 25 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, për skemën e kontrollit, duke lënë jashtë skemës së kontrollit të plotë, qëllimisht, zyrtarë të niveleve të ndryshme; në referim të plotë të raporteve ndërkombëtare dhe të rekomandimeve të tyre lidhur me gjendjen e korrupsionit në vendin tonë, kulturën e pandëshkueshmerisë, prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Europian, si dhe bazuar në nenin 25/1, pika 4 të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI, mbi bazën edhe të burimeve të ligjshme ka vendosur fillimin e procedurave të kontrollit të plotë, rikontrollit të plotë dhe hetimit administrativ të të gjithë deklaratave të interesave private që nga viti 2003 për funksionet e mëposhtme:
– Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, Ministrat dhe zëvendësministrat;
– Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Anëtarët e Gjykatës së Lartë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, Kryetari dhe Anëtarët e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Zëvendëskryetari dhe Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
– Kryetarët e Bashkive, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Qëndrore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
– Gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve.
Fillimin e menjëhershëm të punës për hartimin e rregjistrit elektronik për konfliktin e interesave, rregjistër i cili duhej të ishte hartuar që në vitin 2006, me qëllim që për herë të parë të fillojë verifikimi nëse zyrtari, bashkëshortja, prindërit e zyrtarit, prindërit e bashkëshortes, fëmijët në moshë madhore, kanë lidhur apo jo kontrata me institucionet shtetërore dhe kanë përfituar nga fondet publike në kundërshtim me ndalimet e përcaktuara në nenin 21 të Ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Në kuadër të ndjekjes së një politike të hapur e transparente, me institucionet, publikun, median e shkruar dhe atë vizive, Inspektori i Përgjithshëm, garanton se ky proces, edhe pse i vështirë për shkak të numrit të madh të subjekteve që do ti nënshtrohen kontrollit, do të kryhet me profesionalizën të lartë e transparencë të plotë, në bashkëpunim të plotë dhe me institucionet e specializuara në luftën kundër korrupsionit në vendin tonë.
Rezultatet e kontrollit do të përfundojnë dhe do të bëhen publike rast pas rasti deri më datë 31.12.2014.