Krasniqi-Meta angazhohen për forcimin e bashkëpunimit

57

meta-krasniqi_14.2.14-1Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, shprehën sot angazhimin për harmonizimin e legjislacionit dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë takimit të zhvilluar sot në Kuvendin e Kosovës, në qendër të bisedës mes Krasniqit dhe Metës ishte thellimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë të veçantë harmonizimi i legjislacionit të dy kuvendeve.
Duke i uruar kreut të Kuvendit të Shqipërisë mirëseardhjen në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme ndërmjet dy vendeve, përkatësisht ndërmjet parlamenteve dhe avancimin e tyre gjatë viteve. Ai u shpreh se ” ka rrugë dhe mundësi të tjera, për ta rritur më tej këtë bashkëpunim. Si kuvende, do t’i mbështesim të gjitha angazhimet dhe aktivitetet e dy qeverive tona, që kanë për qëllim krijimin e një hapësire të përbashkët në të gjitha fushat”.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kuvendit të Kosovës, Krasniqi e njohu kryeparlamentarin Meta edhe me zhvillimet aktuale në Kosovë, me punën në procesin e liberalizimit të vizave, përpjekjet për njohje të reja dhe anëtarësim në një varg organizatash ndërkombëtare. Në këtë drejtim, kryetari Krasniqi i konsideroi shumë të rëndësishme sinjalet për njohje të Kosovës nga disa vende të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë bërë ketë hap.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë e konsideroi një mundësi për të kontribuar më shumë në forcimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve që tashmë të dy shtetet kultivojnë ndërmjet tyre.
“Jemi këtu për të shprehur vullnetin tonë të plotë, për të çuar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy kuvendeve, si një kontribut i domosdoshëm në rritjen e marrëdhënieve tejet të rëndësishme dhe strategjike, midis Shqipërisë dhe Kosovës, jo vetëm për të forcuar paqen dhe stabilitetin e tërë rajonit tonë, por njëkohësisht edhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë”, tha kryeparlamentari Meta.
Meta tha se Kosova dhe qytetarët e saj kanë një rëndësi tepër të veçantë për Shqipërinë, rëndësi kjo që, sipas tij, nuk ka të bëjë vetëm me domethënien historike dhe emocionale, por edhe me perspektivën evropiane të të dy vendeve tona.
Duke ofruar mbështetje për përparimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, Meta theksoi rëndësinë e shpërbërjes së shpejtë e të plotë të të gjitha strukturave ilegale që veprojnë në Kosovë dhe të integrimit të plotë të komunitetit serb në jetën institucionale të Kosovës. Pasi garantoi vazhdimin e mbështetjen e Tiranës zyrtare për Kuvendin e Kosovës dhe popullin e saj në rrugën e integrimit evropian, si dhe në afirmimin e shtetit të Kosovës, Meta shfaqi shpresën për liberalizim të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës.
Sa i përket çështjes së tribunalit, kryeparlamentari Krasniqi tha se “në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka një dokument zyrtar lidhur me këtë”. Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Meta, vlerësoi se populli i Kosovës nuk ka sulmuar askënd, por ka bërë luftë të drejtë, të imponuar. “Në 16 prill në Kukës do të shënohet 15-vjetori i eksodit të popullit të Kosovës në Shqipëri, në përkujtim të rreth 1 milion shqiptarëve të depërtuar me dhunë nga regjimi i Beogradit”, theksoi Meta.
Gjatë këtij takimi, kryeparlamentari Meta shoqërohej nga deputetët e parlamentit shqiptar: Gramoz Ruçi, Shpëtim Idrizi dhe Luan Rama, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Kryeparlamentari Krasniqi ishte i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti, Sabri Hamiti, Glauk Konjufca dhe Albert Kinolli, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë.