Kosovë, votohet në 25 komuna

59

kosova_flag_1Pas fushatës 5-ditore për raundin e dytë të zgjedhjeve, në komunat të cilat nuk arritën ta zgjedhin kryetarin në raundin e parë të zgjedhjeve, sot votohet në 25 komuna të Kosovës. Zgjedhjet e së dielës përfundimisht do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë me këto komuna në katër vitet e ardhshme.

Në këtë raund gjithashtu do të rivotohet edhe në tri vendvotime në Zveçan, për të cilat KQZ-ja ka vlerësuar se ka pasur parregullsi në raundin e parë të zgjedhjeve. Pra, në Zveçan nuk ka balotazh, por vetëm rivotim, raporton “Zëri”.

Sipas statistikave të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në 25 komunat që kanë shkuar në balotazh është 1.371.524 votues.

Numri i votuesve jashtë Kosovës që do të kenë mundësi të votojnë përmes operacionit të votimit, përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, është 11 738 votues.

Ndërsa në rivotimin në tri vendvotime në Zveçan, të drejtë vote kanë 2595 qytetarë.

KQZ-ja ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e raundit të dytë për zgjedhjen e kryetarit të komunës.

Shtohen masat e sigurisë

Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë shtuar masat e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës.

Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës, ka thënë se Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet për menaxhimin e situatës gjatë procesit zgjedhor të 1 dhjetorit. Ai thekson se iu janë përgjigjur të gjitha kërkesave të drejtorive rajonale për dërgimin e pjesëtarëve shtesë, aty ku ka nevojë, në mënyrë që të ketë policë në numër të mjaftueshëm në të gjitha qendrat e votimit.

Ndërsa në komunat në veri të vendit, Policia e Kosovës do të ketë rolin kryesor për mbarëvajtjen e procesit të votimit, por në bashkëpunim të ngushtë edhe me EULEX-in dhe KFOR-in.

Gjatë ditës së sotme, do të jenë të pranishëm edhe shumë vëzhgues, ku përveç atyre nga KQZ-ja, të pranishëm do të jenë edhe 71 vëzhgues nga Bashkimi Evropian dhe 1600 vëzhgues nga koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” .