Komisioni Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit shqyrton dokumentacionin e mbërritur

55

komisioni i siguriseKomisioni Hetimor i Kuvendit “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit” u mblodh sot për të shqyrtuar dokumentacionin e ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit si dhe për të evidentuar mangësitë në dokumentacion dhe prezantimin e nevojave për plotësime apo dokumentacion shtesë.

Specialisti i ngarkuar me punë në këtë proces, Eridjan Salianji, paraqiti disa prej konstatimeve të tij në lidhje me dokumentacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. “Dosjet janë pothuajse të plota, përveç mangësisë së dokumentacionit të vlerësimit. Si ata që janë emëruar që në vitin 2005 dhe që janë liruar në 2013-n, u mungon dokumentacioni, si dhe ata që kanë qenë në detyrë dhe janë transferuar u mungon dokumentacioni”, tha Salianji.
Ndërsa Kryetari i Komisionit Hetimor, Arben Ristani, kërkoi që shkaqet e largimit nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit të grupoheshin sipas gradave. Por, deputetët e maxhorancës dhe të opozitës u përfshinë nga debatet. Kryetari i Komisionit Hetimor, Ristani dhe deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja.
Në emër të deputetëve të maxhorancës, deputeti Taulant Balla kritikoi mungesën e disa prej anëtarëve të opozitës në këtë komision, ndërsa shtoi se opozita nuk dëshiron të vazhdojë punen ne këtë komision hetimor pasi të gjitha largimet e bëra nga Policia e Shtetit janë në zbatim të ligjit.
“Opozita, e cila kërkoi Komisionin Hetimor, prej ditësh ka degraduar me pjesëmarrje 1-3 veta. Opozita nuk ka dëshirë ta vazhdojë Komisionin Hetimor, sepse e ka të qartë që të gjithë procedurat e ndjekura për të gjithë periudhën e marrë në hetim, të gjithë transferimet dhe punësimet e reja, janë të bazuara në ligj dhe si të tilla, meritojnë vlerësimin në raportin përfundimtar të Parlamentit”, theksoi Taulant Balla. Mbledhja u shty për një ditë tjetër.