Komisioneri i KiE: Gjyqësori, jeni larg standardeve të BE

46

Nils_MuiznieksKomisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës Nils Muižnieks konstaton se drejtësia shqiptare duhet të bëjë shumë për të arritur standardet e BE-së. Në konferencën përmbyllëse pas vizitës 5 ditore në vendin tonë, komisioneri i KiE-së, thekson se duhet rifituar besimi i publikut tek gjyqësori.

“Shqipëria duhet të bëjë shumë që sistemi gjyqësor të përmbushë standardet e BE-së. Ekzekutimi i vendimeve të gjykatave dhe besimi tek gjyqësori është në nivel të ulët. E rëndësishme që ministri juaj e pranon këtë gjë. Ndaj jemi këtu për t’ju ndihmuar”, theksoi komisioneri i KiE-së.

Komisioneri Muižnieks, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, ka kërkuar zbardhjen e së vërtetës për ngjarjet e 21 Janarit ku u vranë 4 protestues. edhe pse Gjykata e Apelit ka dhënë verdiktin e saj për gardistët Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, Muižnieks vlerëson se
para drejtësisë nuk kanë dalë personat përgjegjës, teksa ka kërkuar përfundimin sa më parë të një hetimi të paanshëm dhe tërësor.

“Qëndrimi im dhe i KiE është i qartë, autorët e shkeljeve të të drejtave të njeriut duhet të dalin para drejtësisë. Një numër njerëzish të përfshirë në ngjarjen e 21 Janarit akoma nuk janë para drejtësisë. Ka të dhëna se hetimet nuk anë kryer si duhet si rezultat i shkatërrimit të provave. Ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e provave të vihen para drejtësisë. Jemi në pritje të përfundimit të cështjes gjyqësore për personat që vranë. Prokurori na informoi se edhe hetimi në lidhje me provat ende nuk ka përfunduar dhe na premtoi se do na informojë. Gjykata duhet të veprojë në mënyrë të tillë që të kenë ndëshkueshmëri dhe personat përgjegjës të dënohen. Ne do vazhdojmë ta ndjekim këtë çështje se kjo është çështje provë si për Prokurorinë dhe funksionimin e gjyqësorit në Shqipëri”, theksoi komisioneri i KiE.

Muižnieks e ka cilësuar dhunën ndaj policëve të patolerueshme dhe si akt që nuk duhet lejuar, duke shtuar se sa “i takon ankesave për policinë, besojmë se policia nuk bën asnjëherë punën më të mirë kur vjen puna për të analizuar punën e saj”.

Ndër të tjera komisioneri i KiE-së, kërkoi të trajtohet si prioritet edhe lufta kundër dhunës dhe diskriminimit. Në këtë kuadër ai bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes Avokatit të Popullit dhe Komisionerit anti-diskriminim.

Në interes të gazetarëve Muižnieks foli edhe për situatën financiare të vendit tonë. Duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në raport me numrin e popullsisë, ai vuri në dukje se “Shqipëria nuk është vendi i vetëm në Europë me mungesa të mëdha buxhetore”