Në një postim në Twitter, komisioneri Fyle thekson se ka diskutuar me kryeministrin për reformat e integrimit.
“Në Tiranë takim me kryeministrin Edi Rama ku diskutuam për rëndësinë e gjithëpërfshirjes në reformat e qëndrueshme për integrimin në Bashkimin Europian” shkruan në Twitter Fyle.
Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme thekson se ministri Bushati i ka paraqitur Komisionerit Fyle, në mënyrë të përmbledhur, progresin e reformave në vend, kryesisht në administratën publike, në gjyqësor, në politikën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në fushën e të drejtave të njeriut.
Më tej, sipas ministrisë, Bushati foli për impenjimin e qeverisë dhe të administratës për të vijuar me të njëjtin ritëm në rrugën e reformave dhe të integrimit, duke përfshirë në këto procese edhe opozitën dhe shoqërinë civile.
Komisioneri Fyle në takim me Bushatin ka vlerësuar ecurinë e deritanishme në rrugën e reformave të cilën e konsideroi mbresëlënëse, si dhe planet për veprim të mëtejshëm të cilat i cilësoi si ambicioze dhe të realizueshme. Komisioneri nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së të gjithë faktorëve në këtë proces, sidomos të shoqërisë civile, për të siguruar qëndrueshmërinë e reformave.
Të dyja palët vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët. Sipas Komisionerit Füle, marrja e statusit të vendit kandidat do të jetë një sinjal pozitiv jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, ndaj të cilit vëmendja e Komisionit dhe e BE-së nuk është shkëputur.
Axhenda
Në orën 10:00, komisioneri Fyle është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile ndërsa në orën 10:55 ka nisur takimi i dytë i dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE.
Në këtë tryezë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, ish-ministrja e integrimit Majlinda Bregu dhe deputetët Eduard Halimi dhe Arben Ristani. Kryetari i PD Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë larguar në Dublin ku do të marrin pjesë në samitin e Partive Popullore Europiane.
Takimi i nivelit të lartë pritet të përfundojë në orën 13:00 kur komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle dhe kryeministri Edi Rama, do të mbajnë një konferencë për shtyp.
Ndërsa në orën 13:30 komisioneri Fyle do të zhvillojë një takim me ambadadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë