Kombëtarja e shpresave, mundet në Bosnje 4-1

51

kombetarja u21Pas humbjes së parë në shtëpi ndaj Hungarisë, Kombëtarja e Shpresave ka regjistruar një tjëtër humbje tashmë në transfertë ndaj Bosnje-Hercegovinës.  Kombëtarja jonë e 21 vjecarëve, është mundur me rezultatin 4-1 duke pësuar kështu  humbjen e dytë në pakë ditë, në fushatën kualifikuese të Kampionatit Europian 2015 në grupin 4.

Kuqezinjtë e trajnerit Skënder Gega, kanë vijuar të mos paraqesin një fytyrë shpresëdhënëse në këto kualifikuese, duke mbetur vetëm në kuadrin e disa veprimeve individuale të lojtarëve. I tillë ka qenë edhe goli i nderit për tanët, shënuar në fundin e pjesës së parë, me autor Fabio Hoxhën.

Loja ka nisur e shpejtë dhe tepër këmbëngulëse për boshnjakët, që tregojnë qartë ambiciet dhe superioritetin e tyre kualitativ. Kuqezinjtë tanë detyrohen të ngjeshen në mbrojtje pa dalë dot në gjysmëfushën e kundërshtarit. Vetëm 17 minuta lojë rezistojnë tanët, pasi vendasit bëjnë golin e parë më anë të Mesanoviç, që zhbllokon shifrat dhe vë në shinat e duhura suksesin e të tijve. Në minutën e 29-të, Kajiç do të realizonte golin e dytë në portën e Menkës. Në dhjetë minutat e fundit të pjesës së parë ka njëfarë zgjimi të tanëve, duke e hedhur disi vështrimin nga porta boshnjake. Goli i shpresës, që mund të hapte ndeshjen, erdhi pas një veprimi të bukur individual të Fabio Hoxhës në minutat shtesë të pjesës së parë. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjeve me rezultatin 2-1, por pjesa e dytë do të jetë një ferr i vërtetë. Në minutën e 67-të, Mesanoviç shënon golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën e tij. Minuata në vijim kombëtarja jonë e shpresave mundohet të reagojë, por pëson një tjetër gol në minutat shtesë, duke e mbyllur gjithëçka me pokerin 4-1.

Kuqezinjtë tanë mbeten në kuotën e zero pikëve në grupin 4 pas dy ndeshjeve, ndërsa Bosnja merr tri pikët e para, aq sa ka edhe Hungaria, me nga një ndeshje të luajtur deri më tani. Dy skuadrat e tjera të grupit tonë, Austria dhe Spanja nuk kanë luajtur ende asnjë kualifikuese.