Gjatë mbledhjes së djeshme të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linkevičius bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj Programit të Partneritetit Oriental dhe anëtarëve të saj, në veçanti Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.
‘Someti i Vilnusit na hapi sytë, ne duhet të shikojmë Partneritetin oriental në mënyrë më strategjike, të përcaktuar dhe të përbashkët”,- ka deklaruar Linkevičius.
Gjatë diskutimit mbi situatën në Ukrainë, Ministri foli mbi vizitën e tij në Kiev dhe bëri thirrje për të pasur përfaqësues të përhershëm të nivelit të lartë të BE-së, në kryeqytetin ukrainas për të vëzhguar situatën, në rastin konkret, për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve. Linkevičius tha se më e rëndësishmja tani, është garantimi me të tëra mënyrat i sigurisë së manifestuesve, pengimi i dhunës dhe provokimeve dhe kërkimi i një dialogu konstruktiv dhe të pakontestueshëm. Në prag të vizitës së Presidentit ukrainas në Moskë, Ministri deklaroi se presim nga Kiev, një pozicion të qartë mbi rrugën europiane.
“Nëse drejtuesit ukrainas tregojnë qartësisht, se janë të vendosur për të nënshkruar Marrëveshjen e Asocimit, ne duhet të qëndrojmë të hapur ndaj mundësisë së një dialogu, duke respektuar gjithashtu parimet tona. Ne, duhet të marrim në konsideratë përpjekjet e atyre, që kanë dalë në rrugë për të mbrojtur zgjedhjen evropiane”,- deklaroi Linkevičius
Në mënyrë që të përmbushim pritjet e Ukrainës, por edhe të Gjeorgjisë dhe të Moldavisë, që i kanë nënshkruar Marrëveshjet e Asocimit, BE, duhet, sipas Ministrit, të ndërmarrë një progres krijues dhe elastik, kryesisht në fushën e liberalizimit të vizave. Vlerësohet po ashtu, e nevojshme krijimi i një katalogu tërësor masash për të ndihmuar vendet, që kanë zgjedhur rrugën e asocimit.
Në një bashkëbisedim para drekës të Ministrave të BE-së, me shefin e diplomacisë ruse Lavrov, Linkevičius, inkurajoi BE-në të vlerësojë situatën reale të marrëdhënieve dhe të reflektojë mbi orientimin e marrëdhënieve të ardhshme. Ministri nënvizoi, se të gjithë vendet, si edhe Rusia, duhet të respektojnë zgjedhjen e vendeve të tjerë.
“E ftova Ministrin rus në një takim në janar, për të diskutuar mbi situatën e marrëdhënieve bilaterale. Dialogu është gjithmonë i nevojshëm, për të rregulluar problemet”,- tha Linkevičius pas diskutimit.
Ministrat gjatë mbledhjes së Këshillit, kanë diskutuar gjithashtu mbi marrëveshjen e arritur me Iranin, mbi programin nuklear. Lituania ka përshëndetur dhe u shpreh se do të mbështesë përpjekjet e ardhshme të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Catherine Ashton, për të arritur në një kompromis global afatgjatë.
Këshilli ka diskutuar gjithashtu, përgatitjet për negociatat e paqes për Sirinë, situatën në Ballkanin Perëndimor dhe progresin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Këshilli ka adoptuar po ashtu, konkluzionet mbi situatën në Libi, Iran dhe procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe ka dënuar qartazi dhunën në Republikën e Afrikës Qendrore./i.t/