KE, deklaratë mbi kontrollin e kapitalit të imponuar nga Qipro.

19
AFP/foto
AFP/foto

Komisioni Europian, me anë të një deklarate të publikuar më 28 mars 2013, pas vendosjes së masave kufizuese për lëvizjen e lirë të kapitalit, nga Republika e Qipros, është shprehur, se, janë marrë parasysh kufizimet e përkohshme për lëvizjen e lirë të kapitalit, duke përfshirë edhe kontrollet e tij, të vendosura nga Republika e Qipros, si pjesë e një sërë masash për të parandaluar rrezikun domethënës të rrjedhjes së pakontrollueshme të depozitave, të cilat do të çojnë në kolaps besueshmërinë e institucioneve si edhe rrezikun e menjëhershëm të destabilizimit të plotë të sistemit financiar të këtij vendi.

Si ruajtës i Traktateve dhe për të mbrojtur integritetin e tregut të vetëm, Komisioni ka bërë një vlerësim paraprak të ligjit qipriot dhe dekreti përkatës sipas rregullave për lëvizjen e lirë të kapitalit të përcaktuara në nenet 63 dhe në vazhdim, të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian. Shtetet anëtare mund të vendosin kufizime në lëvizjen e kapitalit, duke përfshirë kontrollet e kapitalit, në rrethana të caktuara dhe nën kushte të rrepta për arsye të politikës publike ose sigurisë publike. Në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, mund të ndërmerren masa, për arsye thelbësore, të interesit të përgjithshëm publik.

Sipas Komisionit Europian, përjashtime të tilla mbi parimin e lëvizjes së lirë të kapitalit, duhet të interpretohen në mënyrë rigoroze dhe të jenë jodiskriminuese, të përshtatshme, proporcionale dhe të aplikuara për një periudhë sa më shkurtër të jetë e mundshme.

Në rrethanat aktuale, stabiliteti i tregjeve financiare dhe sistemit bankar në Qipro, përbën një çështje të një interesi publik shumë të rëndësishëm, dhe politikat publike justifikojnë vendosjen e kufizimeve të përkohshme mbi lëvizjet e kapitalit. Kufizime të tilla mund të përfshijnë pushimet, kufizimet në tërheqje, ngrirjen e aseteve, ndalimin e ndërprerjes së depozitave me afat të caktuar, ndalimin e urdhërpagesave të caktuara, kufizime në përdorimin e kreditit ose debitit, apo kartat e parapaguara, kufizime në veprime të tjera bankare, si dhe kryerjen e transaksioneve të caktuara, që janë subjekt i miratimit të Bankës Qendrore, dhe masa të tjera.

Komisioni, do të monitorojë nga afër me autoritetet qipriote dhe shtetet e tjera anëtare, Bankën Qendrore Evropiane dhe EBA, zbatimin e masave kufizuese mbi lëvizjet e kapitalit. Këto masa kufizuese, do të mbeten në fuqi për 7 ditë. Komisioni, do të vazhdojë të monitorojë nevojën për zgjatjen e vlefshmërisë, apo rishikimin e masave, si edhe do të këmbëngulë në çdo kohë, që çdo masë kufizuese të jetë në mënyrë strikte, në proporcion me objektivat legjitime për të parandaluar rrezikun e menjëhershëm, për stabilitetin financiar të Qipros dhe në mënyrë rigoroze e kufizuar në kohën e nevojshme për këtë qëllim.

Ndërsa masat kufizuese të imponuara, duket të jenë të nevojshme në rrethanat e tanishme, lëvizja e lirë e kapitalit, sipas Komisionit, duhet të rivendoset sa më shpejt të jetë e mundur, në interes të ekonomisë Qipriote dhe në interes të tregut unik të Bashkimit Evropian, si një e tërë.

Imelda Tasho