Ja si do kontrollohet administrata ditën e zgjedhjeve: lëvizja e bërrylit tregon kë voton

55

38Punonjësja e burgut regjistrohet nga “Fiks Fare”: Drejtori i burgut të Vaqarit, fushatë me të dënuarit për të votuar PD-në .

Administrata ka braktisur të gjitha detyrimet sociale, ekonomike dhe shërbimet publike ndaj qytetarëve dhe kush me detyrim e kush me dëshirë, është përfshirë në fushatë.

Një punonjëse e burgut të Vaqarit, aktiviste e PD-së, e cila ka marrë edhe detyrën e kryetares së një komisioni në një qendër votimi në kryeqytet, tregon për “Fiks Fare” presionet që po u bëhen mësuesve për t’u angazhuar në strukturat e PD– së. Punonjësja e këtij burgu është kapur nga gazetarët investigativë të këtij emisioni në zyrën elektorale të PD- së, teksa vijonte të priste simpatizantët e kësaj force politike. Me krenari ajo tregon se është caktuar kryetare e qendrës së votimit 1896.

Përpara gazetarit të “Fiks Fare”, kjo grua tregon të gjithë skemën sesi është angazhuar administrata në fushatë dhe sesi u bëhet presion për t’u paraqitur pranë qendrave elektorale.

Sipas saj, nëse punonjësit e administratës, që duhet të paraqiten sipas urdhrit të drejtuesve të tyre në qendrën elektorale të PD-së, ku ajo është e angazhuar, raportohen prej saj në qendra e tyre të punës dhe ata paguajnë me vendin e punës.

Gjithashtu tregon edhe skemën sesi po u bëhet presion punonjësve të administratës për të kontrolluar votën e tyre për PD-në ditën e zgjedhjeve.

Lëvizja e bërrylit në vendin e plotësimit të fletës së votimit do të jetë një tregues për të kontrolluar se kë subjekt ke votuar. Nëse nuk voton nr. 44, pra PD-në, sipas saj, këtë e tregon lëvizja e bërrylit në tavolinën e vendit të votimit. Pra nëse plotëson fletën e votimit për ndonjë subjekt tjetër partiak dhe jo për nr. 44, bërryli është treguesi që mund të tradhtojë punonjësit e administratës që nuk do t’i binden urdhrit të eprorëve.

Kjo punonjëse e burgut të Vaqarit, identiteti i të cilës nuk u zbulua në emisionin “Fiks Fare”, tregon se drejtori i këtij burgu bën fushatë elektorale me të dënuarit që vuajnë dënimin ne këtë institucion.

Edhe pse në kundërshtim me ligjin, sipas kësaj punonjëseje, drejtori i burgut të Vaqarit vijon të bëjë fushatë elektorale brenda në burg tek të burgosurit.

“Punoj brenda në burg. Kam parë të burgosur që nuk kanë karta për votime,” tregon ajo. Mes të tjerash tregon sesi janë angazhuar oficerët e këtij burgu për të bindur të dënuarit që të votojnë PD-në, madje, sipas saj, vetë drejtori futet e bisedon me të burgosurit, të cilët i thërret edhe në zyrë. Këtë fushatë ai po ë bën edhe me punonjësit, të cilëve, sipas kësaj zonje, u kujton rrogën që janë duke e marrë në shtet dhe për të cilën kanë detyrim ndaj PD-së.

Kjo punonjëse, aktiviste e apasionuar me PD-në, tregon se i ka sugjeruar drejtuesit të saj që t’u marrin kartat e identitetit  të dënuarve që janë me bindje të majta politike.

Më poshtë biseda e plotë me punonjësen e burgut të Vaqarit:

 

Punonjësja e burgut– Tani punoj tek burgu i Vaqarit. Atje jam arkëtare, magaziniere. Merrem një çikë edhe me këto fushatat. Jam kryetare e qendrës së votimit 1896. Aman punë burgjesh, punë e lodhshme, punë stresante.

Fiksi– Si del votimi atje, kanë filluar…?

Punonjësja e burgut – Po, po, kam parë ca lista kështu. Se unë jam brenda në burg magaziniere. E kam parë ca që nuk kanë karta, jo më të pajisen me karta se do të votojnë. Edhe atje si këtu ka të majtë dhe të djathtë.

Fiksi– Ça flet, ka të majtë atje?

Punonjësja e burgut– Shumë, më thonë mua, deri më 23 qershor se ta tregojmë ne ty.

Fiksi– Ka ndonjë që punon, oficerët?

Punonjësja e burgut– Po, po, të gjithë punojnë.

Fiksi– Të paktën që të votojnë, se ata e kanë në dorë.

Punonjësja e burgut– Po, po, po, mirë.

Fiksi– Mësuesit të paktën që janë marrë me lista?

Punonjësja e burgut– Njëherë mësuesit kanë ardhur duke më kërcënuar se përse më ke marrë në telefon. Për Zotin, kanë ardhur duke më kërcënuar sa më thoshin do të heq, ju thashë po më lini rehat, se për një copë bukë ti e për një copë bukë unë. Unë nuk të kam thënë me ardhë e më bë punët e shtëpisë time. Të erdha, të thirra, të njoh kush je. Atë ditë që të vish me votu e di që kjo është e imja apo s’është e imja. I thashë nuk ju kam thirrur me më bërë punët këtu.

Fiksi– Po formularët nuk i keni shpërndarë?

Punonjësja– Jo, jo asnjë formular. Tani duke marrë në telefon isha. E ç’i do formularët, formularët të ngrenë nervat. Mua janë duke m’u nervozuar duke i marrë në telefon.

Fiksi– Punonjësit e shtetit nervozohen?

Punonjësja e burgut– Shumë, punonjësit e shtetit më kërcënojnë mua. Kush je ti e ku ke marrë numrin e telefonit ti? Pse më merr ti në telefon? Pastaj vijnë e bien pardon. I them, po a je ti që të më kishe pasur afër më kishe gjuajtur? Edhe, jo kam qenë me nerva, jo po kam qenë kështu, se a e kupton, ju çoj prapë emrin atje që nuk kanë ardhur! Edhe i thërrasin prapë atje.

Fiksi- I thërrasin tek drejtoria?

Punonjësja e burgut– Po, na ke dërguar emrin më thonë mua. Jo ju them, nuk ua kam dërguar unë. Mua më pyesin a kanë ardhur, nuk kanë ardhur.

Fiksi– Po tek burgu oficerët janë futur, fushatë kanë bërë? Fushatën e kanë bërë tamam tek burgu i Vaqarit?

Punonjësja e burgut– Tani me marifet vetë drejtori. Vetë drejtori futet e bisedon me ta, i takon edhe n.q.s. kanë pak respekt u thotë vetë. Besoj se do e marrim ndonjë votë atje, do votojnë.

Fiksi– Nga është drejtori?

Punonjësja e burgut- Drejtori është demokrat është nga Kukësi me mbiemër Xhuta.

Fiksi– I thërrisni në zyrë?

Punonjësja e burgut– Jo, ju shkon atje në burg. Pëllumbi hyn gati përditë. Të gjithë shkojnë duke e takuar drejtorin, se kanë halle e probleme edhe ky ua thotë. Na thotë edhe neve, na ka thirrë edhe neve e na thotë nuk dua ta di se je polic thotë, a je duke marrë rrogën me këtë shtet, po, a je duke punuar? Punoni se e keni për vete.

Fiksi– Shumë bukur.

Fiksi– Po mirë, të burgosur janë shumë?

Punonjësja e burgut– Sa veta kam atje unë, kam 200. Unë ju thashë merruni ndonjë kartë këtyre që janë socialista, i thashë unë. Po këto thonë, jo po s’janë, po ju them unë janë, se mua më kërcënojnë atje, ju tregoj unë kush janë. Po është shpejt me ju mbledhë kartat.

Fiksi– Tani si e kanë vendosur, për t’i mbledhur kartat apo mos me i mbledhë?

Punonjësja e burgut– Jo, unë faktikisht këtu në lagjen time nuk kam gojë me i thënë kujt “më jep kartat” se më thotë ti nuk më beson mua? Unë ju kam thënë një gjë atë ditë, do të tregoj që më dhe s’më dhe votën, se do të tradhtojë ky bërryl. Se bërryli është jashtë kutisë. Edhe 24 me 44, 29 me 44. Edhe ju kam thënë, atë ditë do ju tregoj ma dhe, nuk ma dhe votën./ Gazeta Dita/