Itali, pritet vendimi mbi ish Kryeministrin Berluskonin

85

ITALY POLITICSSot pritet vendimi nga Gjykata e Lartë e Italisë, nëse do të lërë në fuqi dënimet e shkallëve më të ulta për ish-kryeministrin italian Silvio Berluskoni. Ai akuzohet për krijimin e një mekanizmi për shmangien e taksave për mediat e tij. Bëhet fjalë për perandorinë mediatike Mediaset, e cila ka deklaruar çmime joreale tepër të larta për disa filma të blerë nga shtëpitë kinematografike amerikane, me qëllim shmangien e përqindjeve të larta tatimore.

Avokatët e tij kërkojnë nga gjykata e lartë rrëzimin e vendimit të shkallëve më të ulta për ish-kryeministrin italian. Në maj, gjykata e apelit la në fuqi vendimin tetorit të vitit 2012 të gjykatës së Milanos, për dënimin e tij me 4 vite burg, që u reduktua në një vit, në bazë të ligjit të faljes të miratuar në vitin 2006. Megjithatë, dënimi mund të konvertohet në punë në shërbim të komunitetit. Gjithashtu, gjykatësit vendosën që Berluskoni të qëndronte 3 vite larg skenës politike dhe publike.

Por lënia në fuqi e vendimeve të shkallëve më të ulta, do të rrezikonte qëndrueshmërinë e qeverisë së koalicionit të drejtuar nga Enriko Leta. Berluskoni akuzon gjykatat dhe kundërshtarët e tij politik, se duan ta eliminojnë atë politikisht. Në shenjë hakmarrje, ai paralajmëron me tërheqje nga koalicioni qeverisës.