Inagurohet në Kashar stacioni i ri hekurudhor

88

meta treniPër të gjithë qytetarët e Tiranës dhe Durrësit tashmë do të ketë një stacion të ri hekurudhor që do të bëjë lidhjen mes dy qyteteve me një kosto më ekonomike për ta.

Ish-stacioni i trenit në Kashar që kishte humbur funksionalitetin e tij është transformuar terësisht me një investim të vetë hekurudhës shqiptare, që kap shifrën e 5 milion lekëve.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë sot në inagurimin e ambjenteve të reja të stacionit të ri të Trenit në Kashar që aktualisht kryen funksionin edhe të stacionit për Tiranën si edhe me vagonët dhe lokomotivat e riparuara të disa trenave që janë kthyer në standarde bashkëkohore.

Gjatë fjalës së tij kreu i LSI-së, ngriti si shqetësim mungesën e një stacioni hekurudhor në Tiranë.

Meta: “Është një detyrë për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj dhe për Ministrin e Transporteve që të gjejnë zgjidhjen, sepse nuk ka qytet në botë dhe kryeqytet në botë që e ka stacionin hekurudhor shumë larg prej tij, sepse është një pengesë për aksesin që duhet të kenë qytetarët për të udhëtuar me këtë shërbim transporti”.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi vëmendjen e rikthyer ndaj transportit hekurudhor, duke e cilësuar këtë si një mundësi tepër pozitive për të faktorizuar ekonominë shqiptare në rajon.

Meta: ” Më të lumturit sigurisht këtu janë studentët nga Durrësi si gjithmonë, por besoj dhe gjithë të tjerët të cilët do të zgjedhin transportin hekurudhor edhe për arsye të komoditetit, por të mos harrojmë edhe për arsyet e kostos shumë më të ulët dhe të përballueshme. Por zhvillimi i sistemit hekurudhor, modernizimi i tij është prioritet. Pa të nuk mund të ketë zhvillimin shumë më të shpejtë të gjithë ekonomisë sonë dhe një faktorizimin të Shqipërisë në gjithë zhvillimet rajonale”.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto theksoi se projekte të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen.

Haxhinasto: “Jemi duke realizuar dhe shumë studime për ta përmirësuar dhe më tej rrjetin tonë hekurudhor. Studimi për lidhjen Tiranë-Rinas-Durrës është në proces. Në fund të vitit do të jetë i gatshëm, ashtu si dhe studimi i fizibilitetit për gjithë rrjetin tonë të hekurudhave, me qëllim që të gjallërohet kjo formë e rëndësishme për transportin në Shqipëri për ti shërbyer si pasagjerëve, ashtu dhe ekonomisë shqiptare.Aktualisht Stacioni i Kasharit është funksional. Është domosdoshmëri që të ndërtohet menjëherë Stacioni i Tiranës sepse kryeqyteti duhet ta ketë stacionin sa më afër qendrës së tij. Sigurisht që jemi pro çdo lloj zhvillimi tjetër urbanistik. Por stacioni i trenit duhet të jetë sa më afër qendrës së Tiranës”.