Hysaj: Do të shënoj ndaj Izraelit dhe Islandës

24

Në prag të sfidës së Ligës së Kombeve ndaj Islandës, ishin Elseid Hysaj dhe Klaus Gjasula që përballë gazetarëve treguan pritshmëritë e tyre për këto dy takime.

Lojtari i Lazios u shpreh se fryma e grupit është e mirë dhe djemtë janë gati për fitore.

“Ne e kemi për të detyrë të jemi gati gjithmonë kur na thërret Kombëtarja. Kam ardhur me shumë qejf. Jemi në fund të sezonit, por kemi një mundësi të mirë për të ecur para me Kombëtaren. Unë jam 100% gati. U bë kohë që s’jemi takuar më këto ekipe, por në ndeshjen e fundit me Islandën kemi treguar që jemi më të rrezikshëm. Dje pamë kundërshtarët dhe po përgatitemi për këto ndeshje. Kemi bërë mirë ndaj Spanjës dhe besoj se jemi gati për këto ndeshje.

Jemi tri skuadra të forta. E shohim si një mundësi të mirë, pasi Rusia, që mungon, është një skuadër shumë e mirë, tani kemi më shumë mundësi për të shkuar në play off. Duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë mundësi dhe e shohim si një dritare më shumë”.

Ne, të gjithë, në këtë moment, kemi ardhur në formë 100% dhe kemi shumë dëshirë. Besoj se jemi gati dhe duhet të shkojmë atje e të shohim si do të shkojë ndeshja. Do të kërkojmë të bëjmë më të mirën dhe të marrim maksimumin. Uroj që në këto ndeshje të kem rast për të shënuar një gol tjetër”.

Gjasula, i rikthyer pas një dëmtimi, tregoi se ndihet mirë dhe do të japë maksimumin për të marrë 3 pikët.

“Nuk do të thosha që kundërshtarët janë më poshtë se ne. Jemi afër dhe s’mund të them se jemi favoritë. E dimë që në të shkuarën ka qenë e vështirë, por ne jemi rritur dhe kemi treguar cilësi të mira. Jam optimist dhe uroj të bëjmë paraqitje të mira.”