Greqia: Julian Sinanaj shumë i rrezikshëm

62

vrasjeVrasësi me pagesë, Julian Sinanaj, i cili u kap para disa ditësh nga policia shqiptare është një emër i njohur edhe për policinë greke. Dy shqiptarët e kapur Ilir Kupa dhe Julian Sinanaj janë përfolur mjaft nga mediat greke ditët e fundit. Por pavarësisht se vëmendja është përqendruar te Ilir Kupa,  Julian Sinanaj cilësohet nga shtypi helen si një person më i rrezikshëm se Kupa.

“Julian Sinanaj është një person me precedent të pasur kriminal në shtetin helen, më shumë se vetë Ilir Kupa. Ai akuzohet për shtatë vrasje dhe për sulme terroriste në Greqi”, shkruajnë mediat greke.

Sipas këtyre të fundit, thuhet se 27-vjeçari i arrestuar në Tiranë më 25 janar dyshohet është autor i dy vrasjeve në Greqi, ku një viktimë është emër i njohur i krimit grek, ndërsa tjetri kalimtar i rastit.

Një tjetër ngjarje për të cilët lakohet emri i Sinanit është dhe vendosja dhe shpërthimi i bombës në Gjykatën e Selanikut në vitin 2010, ku rrezikuan jetën 50 persona. Gjithashtu aktivitetin e 27-vjeçarit në tokën helene, mediat atje e lidhin me një organizatë terroriste greke e quajtur “Bërthama e Zjarrit”, ku ai kryente akte terroriste për llogari të saj.

Mediat helene raportojnë se arrestimi i Julian Sinanajt i kanë kapur të papërgatitur hetuesit grekë, të cilët ndodhen prej ditësh në Tiranë. Ata presin të vërtetojnë nëse deklaratat e dhëna nga 27-vjeçari janë të bazuara në fakte.

Shtypi grek ka disa ditë që fokusohet në këto dy arrestime të bujshme në Shqipëri, duke vënë theksin tek arrestimi i Ilir Kupës, për të cilin shprehen se do të pranonte edhe të merrte përsipër një vepër penale në Shqipëri vetëm e vetëm që të mos ekstradohej. Por edhe krimet e kryera në Greqi edhe nga Julian Sinanaj kanë vënë në lëvizje drejtësinë e shtetit fqinj.