Golstein e BB: Shqipëria këto vite kryereformatore e ekonomisë

48

para pastrimKryeministri Berisha priti sot një grup të Bankës Botërore, të kryesuar nga znj. Ellen Goldstein, Drejtore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore.

Znj. Goldshtein i tha Kryeminstrit që erdhi në këtë takim për të përcjellë vlerësimet më të larta dhe falenderimet më të përzemërta të drejtuesve të BB dhe të gjithë ekipeve që kanë punuar me qeveritë Berisha për 8 vitet e qeverisjes së fundit e më parë. Ka qenë një bashkëpunim i ngushtë dhe shumë i fryshëm, një partneritet konsekuent dhe i fuqishëm, në reformat e mëdha të ndërmarra dhe që ne shpresojmë, u shpreh ajo, që BB të ketë kontributin e saj nga bashkëpunimi, në arritjet tuaja. “Ju keni luftuar dhe keni bërë që Shqipëria nën drejtimin tuaj të cilësohet si kryereformatore e ekonomisë. Falë lidershipit tuaj, nuk është aspak tepër të thuhet që Shqipëria ia doli mbanë të lundrojë mbi krizën globale, të mbajë një ekonomi të qëndrueshme e me rritje”, – tha znj. Goldstein.

Kryeministri Berisha e falenderoi znj. Goldstein për bashkëpunimin e gjatë e të mrekullueshëm të Bankës Botërore me qeverinë e tij, si partnere e rëndësishme në arritjet e vendit në këto 8 vjet. Institucioni që ju përfaqësoni dhe zyra e tij në Tiranë , u shpreh Kryeministri, ka qenë gjithmonë një partner eficent e frutdhënës, që i ka dhënë vendit një ndihmë të paçmuar.

Përfaqësuesja e BB i tha Kryeministrit që institucioni i saj do të vazhdojë mbështetjen e qeverisë së re për vazhdimësi e zhvillim të qëndrueshëm, siç ka bërë dhe deri më sot, duke i sugjeruar qeverisë së re si fusha përqendrimi të bashkëpunimit: energjinë, menaxhim financiar, forcimin e konkurueshmërisë dhe shtimin e vendeve të punës, mbrojtja sociale, mbrojtja e ambientit etj.. I kemi sugjeruar qeverisë së re, të krijojë vazhdimësi e të mos fshijë rezultatet pozitive të reformave dhe institucioneve të ndërtuara, por të vazhdohet e çohet më tej investimi në ato fusha e sektorë.