Gjirokastra, çfarë të vizitoni

103

Exif_JPEG_PICTUREGjirokastra shtrihet në Jug të Shqipërisë, në shpatin e pjerrët lindor të Malit të Gjerë. Ajo ndodhet 232 kilometra larg nga kryeqyteti, Tirana, 31 kilometra nga Kakavia, pika kufitare me Greqinë dhe 56 kilometra nga Saranda, qyteti-port që lidh Shqipërinë jugore me Korfuzin. Qytetarët e shumicës së vendeve perëndimore nuk është e nevojshme të pajisen me viza. Vizitorët duhet të paguajnë kur hyjnë një taksë prej 10 €, nga e cila janë të përjashtuar çekët dhe polakët.

Kalaja është e hapur gjatë gjithë vitit (prill-shtator ora 09.00-19.00, tetor-mars 09.00-17.00) dhe vizita kushton 200 lekë. Një bar shërben brenda mureve të kalasë. Kalaja,që është pa dyshim një nga ndërtimet më madhështore të qytetit, qëndron mbi një kreshtë me qytetin që shtrihet rreth saj. Nga muret e Kalasë shpalosen pamje spektakolare të luginës së lumit Drino dhe maleve për rreth. Në rrjedhën e shekujve Kalaja ka pësuar ndryshime dhe zgjerime: fortifikimet e mëdha janë bërë nën Despotatin e Epirit në shekujt XII-XIII. Pas pushtimit osman në fund të shek XIV u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811 Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin që sillte ujin në kala nga afro 12 km largësi. Në vitet ’30 në Kala italianët ndërtuan burgun sipas kërkesës së mbretit Zog, i cili u mbyll në vitet 1960.

gjirokastraÇfarë mund të shihni në Kala:

Tyrbja e Bektashinjve
Pasi kaloni hyrjen e kalasë merrni kthesën e parë djathtas. Duke vazhduar drejt rreth 50 metra do shihni majtas një ndërtesë të vogël ngjeshur pas mureve mes një kopshti të vogël. Kjo është një tyrbe bektashiane, ku janë varrosur dy baballarë bektashinj.

Galeria e topave
Nëse në hyrje kthehesh majtas, do shihni një galeri të gjatë me armë artilerie të rreshtuara. Këto janë armatime të braktisura ose të kapura forcave pushtuese fashiste e nazistë gjatë Luftës II Botërore. Në fund të galerisë ka një tank italian, prodhuar nga Fiati në periudhën 1941-1943.

Muzeu Kombëtar i Armëve
I hapur fillimisht më 1971, Muzeu Kombëtar i Armëve është i vendosur aty ku ndodhej më parë një pjesë e burgut. Në muze paraqiten armët trofe që nga viti 1912 deri në fund të Luftës II Botërore. Pjesa më e madhe e muzeut i kushtohet luftës partizane kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë nga viti 1939 deri me 1944. Hyrja në Muze është 200 lekë. Në Zyrën e Informimit Turistik mund të gjeni një broshurë që shpjegon më gjerësisht përmbajtjen e muzeut.

Burgu
Hyrja për në ish-burgun është sapo futesh në Muzeun e Armëve, pas një dere metalike. I hapur më 1932, burgu u përdor fillimisht nga regjimi i mbretit Zog, pastaj nga pushtuesit fashistë dhe nazistë dhe së fundi nga regjimi komunist deri më 1968. E vizitueshme është vetëm pjesa që u kthye në muze nga regjimi komunist në vitet ’70. Mund të dilni edhe në tarracën e burgut nëse merrni në të djathtë të hyrjes kryesore.

Avioni amerikan
Pranë mureve që shohin mbi qytet janë paraqitur mbetjet e një avioni të United States Air Force, një Lockheed T-33 stërvitor dyvendësh. Aeroplani u detyrua të ulej në aeroportin e Rinasit, pranë Tiranës më dhjetor 1957, për shkak të problemeve teknike.

Skena e Festivaleve gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar

Skena e Festivaleve
Skena u ngrit në vitet ’80 dhe që atëherë aty është zhvilluar Festivali Folklorik Kombëtar. Festivali mbahet një herë në 4 vjet. Skena përdoret gjithashtu edhe për shfaqje të ndryshme gjatë festave lokale.