Filmi “Martesa” ndër 17 fitues të Paris Projects

57

foto koha ditoreFilmi i ardhshëm i metrazhit të gjatë i regjisores Blerta Zeqirit ka hyrë në mesin e 17 projekteve për film të gjatë që do të kërkojnë producentë francezë përmes Paris Projects që do të ndodh prej 20 qershorit deri më 3 korrik në Paris. Në mesin e 17 fituesve ka edhe fitues të mëparshëm të festivalit të Kanës dhe Berlinit. Lajmërimi i listës së filmave të zgjedhur u bë  këtë javë në Festivalin e Kanës nga Festivali Paris Cinema. Këtë vit për Paris Project kishin konkurruar 400 regjisorë nga e mbarë bota me projektet e tyre të ardhshme.

“Kemi pranuar 400 projekte, 30 për qind më shumë se vitin e kaluar… kemi tentuar ta arrijmë një baraspeshë në mes filmbërësve të njohur dhe talenteve të reja”, ka deklaruar Vanja Kalidjercic, Kryesuesja e Paris Projects. Filmi i ardhshëm i metrazhit të gjatë i fitueses kosovare të festivalit më të madh të filmit të  pavarur në SHBA, Sundance Film Festival, do të quhet “Martesa” dhe flet për një trekëndësh në mes dy shokëve dhe të fejuarës së njërit prej tyre. Treshen e filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës do ta luajnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu./koha ditore/