Dragoti: Protestat u ngritën mbi mosinformimin

53

Edmond Dragoti

VOA

Protestat e qytetarëve për të penguar shkatërrimin në Shqipëri të armëve kimike siriane kanë tërhequr vëmendjen e shumë sociologëve dhe studiuesve të shoqërisë shqiptare.

Shefi i departamentit të psikologjisë në Universitetin e Tiranës, profesori i njohur Edmond Dragoti, thotë se protestat janë nxitur nga keqinformimi apo mos-informimi mbi detajet e një çështje teknike, si lëndët helmuese luftarake të Sirisë.

Zoti Dragoti thotë se një përshtypje të veçantë ka bërë sidomos fakti që qytetarët dhe studentët nuk pranuan që protesta e tyre të politizohej dhe që në to të mos afrohej asnjë politikan.

Profesor Dragoti! Ka disa ditë që në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha të vendit po zhvillohen protesta të të rinjve dhe qytetarëve të tjerë mbi mundësinë e ardhjes në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Cilat janë perceptimet dhe vlerësimet tuaja mbi këto protesta?

Këto protesta janë jo-politike, deri tani të paktën, janë të motivuara drejt një problemi, që ka shoqëria shqiptare në këto momente, janë të përkohshme, janë optimiste dhe janë frymëzuese për faktin që janë qytetare. Është interesante se në to nuk kemi struktura të organizimeve politike e partiake, që ta shtyjnë një protestë të tillë. Këto nivele të mëdha e të gjera të protestuesve formojnë një sjellje kolektive të përbashkët, që do ta quaj publik, sepse është spontan dhe i vetëdijshëm.

Si ju duket ky angazhim i veçantë i popullatës për të marrë pjesë në tubime kundër lendëve helmuese nga Siria, kur vendi sapo ka dalë nga zgjedhje parlamentare dhe kur përgjithësisht shoqëria është e lodhur nga një vit i gjatë zgjedhor?

Në këto protesta unë shikoj edhe një nevojë për të rehabilituar krenarinë qytetare të shqiptarëve. Shqiptarët nuk pranojnë më të shtypen dhe të vriten duke protestuar, por ata janë të gatshëm që të mbajnë qëndrime për tema të mëdha qytetare dhe të vendosin për fatet e tyre. Ata kanë nevojë të vendosin vetë, pavarësisht se ka forma të shumta të reagimit të shoqërisë. Një nga format e vendim-marrjes është politika me parlamentin dhe me qeverinë. Ato nuk mund të përjashtohen nga vendim-marrja, sepse janë zgjedhur vetë nga shoqëria, por për probleme të mëdha, që prekin të ardhmen e shoqërisë shqiptare, vetë shoqëria ndërgjegjësohet dhe reagon në këto forma, që janë më paqësoret dhe më qytetaret, që ne kemi përjetuar në vendin tonë.

Cili është mendimi juaj për informimin ose jo të qytetarëve për lëndët kimike siriane që mund të shkëtarrohen në Shqipëri? Si rrodhën protestat, si të mirinformuara apo si të painformuara?

Në të vërtetë kjo protestë lindi edhe për shkak të keqinformimit edhe për shkak të qarkullimit të një mesazhi të paqartë. Mesazhi për dukurinë në fjalë ishte jo vetëm i paqartë, por edhe i shumëfishtë. Shpesh flitej, përflitej në forma të ndryshme, thuhej “rreziku”, thuhej “risqet”. Kur qarkullon frika, elementi i parë që ajo sjell është zemërimi, është pakënaqësia dhe nga paniku kalohet në protestë. Unë mendoj se sa më të ndërgjegjësuar dhe sa më të informuar janë protestuesit aq më të arsyeshëm janë ata në reagimin e tyre. Informimi i mëvonshëm, apo i vonuar nuk i bën ata më shumë të vetëdijshëm. Informimi duhet të jetë paraprak, në mënyrë që të orientohen qysh në fillim protestuesit se cili është destinacioni i tyre, cili është objektivi i tyre real. Kur ata i kanë përcaktuar objektivat në mungesë të informacionit, është shumë e vështirë që ata të riformatojnë këto objektiva. Informimi i mëvonshëm do të ketë shumë pak efekte tek ta. Prandaj mendoj që, të keqinformuarit ose të painformuarit kanë qenë baza e protestës dhe tani të mirinformuarit nuk e kanë të lehtë të ndikojnë në marrjen e një vendimi të përbashkët.

Cili është mendimi juaj lidhur me këmbënguljen e protestuesve këto ditë, kryesisht të rinjtë, që të mos shfaqen përkrah me politikanët dhe të mos politizohej protesta e tyre, as me praninë fizike të politikanëve pranë qytetarëve nga asnjë parti politike?

Ky është një besim që kanë tek vlerat e veta qytetarët që protestojnë. Ata nuk kanë nevojë dhe nuk duan të manipulohen nga politika. Gjithë vitet e tranzicionit kanë qenë periudhë e manipulimit politik të qytetarëve dhe të drejtave të tyre, të votave të tyre. Shpesh ata i janë nënshtruar vjedhjes së votës, vjedhjes së vullnetit qytetar të individit. Tani kanë frikë nga politika sepse ajo mund t’i manipulojë, ndaj edhe përpiqen, që të reagojnë në mënyrë jopolitike. Ata mendojnë se politika, qoftë ajo e kaluar, qoftë ajo e sotmja, i ka shërbyer deri tani jo aq shumë shoqërisë dhe individit se sa pushtetit, që kanë patur. Ky zhgënjim i motivon dhe i orienton që të jenë të pavarur prej saj. Për mua kjo është një dukuri shumë e veçantë dhe tregon një vetëdije të lartë qytetare.

Çfarë fitohet nga kjo protestë, pavarësisht nga vendimi i qeverisë?

Shoqëria shqiptare do të shpërblehet më tepër. Koston më të madhe do ta ketë pushteti dhe politika në përgjithësi, shumica dhe opozita. Këta janë të humbur në këtë mes dhe kanë marrë një mësim shumë të mirë se si duhet të sillen në të ardhmen.