Dita e gruas, Ashton: Ka ende punë për një botë pa diskriminim gjinor

57

Catherine AshtonAty ku gratë përparojnë, shoqëritë përparojnë; aty ku gratë vuajnë, vuajnë edhe shoqëritë ku ato jetojnë. Këtë mesazh përcjell Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikat e Sigurisë, Catherine Ashton, në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave. Sipas Ashton gratë kanë bërë përparime të mëdha, por mbetet ende një rrugë e gjatë për arritjen e një bote pa diskriminim gjinor.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, ne festojmë transformimin e vërtetë që ka parë botë në të drejtat e grave, falë arritjeve individuale dhe pjesëmarrjes sonë të përbashkët në jetën politike. Gratë kanë bërë përparime të mëdha, por mbetet ende një rrugë e gjatë për arritjen e një bote pa diskriminim gjinor. Aksesi i barabartë në arsim dhe në shërbimet shëndetësore dhe mundësia për t’u bërë pjesëmarrës me të drejta të plota në jetën politike është e drejta e kujtdo dhe një përbërës thelbësor i demokracisë. Qëndrueshmëria afatgjatë dhe zhvillimi mund të arrihen vetëm nëse trajtohet dhuna dhe diskriminimi kundër grave. Aty ku gratë përparojnë, shoqëritë përparojnë; aty ku gratë vuajnë, vuajnë edhe shoqëritë ku ato jetojnë. Kam pasur privilegjin të takoj shumë gra frymëzuese, që përmes punës së tyre të madhe dhe sakrificave kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë e vendeve të tyre. Sot unë i nderoj këto gra, guximi dhe vendosmëria e të cilave shtroi udhën për brezat e ardhshëm”thekson ajo.

Ashton nënvizon se të drejtat e grave dhe vajzave janë një përparësi universale për BE-në, duke garantuar se Unioni europian mbetet i angazhuar për mbështetjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave.

“Bashkimi Evropian Aktualisht BE financohen rreth 200 projekte dhe nisma në botë që synojnë të ndihmojnë gratë të përfitojnë nga arsimi dhe shërbimi shëndetësor, të punojnë dhe të jetojnë të lira nga dhuna dhe diskriminimi dhe të zënë vendin e duhur në shoqëri. Të drejtat e të gjitha grave dhe vajzave janë një përparësi universale për BE-në dhe kjo reflektohet në diskutimet aktuale të planit post- 2015 për zhdukjen e varfërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm” përfundon deklarata.

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, u vendos fillimisht në përkujtim të demonstratës së grave punëtore në Nju Jork. Por përfundimisht, 8 Marsi u vendos si Dita Ndërkombëtare e Gruas, pas tragjedisë së 25 marsit 1911 në një fabrikë po në Nju Jork, ku zjarri i rënë në një fabrikë ku punonin vetëm gra shkaktoi 146 viktima, shumica e tyre emigrante.

Tragjedia shënoi ditën në të cilën gratë përveçse festojë, edhe protestojnë për të kërkuar më shumë të drejta dhe barazi gjinore në të gjithë botën.

Për herë të parë 8 Marsi në Shqipëri u kremtua në vitin 1942 të shekullit të XX-të në grupe të vogla grash. Edhe sot në kuadër të kësaj feste do të ketë një sërë aktivitetesh të organizuara nga shoqatat e grave dhe institucionet shtetërore.