Dekreti i Rusisë, sipas të cilit kompanitë ajrore europiane, duhet të furnizojnë Rusinë me të dhënat personale të pasagjerëve të BE-së, është një çështje shumë shqetësuese, që mund të krijonte një precedent për vendet e tjera, kanë afirmuar deputetët e Komisionit të Lirive Civile (LIBE), gjatë një debati të hënën në mbrëmje me Komisioneren për Punët e Brendshme të BE-së, Cecilia Malmström.
Në muajin korrik, të vitit 2012, Ministria e Transportit të Rusisë, ka publikuar një Dekret ku kërkon që kompanitë ajrore europiane, t’i japin të dhënat personale të pasagjerëve europianë (të dhëna PNR) duke filluar, që nga 1 korriku 2013.
Të hënën në mbrëmje, eurodeputetët kanë shprehur shqetësime serioze në lidhje me këtë kërkesë. Disa prej tyre kanë paralajmëruar, se kjo mund të krijojë një precedent për vendet e tjera, që do të ndërmarrin këtë hap, ndërkohë që eurodeputetë të tjerë sugjeruan se rishikimi i parashikuar për marrëveshjen aktuale, mbi thjeshtësimin e vizave me Rusinë, mund të shërbejë si një mekanizëm që mund të kundërshtojë dekretin rus. Disa eurodeputetë vlerësojnë gjithashtu, se futja e një sistemi mbledhje të dhënash PNR, në shkallë europiane mund të ndihmonte BE-në ‘ të negocionte mbi një bazë më solide’ në këto raste. Komisioni Europian është vënë gjithashtu në qendër të kritikave, për arsye se, nuk ka mundur të zgjidhë këtë problem që në fillesat e tij.