Gjetja e trupave
Ndërhyrja e ekipeve të kërkimit që nisi pak para mesnatës së të premtes në galerinë e Beragozhdës mbajti të mbërthyer pas galerisë ekspertë dhe banorë të zonës. Mësohet se është punuar për gjatë gjitha natës deri në mëngjes për të shkuar tek trupat e pajetë ndërsa trupat e tre të rinjve janë zbuluar në thellësi, ashtu siç edhe ishte përcaktuar nga ekspertët ditën e enjte. Vetë i ati i dy prej tre djemve, trupat e të cilëve u nxorën vetëm mëngjesin e djeshëm nga rrënojat e një galerie që ishte jashtë funksionit prej më shumë se 20 vjetësh ka falënderuar shtetin për ndihmën e dhënë për gjetjen e trupave të të bijve dhe nipit të tij. Ndërsa komuna e Dardhasit edhe ditën e djeshme e ka patur ditë zie. Mësohet se edhe tre djemtë e tjerë kanë humbur jetën nga asfiksia pasi në vendin ku janë gjetur mësohet se nuk ka pasur ndonjë shembje e galerisë. Pesë djemtë e familjes Hamolli, tre djem të Luan , i cili mësohet se nuk jeton prej vitesh si dhe dy djemtë e Xhevidit, humbën jetën në përpjekje për të nxjerrë hekur nga gërmadhat e një galerie që duhej të ishte nën mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse, ose duhej të ishte izoluar deri në atë lloj mase sa mos të futej askush brenda tyre. Ndërkohë që mundësia tjetër, që mund të bënin autoritetet vendore dhe shtetërore për ato familje që të siguronin bukën e gojës jashtë atyre varreve të hapura, ishte punësimi i ndonjë personi nga familjet.
Vdekja në minierë, pranga pronarit
Tragjedia e Pogradecit që u mor vesh mëngjesin e së enjtes u shoqërua nga një tjetër ngjarje e kobshme. Dy persona u zunë nga një masiv dhe brenda ambienteve të një galerie në Qukës të Librazhdit orëve të mesditës së dy ditëve më parë. Dy burra, njëri inxhinier dhe tjetri minator mbetën të pajetë, ndërsa hetimet nxorën me faj për këtë çështje respektimin e kushteve teknike. Kështu mëngjesin e djeshëm prokuroria e Elbasanit dhe urdhëruar prangosjen e shtetasit Agim Yzo, pronar i kompanisë private që shfrytëzon minierën e hekur-nikelit në Gurrë të Librazhdit. Ai ishte shoqëruar mbrëmjen e së enjtes në polici për tu marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë ku humbën jetën inxhinieri Drini Bogdani nga Rrajca dhe minatori Hazhi Danga. Dy viktimat humbën jetën pasi u zunë nga një masiv dheu në galeri, ndërkohë që së bashku me 3 kolegë të tjerë po vendosnin minat. Fatmirësisht 3 të tjerët kanë shpëtuar. Nuk dihen saktësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje, por ekspertët e hetimit sekuestruan dokumentacionin e firmës shfrytëzuese dhe po hetojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.