Ambientalistët protestë kundër armëve kimike siriane

48

ambientalistetAmbientalistët kanë organizuar një protestë kundër importimit të armëve kimike siriane në vendin tonë.

Shoqëria civile ka dalë sërish  në protestë te piramida në kryeqytet. Ambientalisti Sazan Guri ka bërë thirrje t’u thuhet ‘jo’ shkatërrimit në vendin tonë të armëve kimike siriane dhe pro shëndetit të brezave.

Guri është shprehur se, sjellja e armëve kimike në Shqipëri e pengon Kushtetuta e vendit, ndërsa shtoi se shoqëria duhet që të reagohet fuqimisht për të ndaluar shkatërrimin e tyre në vend.

“Është shkelur neni 56 i Kushtetutës së vendit për informimin publik dhe neni 59 që nuk ruhet siguria shëndetësore dhe ekologjike e vendit. Shqipërisë do ti dalin 200 milionë euro mangët në buxhet duke dhënë para për të shkatërruar këto armë kimike.  Kjo marrëveshje thyen edhe marrëveshja e Këshillit të Sigurimit për transportimin e lëndëve të rrezikshme. Ne duhet të mblidhemi dhe ti themi qeverisë që Kushtetuta shqiptare e ndalon sjelljen e armëve kimike në Shqipëri”, tha Guri.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile Goxhaj u shpreh se protesta kundër armëve kimike në Shqipëri do të vazhdojë ditë e natë. “Duhet t’i themi jo importit të armëve kimike. Shqipëria është e shqiptarëve, jo e helmeve”,- deklaroi Goxhaj.

Një tjetër përfaqësuese e shoqërisë civile Elsa Ballauri u ka bërë thirrje të rinjve të ngrihen kundër importit të armëve kimike dhe të mos kenë frikë.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave në këtë takim do të trajtoi çështjen e importit të armëve kimike nga Siria dhe rrezikun që paraqet ky veprim për Shqipërinë.

Më pas, ambientalistët protestuan para kryeministrisë, ku kërkuan nga qeveria që të kundërshtojë propozimet që vijnë  për shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri. Sipas ambientalistëve, kryesore për qeverinë duhet të jetë shëndeti dhe e ardhmja e qytetarëve shqiptarë.