Creighton takohet me Dacic: Diskutohet aderimi i Serbisë në BE

59

Serbia-65316PostMinistrja e Punëve Europiane, Lucinda Creighton, është takuar me Kryeministrin serb Ivica Dacic, në Beograd. Takimi ishte një mundësi për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes së prillit, mbi dialogun Beograd- Prishtinë.

Ministri Creighton deklaroi, se takimi me Kryeministrin serb, ishte shumë konstruktiv dhe se Irlanda është një mbështetëse e fortë e zgjerimit në BE. Ajo theksoi gjithashtu, se një nga prioritetet e Presidencës irlandeze, është arritja e progresit për të gjithë vendet kandidate dhe ato potenciale kandidate.

Irlanda ka mirëpritur Marrëveshjen e arritur më 19 prill, mbi normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Implementimi i kësaj Marrëveshje, theksoi Creighton, është ajo çka kërkohet në këto momente, duke konfirmuar optimizmin për angazhimin, që kanë shfaqur qeveria dhe kryeministri serb.

Ne e dimë nga eksperienca jonë, se ndonjëherë është e nevojshme ndërmarrja e risqeve për paqe, por ne dimë gjithashtu, se shpërblimi në fund ia vlen për këto përpjekje. Shpresoj, se e njëjta gjë, do të jetë realitet për Serbinë. Presidenca irlandeze do të bëjë ç’është e mundur për të fiksuar një datë për hapjen e negociatave të aderimit në takimin e qershorit të Këshillit Europian”,- ka deklaruar Creighton.

Creighton ka deklaruar gjithashtu, se ndjehet krenare që arritja e dialogut historik Beograd- Prishtinë, u arrit nën Presidencën Irlandeze, duke theksuar se vetëm 20 vite më përpara shumica e Ballkanit ishte në luftë. Ajo vlerësoi në këtë kuadër, efektin transformues të politikave të zgjerimit në BE.

Ministrja Creighton do të takohet gjithashtu edhe me Ministrin e Mbrojtjes Aleksander Vucic, Kryetarin e Parlamentit Nebojsa Stefanovic, dhe Ministrin për Integrimin Europian, Susanna Grubjesic. Nesër pritet që Ministrja të udhëtojë në Prishtinë, për tu takuar me administratën e Kosovës.

Marrëveshja e arritur më 19 prill, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në Bruksel, hapi rrugën për avancimin e të dy vendeve drejt Bashkimit Europian. Një aplikim i shpejtë i kësaj Marrëveshje në terren, do të forconte pozitat e të dy vendeve përballë angazhimeve evropiane./im.ta/