Çamëria në protestë: Papulias je shqiptar

76

cameria protestePresidenti i Greqisë, Karolos Papulias, nis axhendën zyrtare të takimeve në Tiranë, ku sot në mëngjes është pritur me një ceremoni në Presidencë, nga kreu i shtetit Bujar Nishani.

Më pas dy presidentët kanë vijuar me bisedimet dypalëshe, ku kanë marrë pjesë delegacionet përkatëse të kryesuar prej tyre.

Në përfundim të takimeve, Presidenti Nishani dhe Presidenti Papulias do të japin një konferencë të përbashkët shtypi.

Më pas Nishani dhe homologu i tij Papulias do të jenë të pranishëm si dhe do të përshëndesin tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet në hotel “Rogner”, në 4 nëntor 2013.

Ndërkaq sipas njoftimit të Presidencës greke të martën, Papulias do të zhvendoset në Gjirokastër, ku do të vizitojë zonat ku jeton minoriteti grek në Shqipëri.

Shoqata “Çamëria” në protestë

Ndërsa presidenti grek Karolos Papoulias ka nisur takimet e tij me personalitetet shqiptare, Shoqata “Çamëria” protestoi paqësisht në orën 10:00 përpara Piramides. Në fillim u caktua si vend tubimi zona para Pallatit të Kongreseve dhe ajo para Presidencës, por policia ndryshoi destinacionin e tubimit të çamëve.

Shoqata “Çamëria”  i kërkuar presidentit grek Karolos Papulias dhe institucioneve greke se problemi çam ekziston dhe se koha nuk pret më për zgjidhjen e tij.

Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana kërkoi të mbajë fjalën për t`i dhënë zgjidhje çështjes çame.

“Afro 20 vjet më parë, në vitin 1994, në cilësinë e ministrit të Jashtëm, zoti Karolos Papulias i kishte thënë homologut të vet zotit Alfred Serreqi, se çështja çame nuk mund të zgjidhej atëherë, kur plagët ishin ende të hapura dhe se do duhej të kalonin 20 vjet, që ajo të përballohej qetësisht. Tani është koha që presidenti grek të mbajë fjalën” tha ai.

Në njëjtën linjë ka mbajtur edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Ndërsa i ka bëre thirrje presidentit grek Papulias, të luajë rolin e pajtuesve mes dy vendeve dhe dy kombeve, Idrizi kërkoi edhe nga autoritetet shqiptare të mos shkelin dinjitetin e shqiptarëve.

“Si mund të pranosh këtë detyrë, kur bashkëmoshatarët e t’u çam që nuk hoqën dorë nga kombësia, sot dergjen pa varre, nuk ka për ta as monumente, as varre, as kujtesë kolektive të shtetit grek. Keni rastin historik tu bëni shërbimin më të madh dy kombeve që u përkisni, zgjidhje çështjes çame dhe heqjen e ligjit të luftës”, iu drejtua Idrizi presidentit grek.

Idrizi theksoi se Papulias duhet të rikujtojë fëmijërinë e tij, pasi nuk është evropiane të mohohet gjenocidi, feja, pasuria dhe nderi i bashkëkombësve.

“Autoritete tona të kanë ftuar si mik dhe ju duhet të mbani vendin e mikut, shqiptari është dalluar për mikpritjen, por ne nuk pranojmë dot një mik që na tregon se ku e kemi vendin në shtëpinë tonë. Nga ne nuk të gjen gjë, zoti ju mëshiron dhe ju falë mëkatet që keni bërë ndaj një populli të tërë, ne jemi gjallë e do të jemi brez pas brezi për të kërkuar të drejtat tona”, tha Idrizi.

Idrizi i ka bërë thirrje edhe autoriteteve shqiptare, presidentit, kryeministrit, liderit të opozitës,kreut të Parlamentit të mos nëpërkëmbin dinjitetin e shqiptarëve. “Ne ndoshta nuk u japim shqiptarëve jetesë me të mirë, por e keni për detyrim t’u jepni dinjitet dhe dinjitetin mos ua shkelni, rroftë Çamëria, rroftë Shqipëria”, shtoi Idrizi

Shoqata “Çamëria” fton shqiptarët në protestë

Në një deklaratë për shtyp dje, kryetari i Shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana ftoi të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në mbështetje të çështje çame: Në emër të miqësisë së qëndrueshme midis dy kombeve, Shoqata “Çamëria” i kërkon presidentit grek, zgjedhje përfundimtare të këtyre problemeve. Ne i kërkojmë presidentit grek të rreshtohet me atë pjesë përparimtare të qarqeve akademike, të shoqërisë civile greke që e pranon fajin e vendit të vet ndaj komunitetit çam dhe kërkon pagimin e këtij borxhi që gjendet në sirtarët e historisë. Në emër të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve, Greqia duhet të abrogojë të gjitha ato ligje që bien ndesh me të, në veçanti Ligjin e Luftës. Në kuadër të zbatimit të detyrimeve greke ndaj këtij Traktati duhet të njihen detyrimet ndaj popullsisë çame dhe shqiptare në përgjithësi, sa i takon pranimit të fajit për gjenocidin, njohjes së të drejtave themelore të njeriut, ku përfshihet e drejta për restaurimin e shtetësisë, të drejtat pronësore, ato kulturore, gjuhësore, etj. Në veçanti, meqenëse Greqia vazhdon të insistojë për ngritje varrezash të tjera ushtarësh grekë në Shqipëri, diçka që provokon kujtesën tonë kombëtare, ne i kërkojmë zotit Papoulias të pranojë ngritjen në Greqi të varrezave të komunitetit çam, dhe të monumenteve që përkujtojnë dëshmorët tanë në luftën antifashiste dhe viktimat e pafajshme të një faqeje të turpshme të historisë së vendit fqinj”.

Shoqata “Çamëria”, vlerëson qëndrimet e fundit të shtetit shqiptar, dhe thekson se politika shqiptare duke kërkuar respektimin e parimit të reciprocitetit, do të përmbushë detyrimet e saj kushtetuese dhe kombëtare për çuarjen përpara të çështjes çame”.

Policia e Tiranës ndryshoi vendin e tubimit të Shoqatës “Çamëria” pas kërkesës së bërë nga ambasada greke. Sipas policisë ambasada greke kërkoi ndryshim vendi për arsye sigurie.

Shoqata ‘Çamëria’ kërkoi që tubimi të mbahej para Presidencës, por pas kërkesës nga ambasada greke për ndryshimin e vendit ky tubim do të mbahet para Piramidës në orën 10:00. Lajmi konfirmohet nga deputeti i PDIU, Tahir Muhedini.

Policia bën me dije se ka miratuar lejen për tubim para Piramidës.