Burri mbyt me këllëfin e jastëkut bashkëshorten

17

policiaKrimi në familje shënon viktimën e radhës. Një burrë ka vrarë bashkëshorten e tij gjatë orëve të para të mëngjesit në banesë, në zonën e Saukut të Vjetër në Tiranë. Policia bën të ditur se autori i ngjarjes është Fehmi Brahja, 49 vjeç, i cili ka vrarë, duke e mbytur me këllëf jastëku gruan e tij Refije Brahja, me profesion mësuese. Krimi ka ndodhur rreth orës 01:00- 02:00. Sipas informacioneve të para, mësohet se krimi i rëndë ka ndodhur pas një zënke mes çiftit, pasi burri ishte kthyer në gjendje të dehur në shtëpi. Policia ka bërë të ditur se 49-vjeçari, e ka lidhur më parë në qafë me këllëfin e jastëkut dhe më pas e ka shtrënguar, deri sa gruaja 45-vjeçare ka gjetur vdekjen.

Bashkëshorti vrasës, pasi ka kryer krimin është larguar nga banesa. Policia është njoftuar nga familjarët e çiftit në lidhje me ngjarjen e rëndë. Mësohet se çifti ka dhe 3 fëmijë të moshave 21,20 dhe 15 vjeç, por në momentin e ngjarjes nuk kanë qenë dëshmitarë. Sot në mëngjes rreth orës 08:00 Fehmi Brahja është dorëzuar në polici dhe po merret në pyetje në lidhje me krimin e kryer.

Ndërkohë familjarët e 49-vjeçarit Fehim Brahaj deklarojnë se viktima vuante nga probleme kardiake dhe se mund ti ketë pushuar zemra gjatë konfliktit me bashkëshortin. Forca të policisë së kryeqytetit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.