Button: Vetëm Alonso mund t’i bëjë ballë Vettel

42

buttonVetëm Fernando Alonso mund t’i bëjë ballë hegjemonisë absolute që ka vendosur Sebastian Vettel dhe Red Bulli në këtë sezon të Formulës 1.

Të paktën ky është mendimi i një tjetër piloti dhe kampioni të botës, si Jenson Button. Në një intervistë për “The Guardian”, piloti i McLaren deklaroi: “Mendoj se Alonso mund të jetë i vetmi që mund të sfidojë Vettel. Ai duket i kënaqur nga makina e tij për momentin dhe Ferrari është duke bërë një progres të rëndësishëm për momentin”.

Sipas Button, për herë të parë në këtë sezon, Ferrari do të niset me një avantazh në pistën e Monzës. “Mendoj se do të kenë shanse të mira për të fituar në këtë pistë. Për momentin janë me të vërtetë të shpejtë dhe mendoj që në këtë sezon mund të bëjnë me të vërtetë gjëra të mëdha. Për mendimin tim, Botërori nuk ka përfunduar”, shtoi kampioni i botës i vitit 2009.

E ndërsa Button beson që kampionati nuk ka përfunduar, uebsajti i specializuar “Autosport” shkruante të mërkurën se ka shumë gjasa që Button të jetë zëvendësuesi i Felipe Massas, në timonin e Ferrarit gjatë sezonit të ardhshëm.