Bushati në Katar: Së shpejti përcaktimi i axhendës së bashkëpunimit dypalësh

64

bushati ne katarNë kuadër të vizitës që po zhvillon në Shtetin e Katarit, Ministri Bushati u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i vendit, Sheiku Abdullah bin Nasser bin Khalifa Al Thani.

Ministri Bushati vlerësoi nivelin e marrëdhënieve me Shtetin e Katarit dhe theksoi rëndësinë që Qeveria shqiptare i kushton intensifikimit te mëtejshëm te kontakteve politike dhe ekonomike me Dohan.

Duke iu referuar frymës konstruktive në të cilën zhvillohen marrëdhëniet Shqipëri-Katar, Ministri Bushati nënvizoi, si një moment të rëndësishëm në historikun e tyre, vizitën e Emirit të Katarit në Tiranë në vitin 2011 dhe njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Katari.

Kryeministri i Katarit, Sheiku Abdullah, shprehu kënaqësinë për nivelin aktual të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar se vizita e Kryeministrit Rama në Doha, në të ardhmen e afërt, do të përcaktojë axhendën e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Katarit, si dhe shprehu mbështetjen për organizimin e forumit të përbashkët të dhomave të tregtisë së dy vendeve.

Vizita zyrtare e Ministrit Bushati në Doha u mbyll me një takimin në Mexhlis Al Shura, me Kryetarin e Këshillit Konsultativ të Katarit, Mohamed bin Mubarak Al Khulaifi.

Ministri Bushati theksoi rolin që luan diplomacia parlamentare në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, ku u evidentua roli kryesor që luan intensifikimi i kontakteve të drejtpërdrejta mes grupeve parlamentare të miqësisë në parlamentet përkatëse.

Kryetari Këshillit Konsultativ të Katarit, Mohamed bin Mubarak Al Khulaifi, u ndal në nevojën e shfrytëzimit të potencialit që ofron bashkëpunimi ndër parlamentar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Katar.