Britania kundër lëvizjes së lirë, rrezik emigracioni masiv

47

BEBritania dëshiron të ndryshojë rregullat për lëvizjen e lirë të qytetarëve nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Sekretarja e Punëve të Brendshme, Theresa May do t’ua kërkojë këtë gjë ministrave evropianë, në një takim që do të zhvillohet gjatë së enjtes në Bruksel. Zonja May do të flasë para heqjes së barrierave të lëvizjes për bullgarët dhe rumunët, me argumentin se aksesi i lirë tek tregjet e punës nuk duhet të lejohet të kthehet në “emigracion masiv”.

Gjithsesi, disa vende kanë shprehur që përpara mbledhjes zotimin për të mbrojtur atë që e cilësojnë një parim themelor të Bashkimit Evropian.

Ministrat e Drejtësisë dhe ata të Punëve të Brendshme të vendeve anëtare të Unionit do të mblidhen më vonë në Bruksel. Zonja May argumenton se problemet e shkaktuara nga lëvizja e lirë duhet të zgjidhen dhe rregullat të ndryshohen.

Në një deklaratë ajo shtroi pyetjen, përse qeveritë kombëtare nuk duhet të vendosin një kufi për numrat nëse emigracioni arrin pikun. May tha se ka në plan që t’i bëjë të qartë Brukselit se rregullat duhet të ndryshojnë.

“Së pari, para se të nënshkruajmë marrëveshjet e ardhshme ne duhet të jemi në gjendje të ulim fluksin drejt tregjeve të punës derisa të sigurohemi që ato nuk do të sjellin emigracion masiv”, tha May.

“Së dyti, duke parë përpara, ne duhet të kapim mundësinë e ofruar nga plani i kryeministrit për të reformuar BE-në dhe për të adresuar problemet e shkaktuara nga lëvizja e lirë”, vijoi ajo.

Zyrtarja britanike shtoi se, është e drejtë që qeveritë kombëtare të vendeve të BE-së të reformojnë funksionimin e rregullave të lëvizjes së lirë.