Brezi ynë i përjetimeve të mëdha

87

Nga ROLAND QAFOKU

*Botuar në gazetën “Fjala”

Ata që kanë lindur në vitet ‘60-‘70 mund të quhen brezi i përjetimeve më të çuditshme në historinë e Shqipërisë moderne. Një brez që ka kaluar në vetëm gjysmë shekulli ato që breza të tërë i kanë përjetuar për disa shekuj me radhë, aq sa duket sikur Zoti e ka vënë në sprova aq të forta, sa nuk krahasohet me askënd tjetër. Një brez që ka parë, dëgjuar dhe përjetuar në afro pesë dekada ngjarje, histori të mira dhe të këqija, e deri fenomene apokaliptike, që gati nuk i rrok as imagjinata më e shfrenuar.

Në fakt, mendohej se brezi i etiketuar i fateve të mëdha ishin ata shqiptarë që kishin përjetuar Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Quheshin me fat të keq se jeta e tyre kishte kaluar në mes të dy luftërave më të mëdha të rruzullit me pasoja katastrofike, e para 20 milionë të vrarë dhe e dyta 50 milionë të vrarë, por edhe një botë të shkatërruar nga përdorimi i armëve luftarake.

Kemi lindur në vitet ’60-’70 dhe kur u rritëm mësuan se në vitin 1967 në Shqipëri u prishën kishat dhe xhamitë, u ndalua besimi fetar duke u bërë zyrtarisht shteti i parë ateist në botë. Atëherë duhet të thoshim se më keq se kaq nuk mund të kishte. Por, duhet të shtonim: prit se ka më akoma! Në vitet ‘70 shteti shqiptar komunist ndërpreu marrëdhëniet me Kinën po komuniste dhe ky ishte fundi i një ndihme që do të sillte rrënimin total të ekonomisë.

Atëherë duhet të thoshim se më keq se kaq nuk mund të kishte më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Më 15 prill 1979 brezi ynë përjetoi tërmetin apokaliptik në veri të vendit, nga i cili humbën jetën dhjetëra persona, u shkatërruan mijëra banesa dhe ngordhën pa fund kafshë të fermave blegtorale. Atëherë nisëm të thoshim se më keq se kaq nuk mund të kishte më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma!

Brezi ynë përjetoi vitet ’80, ndoshta më të varfrat që mund të ketë kaluar kombi shqiptar,  kur për të ushqyer popullin gjalpi vinte nga Gjermania Lindore, pula nga Hungaria dhe margarina e dalë nga nafta zëvendësoi bulmetin shqiptar që mungonte nga çmenduria e kolektivizimit dhe vendimit idiot që shqiptarëve u ndalohej të mbanin dele, dhi, e deri pula. Atëherë nisëm të thoshim se më keq se kaq nuk mund të kishte më. Por ishim gabuar: prit, se ka më akoma!

Brezi ynë kaloi vdekjen e dikatorit Enver Hoxha më 11 prill 1985. Sigurisht që shumë pak e kuptonin se çfarë kishte ikur nga kjo botë dhe se ai do të mbahej mend si diktatori më i egër në Lindjen Komuniste, por brezi ynë derdhi edhe lot për të dhe sot këtij brezi i vjen turp ta kujtojë këtë çmenduri ‘alla koeranoveriore’. Atë kohë duhet të thoshim se kishte edhe gjëra të mira në jetë. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma!

Brezi ynë përjetoi në dhjetor 1990 ngjarjen më të madhe, më të mirën dhe më të gëzuar në historinë moderne të kombit, atë të rrëzimit të komunizmit dhe zëvendësimin me një sistem demokratik që kulmoi me rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991.

Atëherë duhet të thoshim se kishte edhe gjëra të mira në jetë. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi valën më të madhe të emigracionit që pas periudhës së Skënderbeut. Rreth 1 milion shqiptarë u larguan nga vendi në periudhën 1990 – 1994, duke bërë që Shqipërisë t’i mungojë 1 e treta e banorëve të vet. Atëherë duhet të thoshim se kishte edhe gjëra të mira në jetë.

Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi kalimin nga në sistem komunist diktatorial në një sistem demokratik me shumë dhimbje. Brezi ynë është dëshmitar që qindra uzina, fabrika, kombinate, objekte e deri furra buke u shkatërruan bashkë me rrëzimin e një sistemi dhe ndërtimin e një tjetri dhe idenë e çekut të bardhë që e dëgjuam, e imagjinuam, por kurrë nuk e pamë.

U rritëm dhe thoshim të bindur se më keq se kaq nuk mund të ketë më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi bërjen publike të të dhënave se në 46 vjet diktaturë komuniste 1 në 4 shqiptarë kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, armës së fshehtë politike të asaj diktature që jo vetëm u shkatërroi jetën 100 mijë shqiptarëve, por mbolli farën e ndyrë se duke spinuar shokun, komshinë, vëllanë, babain, motrën mund të ishte i preferuari i regjimit.

Por kjo shkatërroi vlerat e një shoqërie dhe tjetërsoi formatin social të shqiptarit nga e cila vuan edhe sot. Të gjithë thamë se më keq nuk mund të ketë më. Por, ishim gabuar: prit se ma më akoma! Brezi ynë përjetoi demokracinë lehonë që për pak sa nuk na çoi në diktaturë në vitet 1995 – 1997, aq sa nga goja e brezit tonë doli shprehja trishtuese “ishim më mirë, kur ishim më keq”. Të gjithë thamë se më keq nuk mund të ketë më. Por, ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi në mars të vitit 1997 atë që nuk nuk kishte ndodhur as në Shqipëri e as në të gjithë botën.

Shteti ra si një pirg rëre. U sulmuan dhe u grabitën depot dhe rezervat e shtetit, depot me armatimin e ushtrisë dhe çdo gjë u shkatërrua, gjithçka si reagim ndaj rënies së skemave piramidale. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më. Por, ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi vrasjen e ish-kryetarit të parë të PD-së, Azem Hajdari, dhe dy ditë më vonë kryengritjen e armatosur në Tiranë, kur turma njerëzish me armë e tanke sulmuan dhe i vunë zjarrin Kryeministrisë dhe të gjitha godinave të ministrive dhe institucioneve më të rëndësishme qeveriatre në qendër të kryeqytetit. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më.

Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi gjenocidin serb në Kosovë në janar-mars 1999, ku 1 milion kosovarë u shpërngulën më dhunë nga trojet, duke ardhur në Shqipëri. Ky cilësohet si gjenocidi më i madh në botë, pas atij të hebrenjve nga Hitleri në Luftën e Dytë Botërore. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma!

Brezi ynë përjetoi ngjarjen më të madhe, më të mirë dhe më të gëzuar të kombit shqiptar,  çlirimin e Kosovës nga sulmet e NATO-s në Serbi më 1999 dhe largimin e Serbisë nga toka kosovare. Por përjetuam edhe sulmet serbe në tokën tonë në veri të vendit. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në një aleancë që në vitet kur kemi lindur e quanim armikun numër një në botë.

Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës më 1960, por më 1968 doli prej atij traktati dhe bashkë me NATO-n për Shqipërinë ishin dy aleanca armike. Thamë se kishte edhe gjëra të mira në jetë. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma! Brezi ynë përjetoi dhe mori pjesë në luftën çlirimtare në Kosovë po në vitin 1999, që është epopeja më e lavdishme e kombit shqiptar dhe që u shkrua me gjakun e bijve më të mirë që ishin me qindra e deri mijëra që dhanë jetën. Thamë se kishte edhe gjëra të mira në jetë, por ishim gabuar: prit se ka më akoma!

Brezi ynë përjetoi dhe dy ngjarje po aq të mëdha për kombin, shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës, më 17 shkurt 2008 dhe përsëri thamë se për brezin tonë ndodhin edhe gjëra të mira në jetë. Ishte nga ato gëzime me të cilin ne shqiptarët nuk ishim mësuar kurrë. Brezi ynë jeton në vitet që jeton shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.

Aq e rëndësishme ishte kjo sa shumë persona shkruajnë ende se për ne do të shkruhet se jemi brezi që jetoi në epokën e Kadaresë, i vlerësuar si shkrimtari më i mirë në botë që është gjallë. Dhe kjo e mirë është si qershia në tortën e të mirave që i kanë ndodhur brezit tonë. Brezi ynë përjetoi tërmetin e shtatorit dhe 26 nëntorit 2019, që shkaktoi 51 vitkima, 3 mijë të plagosur, por atë ditë dhe për javë të tëra shkaktoi ankth, frikë, dhe la pasoja në mijëra të pastrehë dhe rrënoi ekonominë. Të gjithë thamë më keq se kjo nuk mund të ketë më. Por ishim gabuar: prit se ka më akoma!

Brezi ynë përjetoi atë që kurrë Shqipëria dhe bota nuk e kishte përjetuar. Pandemia e virusit COVID-19 solli në të gjithë botën vdekjen e rreth gjysmë milioni njerëzve dhe 5 milionë të prekur, por edhe që 7 miliardë banorë të botës të mbylleshin për rreth tre muaj, duke shënuar një fenomen që kurrë s’ka ndodhur që nga krijimi i planetit. Ndonëse në shifra të ulëta, Shqipëria pati 31 të vdekur, 989 të prekur dhe një ekonomi të rrënuar. A është ky përjetimi i fundit? Këtë nuk e dimë. Dimë se çfarëdo që të ndodhë, jeta jonë është e mbushur me aq shumë ngjarje e pëjetime, sa tani asgjë nuk na bën më përshtypje. Vetë ne, por edhe brezat që do të vijnë do të na quajnë jo thjesht brezi që lindi në vitet ‘60-’70, por brezi i përjetimeve të mëdha. Jemi vërtet për studim.