Nga Andi Bushati
Nëse ka një epitet që i shkon më shumë trajektores ende të pambaruar të Shqipërisë në këtë europian, ai është një ankth i tejzgjatur.
Ankth deri në fund në Lens me Zvicrën, sepse topi nuk donte të hynte, me gjithë rastet e mrekullueshme të Sadikut dhe Gashit.
Ankth deri në fund, në Marsejë, kundër Francës, duke shtrënguar dhëmbët dhe duke pritur minutën e ’90 që edhe sërisht rezultoi njësoj fatale.
Ankth deri në fund këtë të dilelë, në Lion, për të ruajtur rezultatin dhe për të mos shijuar mallkimin e zakonshëm të çasteve shtesë.
Dhe tani një ankth edhe më i madh: të presim deri të martën dhe të mërkurën ndeshjet direkte të skuadrave të tjera, për të parë nëse do të vazhdojmë garën për më tej apo jo.
Kushdo që i ka ndjekur ndeshjet e kombëtares, tifoz ose më pak i tillë, kushdo që ka pasur mundësinë për të udhëtuar drejt stadiumeve të Francës, kushdo që ka vërshuar drejt ekraneve gjigande në qëndrat e qyteteve, për tu bërë njësh me ngjyrat kuq e zi, ka provuar këtë ndjenjë torturuese.
Ajo u bë edhe më e fortë pas dy humbjeve të para.
Tifozët e të kuqve, me një traditë të trashëguar dështimesh të njëpasnjëshme, që i ka edukuar me mosbesim dhe inferioritet, i bashkuan kësaj ndjenje torturuese edhe fatalitetin e përhershëm e atij që ka sigurinë se nuk fiton në fund.
Kështu, ditët para Rumanisë, si kundërpeshë e mospërballimit të këtij ankthi të bashkuar edhe me komplekst e trashëguara nga e kaluara, ne vumë në funksionin disa klishte të turpshme që i përdorim shpesh për vetëmbrojtje.
Ngaqë nuk donim të riprovonim si gjithnjë shijen e hidhur të disfatës, filluam të krijojmë me shpejtësi mitin e ekipit të mirë, por që nuk i ecën fati.
Ngaqë nuk pranonim dot një zhgënjim të ri, rinxorëm nga arkivat slloganin se: “paraqitja dinjitoze është po aq e rëndësishme se rezultati”.
Ngaqë na trembte makthi i zakonshëm i 0 pikëve, shpikëm aty për aty kampionatin e tifozerive më të zgjedhura, për të demostruar se së paku diku kishim qenë të dalluar. Madje e ekzagjeruam deri në atë gradë sa e botuam gjithandej titullin e një gazete lokale franceze që i ftonte sportëdashësit shqiptarë të riktheheshin sërish në vendin e galëve.
Ngaqë na torturonte mallkimi i përhershëm i vendit të fundit, i kthyem në hit në mediat tona ato vajzat me dekolte të ekzagjeruara vetëm e vetëm për ti mbushur mendjen vetes se kemi gjithësesi diçka të veçantë.
Kështu, në pak ditë, dëshirën për fitore e konvertuam me klishenë e shqiptarit model për perendimorët; obligimin për rezultate që nënkupton çdo kampionat i tillë, ia nënshtruam kronikës rozë të europianit; nevojën për pikë e zëvendësuam me të qenit simpatikë.
Për ditë e më shumë po dëgjoheshin slloganet se, në këtë kampionat, bota po ndryshonte mendimin për shqiptarët, se ne nuk shiheshim më vetëm si vendi i kriminelëve, por edhe si ai i familjeve të tëra që këndonin hareshëm në stadium; se ne nuk shiheshim më si atdheu i trafikantëve, por edhe si ai i vajzave joshëse; se ne nuk shiheshim më me imazhin që na kishin lënë refugjatët që kacavirreshin nëpër litarë anijesh, por edhe ai ku një shtresë e mesme dhe e pasur i lejon vetes luksin për të paguar bileta 150 euroshe për një ndeshje.
Të gjitha këto mund të jenë ose jo të vërteta.
Por në fakt ato nuk kishin asnjë lidhje direkte me faktin se përse Shqipëria ndodhej në këtë europian.
Prezenca e futbollistëve të kuq aty nuk ishte për të luajtur rolin e një vitrine, por mbi të gjitha për të marrë pjesë në një garë e cila të detyronte të shkoje më tej.
Të gjitha fabulat dhe mitet që krijuam me shpejtësi ishin vetëm për të mos u përballur me këtë detyrim. Të gjitha legjendat që krijuam ishin vetëm për mos përjetuar sërisht të shkuarën plot disfata të njëpasnjëshme.
Por, fatmirësisht për ne kishte një grup që mendonte ndryshe.
Megjithëse së fundi ka marrë një pasaportë shqiptare, Gianni de Biassi mbetet një italian. Pjesa më e madhe e 23 futbollistëve të kësaj skuadre, as nuk janë rritur as nuk janë edukuar në Shqipëri. Vetëm dy prej tyre (portieret rezervë) luajnë sot në kampionatin shqiptar.
Pra ky ekip nuk është i mbrujtur me ndjenjën e inferioritetit dhe frikën e disfatës që i ka shoqëruar tifozët e tij në dekada. Ata janë të edukuar në perëndim, as nuk i njohin e as nuk i kanë përjetuar humbjet e dikurshme të kombëtares, as nuk janë infektuar nga fikërat e pararardhësve të tyre.
Në të kundërt ata janë brumosur me parimet bazë të atletëve modern, për të arritur tek suksesi me çdo kusht.
Ndaj atëhere kur ne filluam të thurrnim legjenda që na bënin të ndiheshim mirë, ata vazhdonin të besonin tek fitorja si tek e vetmja gjë që i nxirrte të nderuar nga fusha.
Atë e kërkuan dhe e arritën në Lion.
Me bindje, me forcë dhe pa kompleksin më të vogël të frikës.
Pikërisht për këtë duhet tu themi faleminderit.
Sepse këtë të dielë ata bënë një hap të madh për të na vrarë ankthin e humbësit të përhershëm.
Sa për ankthin tejetër, atë të çdo gare, të çdo shorti, atë të pritjes me durim të kundërshtarëve, ai do të vazhdojë.
Le të shpresojmë sa më gjatë. (Lapsi.al)
Ankthi që vramë në Lion…
Pasi këndoi “Kuqezi” legjenda e Arsenalit pozon me qeleshe
Legjenda e gjallë e Arsenalit Ian Wright, pasi këndoi “Kuqezi” live në studion angleze, shfaqet sërish në një pozë këtë herë me qeleshe me shqiponjë, duke treguar edhe njëherë lidhjen e fortë që ka me shqiptarët.
Për lotët e fëmijëve në Marsejë!
Blendi Fevziu
I pashë të qanin në dyert e daljes së Velodromit në Marsejë! Veshur me fanelën e ekipit kombëtar dhe me fytyrën pikturuar kuq e zi. Shumica mbanin në duar flamuj dhe shalle dhe përsërisnin me zërin fëmijënor thirrjet e më të rriturve: o sa mirë me qenë shqiptar, oe oe! Vinin nga gjithë viset e botës ku jetojnë e po kaq nga Shqipëria. Qanin me lot të vërtetë, të sinqertë dhe pyesnin prindërit e tyre se përse nuk kemi fat, përse humbim gjithnjë dhe humbim në fund. Ndër gjithë dhimbjet, ajo e fëmijëve është me e trishtuara. Ata e përjetojnë më fort dhe më me sinqeritet. Ndaj doja të shkruaja diçka për ta. Duke e krahasuar fëmijërinë e tyre me timen dhe të përbashkëtën që kemi me futbollin dhe ekipin kombëtar. Shpresoj që prindërit mund t’ju kujtojnë diçka nga kjo histori.
Kur isha fëmijë futbolli ishte gjithçka. Ai ishte gëzimi dhe hidhërimi ynë. Kur isha fëmijë ekipi ynë kombëtar luante aq rrallë. Një 10 vjet rresht nuk bëri asnjë ndeshje ndërkombëtare. Qeveria vendosi që ai mos merrte pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar se rrihej me shumë gola. Një ditë e ktheu vendimin e saj. Isha fare i vogël. Atëherë në katër – pesë vitet e shkollës fillote bëri disa ndeshje. Mbase një në vit. Më kujtohet fare mirë ajo kohë.
Kur isha fëmijë, në pesë vjet nuk fituam asnjë ndeshje. U mundëm 8 me 0 me Gjermaninë; 5 me 0 me Austrinë, u mundëm me Finlandën e Bullgarinë. Kur luanim këtu, shpresa e vetme ishte të mos pësonim shumë gola. Humbja 1 apo 2 me 0 ishte lumturi për ne. Jetonim gjatë me atë ndeshje dhe nuk e dinim kur vinte tjetra.
Kur luanin jashtë, rezultati na vinte edhe me 48 orë vonesë. Kur Gjermania na mundi 8 me 0 për ditë me rradhe nuk u dha asnjë njoftim. Pastaj gazeta Sporti Popullor, botoi një artikull kritik. Pa dhënë as rezultatin. Atëherë për Shqipërinë flitej rrallë dhe asnjëherë seriozisht.
Kur isha fëmijë nuk gjeja dot kurrë biletë për në stadium. Ata që vinin në shkallëyt e tij nuk kishin kurrë një fanelë kuq e zi. Nuk ekzistonte një e tillë; nuk kishte parrulla, as flamuj, as fytyra të lyera me bojë. Të gjitha këto ishin shfaqje të huaja dhe biletat shpesh ju jepeshin atyre që ishin të zot në punë dhe kishin raporte të mira politike edhe nëse nuk kishin parë kurrë një ndeshje në jetë.
Kur isha fëmijë, nuk na jepnin thuajse kurrë ndonjë ndeshje nga jashtë. E para ishte në 1983 me Gjermaninë. Hera e parë që u ndjeva krenar. Sepse humbëm vetëm 2 me 1. Dhe për atë ndeshje folëm gjatë. Por në stadium nuk kishte asnjë tifoz shqiptar. Shqiptarët nuk lejoheshin të udhëtonin jashtë. Dhe as mund të blinin një biletë me të ardhurat e tyre. Më vonën, nuk kishin viza që të ndiqnin ekipin kombëtar, ndërsa dje në Marsejë ishim 15 mijë; në Lens 23 mijë.
Kur isha fëmijë, sa herë dilnin jashtë, futbollistët ktheheshin me histori për blerjet në treg dhe kontrabandën e dollarëve. Lodheshin shumë të blinin diçka nga jashtë për familjet e tyre sepse nuk i dihej nëse do kishin më tjetër mundësi të dilnin edhe një herë nga Shqipëria. Ndeshja ishte më shumë se sa një garë, një mundësi për të udhëtuar jashtë.
Fëmijëria ime ka qenë e mbushur me dhimbjen e humbjeve. Atëherë ishim gjithnjë të fundit në grup, ndërsa sot jemi në Finalet e Europianit. Jo kur isha unë fëmijë, por edhe ca vjet më parë as e mendonim që një ditë do kualifikoheshim; nuk e mendonim kurrë që në mes të Marsejës, kundër njërit prej ekipeve më të rëndësishme të botës dhe në prani të tifozëve të tij do luanim më shumë se sa të barabartë, madje dukshëm superiorë; nuk e mendonim kurrë që gjithë mediat botërore do duartrokisnin në unison ekipin kuq e zi!
Kur unë isha fëmijë, femrat thuajse nuk shkelnin në stadium. Dje në Marsejë, ca ditë më parë në Lens e kudo, shqiptaret zunë faqet e para të shtypit. Të bukura, të qeshura, të edukuara dhe padyshim mbresëlënëse ato ndryshuan imazhin që bota ka për Shqipërinë. Siç e ndryshuan tifozët e jashtëzakonshëm shqiptarë dje dhe të shtunën. Ardhur nga gjithë bota, me një entusiazëm mbresëlënës dhe një sjellje që kontrastoi me shumë ngafansët e tjerë në Europian.
Ishte një shqipëri e bukur ajo dje. Në fushë dhe jashtë fushe. Në Velodrom dhe në rrugët e Marsejës. Pak rëndësi ka humbja. Kemi humbur kaq shumë në historinë tonë sa një më tepër s’ka asnjë rëndësi. Kjo ishte një humbje e fituar. Madje fitorja jonë më e madhe. Ndaj, doja t’ju thoja atë që prindërit ju thoshin dje ndërsa ju fshinin lotët: do fitojmë ndeshjet e tjera, sepse ndryshe nga dikur, ne dimë të jemi sot fitues. Mos e humbisni kurrë besimin tek ekipi juaj kuq e zi. Sot dhe në vitet që vijnë. Ai është krenaria jua, dhe ju jeni krenaria e tij!
Lorik Cana: Nuk i kemi humbur shpresat
Kapiteni i kombëtares shqiptare Lorik Cana nuk i ka humbur shpresat për një kualifikim të mundshëm të Shqipërisë në raundin e dytë të Euro 2016.
Cana tha se lojtarët do të japin gjithçka në fushë ndaj Rumanisë të dielën për të marrë fitoren e parë historike.
“Akoma kemi gjasa për të kaluar më tej. Me Rumaninë na duhet vetëm fitorja, nëse kemi pak fat edhe me vendin e tretë do të kualifikohemi”, deklaroi Cana për Top Channel.
32-vjeçari shpreson që kuqezinjtë të jenë në mesin e 4 skuadrave më të mira të vendit të tretë nëpër grupe në mënyrë që rrugëtimi i tyre të mos mbyllet të dielën.
Berisha: Turp, testi i matematikës për maturantët qarkullon në “treg”
42 mijë maturantë do të testojnë sot njohuritë e tyre në matematikë, por njëra tezë e këtij provimi prej mbrëmjes së të enjtes po qarkullon në portalet online.
Një fakt i tillë u denoncua sot dhe nga ish-kryeministri, Sali Berisha.
“Nje turp kombetar!Horrat e shtetit nxjerrin ne treg, nje dite perpara, testin e matematikes si kurre ndonjehere ne historine e ketij shteti!”
Nuk dihet sesi teza A ka “rrjedhur” nga Komisioni që e ka përgatitur. Nëse konfirmohet vërtetësia e këtit fakti, do përbënte vërtet një skandal.
Gjosha: Të miratohet brenda qershorit reforma në drejtësi
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha tha se duhet miratohet reforma në drejtësi për të ecur përpara në rrugën e integrimit. Në fjalën e saj në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim Asociimit BE –Shqipëri, Gjosha tha se Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur dhe se reforma në drejtësi të miratohet brenda qershorit.
Klajda eshte shpreshur se Shqipëria e konsideron të rëndësisshëm Komitetin e Stabilzim Asociimit BE-Shqipëri. Ndaj të gjitha strukturat duhet të plotësojnë për plotësimin e reformës në drejtësi. Shqipëria nuk mund të humbasë më shumë kohë. Për mua kjo reformë duhet të miratohet brenda qershorit. Reforma në Drejtësi është e rëndësishme për një të ardhme më të mirë. Ajo do të tregojë që ne plotësojmë standardet e një shteti demokratik. Reforma do të na mobilizojë për të ecur përpara në implemeint e reformave të tjera. Ne respektojmë partnerët tonë ndërkombëtarë.
Në administrënt publike jemi të vendosur të përmbushim reformën në administratën e cila është me e konsoliduara. Është e rëndësishme se kjo reformë po ndryshon kulturën në vendi tonë.
Po punohet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo është një nga prioritet tona. Jemi besimplotë edhe më tej për të patur ndryshimin substanciale.Në fushën e të drejtave të njeriut janë ndërmarrë hapa për të drejtat e fëmijëve.
Opozita rikthehet në Kuvend, priten debate për reformën në drejtësi
Pas bojkotit 10-ditor, opozita rikthehet sot në sallën e parlamentit, ndërsa seanca plenare e radhës pritet të përfshihet nga debatet për reformën në drejtësi.
Zhvillimet e fundit, pas takimit të 6 qershorit Rama-Basha, pritet të dominojnë seancën e sotme. Pezullimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Cako, apo qendrimet e nderkombetareve per deshtimin e kompromisit per reformen ne drejtesi,.pritet të jenë disa nga cështjet më të nxheta të debatit në sallën e parlamentit.
Rendi zyrtar i punimeve të Kuvendit parashikon diskutimin e dy pr/ligjeve, “Për ndërmarrjet sociale” dhe pr/ligji “Për shërbimet”, si dhe të dekretit të Presidentit që ktheu për rishqyrtim në parlament ligjin “Për marrëveshjet ndërkombëtare.
Ndjesë ndaj të gjitha grave të dhunuara
Mirilda Tili
Lot. Dhimbje dhe urrejtje në të njëjtën kohë. Kjo ishte pamja që shoqëroi ditën e martë, por do të shoqërojë edhe ato pasardhëse nga videoja që tregonte si dhunohej barabarisht një femër, një nënë me dy të mitur, njërin në krahë dhe tjetrën për dore.
Asnjë nga ne nuk i shikon këto skena për herë të parë, fatkeqësisht. Të gjithë e dimë se çfarë ndodh, jo vetëm Vlorë apo në ndonjë cep të thellë të Shqipërisë ku as nuk kanë dëgjuar për “emancipimin” e gruas, por edhe këtu në kryeqytet.
Ajo nënë e dy fëmijëve, por edhe shumë viktima dhe nëna të tjera të këtij vendi, nuk kanë nevojë të dëgjojnë leksionet teorike të levizjes “feministe” të financuara nga donatorë apo sponsorizuara nga parti. Ato kanë nevojë për reagime të vërteta, sepse dhuna ndaj tyre dhe vuajtjet e tyre janë të vërteta.
Sot kur përveç lotëve dhe mallkimeve të femrave dhe të meshkujve, të rinj e të vjetër, nuk pashë të dilte askush nga zonjat e politikës, apo edhe zotërinjtë, të kërkonte falje. T’i kërkonin falje asaj nëne e cila më të rënda se dhimbjet e trupit ka dhimbjet e shpirtit. Kur mashkulli që solli në jetë fëmijët e saj e dhunoi publikisht në mes të ditës, në mes të qytetit, nuk guxoj dot të imagjinoj si mund të jete keqtrajtuar ajo brenda mureve të shtëpisë. As kam guxim të imagjinoj se çfarë ju kanë parë sytë dy fëmijëve të saj, të cilët për imazhe të jetës së “lumtur” në familje kanë dhunën ndaj nënës dhe shëprfilljen e tyre si qënie njerëzore.
Dhe ne diskutojmë a na duhen lëvizjet feministe. Jo nuk na duhen lëvizjet feministe. Nuk na duhen ca organizata që bëjnë sikur punojnë dhe marrin fonde se po shpëtojnë femrat nga dhuna, në një kohë që statistikat tregojnë rritje të rasteve të dhunës nga viti në vit. Sipas INSTAT-it në vitin 2010 janë denoncuar 1 998 raste të dhunës ndaj femrës, ndërsa në vitin 2015 janë shënuar 3 542 raste. Për sa kohë që dhuna është ulur këmbëkryq, ne nuk na duhet të kërkojmë barazi gjinore. Ne na duhet të kërojmë drejtësi natyrore: të drejtën e inidividit për të qenë i lumtur, i përkrahur, i vlerësuar dhe bashkëudhëtar.
Dhuna në familje është bërë krimi më i zakonshëm në këtë vendin tonë të vogël por që bëmat i ka të mëdha.
Mesatarisht, 8 gra në ditë, gjatë vitit 2015 kanë përjetuar dhe denoncuar dhunë në familje. Kjo është shifra e dalë nga ato gra që kanë pasur guximin të denoncojnë. Këtu kemi përjashtuar kategorinë e atyre që nuk kanë pasur guximin ta bëjnë këtë për hir të fëmiëjve, turpit, pamundësisë për të gjetur zgjidhje tjetër, të pambështetura nga familjet ku kanë dalë bija, apo edhe nga frika se ju kërcënohet jeta.
Kush duhet të merret me këto të dhëna. Kush duhet të reagojë dhe të japi kontributin e vet? Të gjithë! Kjo nuk është më çështje e lëvizjeve feministe. Kjo është çështje e familjeve, sepse të gjithë lindim dhe rritemi aty—së paku, ne jemi te gjithë fëmijë të një familjeje.
Ku janë gratë e politikës? Janë të zëna me debatin ofendues për qenien femërore për çështjet e numrave në lista? Ku janë gratë e organizatave që paguhen për të punuar mbi barazinë gjinore? Ku janë gratë e komuniteteve të besimit, pavarësisht fesë që kanë zgjedhur të ndjekin? Ku janë burrat e politikës, këta bij nënash? Po burrat e besimit, biznesit e të gjithë me rradhë?!
Sot na duhen të gjithë. Sot na duhen lëvizjet që kanë në qendër familjen. Më pak se çdo gjë sot na duhen ca organizata që ekzistojnë për të tërhequr fonde në emër të grave. Jo, na duhet ti vemë gishtin kokës dhe zemrës dorën dhe të ecim përpara. Të kuptojmë se çdo individ është i veçantë dhe nuk ka nevojë për barazi, por ka nevojë për liri dhe lumturi.
Duhet që nëndërgjegjja jonë qytetare të mos lëshojë thjesht ca mallkime kur shohim dhunë, por të kërkojmë falje që nuk bëjmë aq sa duhet që këto shprehje dhe situata të mos ndodhin kurrë.
Na duhet të edukojmë familjet sepse duhet të kuptojmë qartësisht se jo të gjithë meshkujt janë dhunues e jo të gjitha femrat janë viktima. Sot na duhet familja e shëndoshë dhe jo ca ligje që nuk i përfill askush.
exit.al
Të laj, të shplaj, të duroj, Unë s’jam jot’ëmë o burrë i tredhur
Dritan Laci
Thonë që ka një shprehje kineze: Rrihe gruan çdo ditë, se nëse nuk e ka bërë diçka, me siguri do të bëjë të nesërmen një prapësi. Në fakt i rashë pak nga Kina për të treguar se druri nuk ka dalë as nga xheneti siç thonë të moçmit tanë, as tregon dashuri siç thonë ca e ca syresh që kush të rreh të do, dhe as tregon emancipim për më shumë.
Aq më pak të qëllosh një grua. Ditën për diell. Në mes të rrugës. Duke e zhgërlaqur në mes të sheshit. Në sy të shumë burrave të tjerë që unë do ti quaja edhe më pak burra, se ai burrë që sot ngriti dorën dhe shkelmin në mes të Vlorës kundër gruas së tij.
Dhe këtu nuk është punë As vlonjati, As lushnjari, As mirditori, As jugori, As veriori.
Kjo është punë shqiptari. Atij shqiptari që gruan e shikon si pronë. Gruaja ta durojë kur s’punon. Gruaja ta durojë kur e ofendon. Gruaja ta durojë kur pi. Gruaja ta durojë kur i ngrehet për seks se një mashkull i tillë të vetmet gjë që nuk di të bëjë, është të bërit dashuri.
Dhe ja ku jemi sot në një skenë të tillë makabre.
Ku të gjithë ne u bëmë protagonistë të një video, ku një burrë i ofenduar nga që gruaja e tij e shtyu në mes të ca burrave, e zhulati në tokë si të ishte leckë që fshin dyshemenë, dhe jo bashkëshortja me të cilën ka dy fëmijë. Ku mirë a keq, halli dhe gëzimi janë për të dy.
Të një burri që nuk pati mëshirë as për ngashërimat e fëmijëve të tij.
As për lotët e kërthive të tij që jam i sigurtë që ashtu si shumë shqiptarë i ka rritur me aq mund.
Ato lot që ata fëmijë nesër një ditë ndërsa do të shikojnë sërish këtë video, me siguri nuk do ja falin.
Po sa e sa gra dhunohen në këtë formë pa dijeninë tonë.
Shumë!
Sa gra rrihen në mungesë të kamerave.
Shumë!
Sa e sa gra heshtin sepse një grua duhet të jetë dinjitoze dhe nuk duhet ta tregojë dhimbje vetëm e vetëm për sy të botës.
Sepse shoqëria jonë i tregon me gisht.
Sepse një burrë është burrë dhe si burrë që është ai ka të drejtë të bëjë gjithçka dhe gruaja të bindet sepse kështu e do zakoni.
Shumë!
A ka justifikim të dhunosh një qenie fizikisht më të dobët.
A të bën kjo më burrë se ç’nuk je?
A do ta qëlloje kështu tët’ëmë nëse ajo do të të thoshte; “merri laji vetë rrobat”
A do ta qëlloje kështu tët’motër nëse do të thoshte; “merr e gatuaj vet”
Besoj që jo. Edhe pse burra pa burrëri si ty, kanë guxuar të ngrenë dorën edhe mbi nënat dhe motrat e tyre.
E pra për të mos i rënë nga Kina. Sepse një grua nuk duhet rrahur sepse edhe në mos ka bërë dicka, diçka do e bëjë në vazhdim, thirrjen nuk e kam për burrat pa burrëri.
Por e kam për gratë shqiptare.
Për ato vajza që do bëhen gra.
Të dashura, nëna, vajza, motra që do bëheni gra. Ngrihuni në nivelin e zonjave që ju takon.
Të dashura zonja dhe zonja të ardhshme zgjidhni jo një burrë që t’ju mbushë shtratin dhe shtatin.
As një burrë që tju zerë rehati.
Zgjidhni një burrë që tju respektojë.
Zgjidhi një burrë që tju dëgjojë.
Zgjidhni një burrë që jo tju dojë, por tju dashurojë.
Dhe për ta mbyllur po zgjedh një mesazh, shkëputur nga kënga “Ain’t your Mama” (Nuk jam nëna jote) e këngëtares Jennifer Lopez.
“Unë nuk mund të bëj punët e tua të shtëpisë.
Nuk mund të gatuaj gjithë ditën.
Nuk mund të pastroj gjithmonë rrobat e tua.
Sepse unë nuk jam nëna jote”
opinion.al










