Historia e 9 kryeministrave të Kosovës, nga Hashim Thaçi te Avdullah Hoti

Nga ROLAND QAFOKU

*Artikulli është marrë nga gazeta “Fjala”

Dy shtete, dy qeveri dhe dy histori të kryeministrave. E gjithë historia e kombit shqiptar i ngjan dy kokave të shqiponjës të stampuar në flamur. Ndërsa në 108 vite të shtetit të Shqipërisë janë 33 kryeministra, në historinë e shtetit të Kosovës që nga çlirimi më 2 prill 1999 e deri më sot, pra në 21 vjet, janë 9 kryeministra. Një histori që pothuajse ngjan si pikat e ujit në të dy shtetet shqiptare. Nëse hedhim një vështrim në 21 vitet e para të shtetit  të Shqipërisë si janë pothuajse i njëjti numër kryeministrash, e njëjta mënyrë largimi dhe e njëjta mënyrë emërimi, rrëzimi dhe krizash politike. Një cilësi që nuk na është ndarë ne shqiptarëve në shtetin e Shqipërisë amë por edhe në shtetin e ri të Kosovës. Po cilët janë këta kryeministra? Sa kanë qëndruar në detyrë dhe për çfarë mbahen mend? Më poshtë po japim në formë të përmbledhur listën e tyre por edhe përgjigjet e këtyre pyetjeve

1.HASHIM THAÇI (2 prill 1999-1 shkurt 2000) (9 JANAR 2008-17 SHKURT 2008) (17 shkurt 2008-9 dhjetor 2014)

Hashim Thaçi është njëlloj Ismail Qemali në historinë e kryeministrave të Kosovës. Tre herë në detyrën e shefit te qeverisë, më shumë nuk ka rëndësi shifra por momenti kur ai ka qenë në detyrën e lartë. E deshi vetëm fati apo jo, ish-komandant  i UÇK-së ka të drejtë të mburret se është ai kryeministri i parë në Kosovën e çliruar në vitin 1999. Thaçi spikati në marrëveshjen e Rambujes në 1999 dhe si politikan është zbulim i sekretares së Shtetit të asaj kohe. Madaleine Allbright. Fati e deshi edhe më shumë kur Hashim Thaçi ishte kryeministër edhe ditën kur Kosova u shpall shtet i pavarur, më 17 shkurt 2008. Thaçi ishte kryeministër edhe nga 17 shkurti 2008 deri në 9 dhjetor 2014. Ishte firma e tij në proklamatën e atij këtij që tashmë i përket historisë. Se si u fut në histori se si u bë kryeministër dhe se si e arriti këtë, kjo pak rëndësi do ketë pas shumë vitesh. Ndonëse për disa sot nuk tingëllon mirë ndërsa për kundërshtarët është shumë e rëndë, por në një farë mënyrë Hashim Thaçin e ka thirrur historia. Është shumë herët të bëjmë vlerësime për atë që ka bërë ai për Kosovën, por faktet janë fakte dhe askush nuk mund ti kundërshtojë.

2.BAJRAM REXHEPI (4 mars 2002-3 dhjetor 2004)

Kryeministri i dytë i shtetit të Kosovës ishte mjeku Bajram Rexhepi. Si përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës ai qëndroi në detyrën e kryeministrit nga 4 marsi 2002 deri më 3 dhjetor 2004. Ndonëse me një profil jo shumë të lartë politik, Rexhepi do mbahet mend si një politikan i matur dhe që nuk shkaktoi tensione në politikë. Më parë ai kishte qenë ministër i Brendshëm dhe kryetar i Komunës së Mitrovicës, qytetit ku ai kishte lindur. Bajram Rexhepi ndërroi jetë më 21 gusht 2017.

3.RAMUSH HARADINAJ (3 DHJETOR 2004-8 MARS 2005) (9 shtator 2017-3 shkurt 2020)

Dy herë kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj do mbahet mend më shumë për tre proceset gjyqësore në Hagë se sa për punët që ka bërë si shef i qeverisë. Një komandant legjendë i UÇK dhe me disa dëshmorë në familje, Haradinaj ka qenë dhe mbetet simboli i politikanit shqiptar që luftoi me armë në dorë për çlirimin e Kosovës por që u bë edhe kryeministër. Herën e parë ai qëndroi në detyrë 100 ditë si kryeministër. Herën e dytë qëndroi kryeministër nga 9 shtatori 2019 deri më 3 shkurt 2020. Kur mendohej se nuk kishte probleme me drejtësinë dhe proceset pasi mori pafajësinë, më 5 janar 2017 ai u arrestua në Francë i kërkuar nga drejtësia serbe për krime gjatë luftës së vitit 1999 por falë presionit të drejtë ndërkombëtar ai u lirua. Ndërkohë dorëheqja e Haradinajt më 3 shkurt 2020 lidhej me kundërshtinë e tij të fortë për të hequr taksën ndaj mallrave serbe por edhe për një ide të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës për të cilën ai akuzoi Hashim Thaçin dhe Edi Ramën.

4.ADEM SALIHAJ (8 MARS 2005-25 MARS 2005)

Nënshkrues i Proklamatës së Pavarësisë, Adem Salihaj është kryeministri më jetëshkurtër në historinë e Kosovës së çliruar. Me 20 ditë në detyrë ai në fakt ka qenë kryeministër provizor pas largimit nga detyra të Rramush Haradinajt. Salihaj njihet në Kosovë si një gazetar me përvojë të gjatë në gazetën “Bota e re” dhe Radio Televizionin e Prishtinës.

5.BAJRAM KOSUMI (25 MARS 2005-10 MARS 2006)

Bajram Kosumi nuk arriti të mbushë plotësisht 1 vit ose 12 muaj në detyrën e kryeministrit të Kosovës. Ai e mori detyrën më 25 mars 2005 dhe e la atë në 10 mars 2006. Është pasardhës në detyrë i Adem Salihajt. Përfaqësues si Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Bajram Kosumi ka qenë mbështetës UÇK por jo pjesëmarrës në të.

6.AGIM ÇEKU (10 MARS 2006-9 JANAR 2008)

Ka shumë arsye që Agim Çejku të mburret në jetën dhe karrierën e vet dhe atë që ka bërë për Kosovën. Një gjeneral lufte në Kroaci dhe në Kosovë, ai u bë kryeministër më 10 mars 2006. Qëndroi në detyrë për afro 2 vjet. Përpara se të ishte kryeministër ai ishte ministër i forcës së Sigurisë së qeverisë së Kosovës. Çeku ka marrë pjesë në luftën për çlirimin e Kroacisë. Dhe në vitin 1998-1999 ai drejtoi disa reparte të UÇK-së në luftë kundër ushtrisë serbe. Edhe Agim Çeku nuk i shpëtoi strategjisë serbe për tu akuzuar për krime, gjatë luftës, madje në vitin 2009 ai u arrestua në Bullgari por këto akuza asnjëherë nuk janë provuar.

7.ISA MUSTAFA (9 dhjetor 2014-9 shtator 2017)

Pasardhësi i Ibrahim Rugovës Isa Mustafa asnjëherë nuk iu afrua stafit të tij. Profesori i universitetit të Prishtinës ka qëndruar për rreth tre vjet kryeministër nga 9 dhjetori 2014 deri në 9 shtator 2017. Ai është kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe në cilësinë kësaj detyrë u bë edhe kryeministër dhe president. Duhet theksuar se qeveria e tij ka qenë e dominuar nga një konfliktualitet dhe mungesë produktiviteti.

8.ALBIN KURTI (3 shkurt 2020-3 qershor 2020)

Kosova as ka patur dhe as nuk do të ketë një kryeministër idealist si Albin Kurti. Vetëm 4 muaj në detyrën e shefit të qeverisë Kurti as nuk shijoi karrigen e as nuk arriti të bëjë qoftë një gjë të vogël si kryeministër. Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosja” dhe një politikan që në opozitë theu shumë tabu dhe rregulla të politikës së vjetër, ai nuk arriti në detyrë të bëjë gjë. Dështoi për shkak të mbështetjes së vogël në vota në parlament, por ndoshta për tu rikthyer një ditë më i fortë. Të shohim. Edhe Fan Noli ishte idealisti pandreqshëm që kërkonte të bënte Shqipërinë, por dështoi pas 6 muajsh iku nga sytë këmbët andej nga erdhi. Nuk e dimë se Kurti është një Fan Nol i dështuar.

9.AVDULLAH HOTI (4 qershor 2020 e në vijim)

Sot Avdullah Hoti sot merr detyrën si kryeministri i 9-të në historinë e Kosovës, i urojmë thjeshtë suksese në detyrën e tij të vështirë. Të vështirë se është e qartë që është e brishtë por që edhe në këto kushte mund të arrijë të bëjë diçka të mirë për Kosovën.

LISTA E KRYEMINISTRAVE TË KOSOVËS QË NGA ÇLIRIMI E DERI MË SOT

HASHIM THAÇI (2 prill 1999-1 shkurt 2000) (9 janar 2008-17 shkurt 2008)(17 shkurt 2008-9 dhjetor 2014)

BAJRAM REXHEPI (4 mars 2002-3 dhjetor 2004)

RRAMUSH HARADINAJ (3 dhjetor 2004-8 mars 2005) (9 shtator 2017-3 shkurt 2020)

ADEM SALIAJ (8 mars 2005- 25 mars 2005)

BAJRAM KOSUMI (25 mars 2005-10 mars 2006)

AGIM ÇEKU (10 mars 2006-9 janar 2008)

ISA MUSTAFA (9 dhjetor 2014-9 shtator 2017)

ALBIN KURTI (3 shkurt 2020-3 qershor 2020)

AVDULLAH HOTI (4 qershor 2020 e në vijim)

Jahir Shehi, bëhet trajner i Durbuy në Belgjikë

Ditën e mërkurë u emërua në krye të skuadrës së Durbuy në Belgjikë shqiptari Jahir Shehi. Vendimi u prezantua në Asamblenë e Përgjithshme duke vulosur marrjen e klubit nga 50 vjeçari. Jahir Shehi do të thirret për të trainuar ekipin sezonin e ardhshëm.

Rama për Veliun: Gaboi por nuk është motiv për ta shkarkuar

Ardi Veliu ka gabuar, por nuk është motiv për ta shkarkuar.  Kryeministri Edi Rama thyen heshtjen për veprimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili gjatë raportimit në komisionin e sigurisë ne Kuvend shokoi gjithë opinionin me një veprim të paprecedentë.

Në përpjekje për të justifikuar dhunën e uniformave blu ndaj të miturit, kreu i policisë së Shtetit nxori para Komisionit një video të Zaida Çobos nënës së 15-vjeçarit, për t’u provuar deputetëve se bëhej fjalë për një familje jo normale.

Rama tha: Kam konsideratë të lartë por në këtë rast ka gabuar, por jam më i prirur ti besoj ndjesës së tij publike dhe sqarimit që ia dha sesa të gjithë moralistëve të mexhelistit të këtij vendi. Është fare e qartë që nuk ishte përpjekje për të justifikuar dhunën, pasi punonjësi I policisë është pezulluar menjëherë dhe është çuar në hetim penal por ishte përpjekje e keqshpjeguar për të thënë dakord për të gjitha por dhe familja ka rolin e vet në mirërritjen e brezit të ri.

E thënë ashtu ishte gabim por preferoj ndjesën publike të tij dhe shpjegimet e dhëna prej tij dhe duke vlerësuar integritetin e tij moral dhe profesionalizmin cështja për mua është e mbyllur ata që predikojnë më shumë moral e ligësi morale në këtë vend kam fatin të njoh, sic kam fatin të njoh drejtorin. Mes tyre unë zgjedh drejtorin më vjen keq.

Përdhunuesit e minorenes lihen në burg

Me kokën ulur dhe me maskë kundër Covid-19, 65-vjeçari Abaz Doku, i akuzuar për përdhunimin dhe shtantazhimin e 15-vjeçares, u paraqit sot në gjykatën penale të Tiranës.

Përkrah tij ishte i ulur i akuzuari tjetër, K. Poçi 20 vjeç.

Ndërkohë dy të akuzuarit e tjerë, R.O dhe F.B, të dy 15 vjeçarë nuk u nxorën fare para trupës gjykuese për shkak të moshës së tyre minorene.

Gjykata e Tiranës pranoi masën e sigurisë së kërkuar nga Prokuroria, duke i lënë të katërt në “arrest me burg” edhe pse mbrojtja kishte kërkuar masë më të lehtë për të miturit.

Skandali i përdhunimit të 15-vjeçares në zonën e Babrrusë në Tiranë nga 65-vjeçari dhe 3 adoleshentët merr përmasa më të mëdha, pasi e mitura dyshohet se është dhunuar për 4 vite me radhë, që në klasën e 5-të.

Babai i vajzës E.Thanasi, shprehet se abuzimin prej 4 vitesh e ka mësuar rreth 6 muaj më parë nga të njohurit e lagjes.

Babai shprehet se ka kërkuar ndihmën e drejtorit të shkollës, dhe të institucioneve, deri sa është detyruar të kryejë denoncimin në polici.

Ngjarja bëhet akoma më e rëndë ku 3 adoleshentët ishin shokë të vëllait të vajzës.

I ati i vajzës kërkoi që shteti të japë vendim të drejtë ndaj 4 të arrestuarve, pasi në rast të kundërt do të bëjë vetëgjyqësi.

Po ti ku ishe kur u shemb Teatri?

Dritan Laçi

Jam shume i lodhur dhe i dërrmuar fizikisht por edhe shpirterisht. Me nje kembe të copëtuar që nuk është asgjë para dhimbjes qe kam në zemër.

Sot në mengjes kisha vetëm 30 minuta që isha kthyer në shtëpi pas qendrimit prej disa oresh në Teatrin Kombëtar. Kisha bërë 8 km në këmbë vajtje ardhje për të qenë pranë Teatrit. Do kisha bërë 42 vetëm të kthehesha si maratonamak me lajmin që Teatri nuk u shëmb. Por nuk ishte e thënë të ishte kështu. Ora shenonte 4.00 kur një mesazh ne ëhat’s app ma fshiu gjumin.

Dhe ashtu kam vrapuar si kalë i hazdisur në amok në agun e mengjesit edhe 4 km të tjerë për tu kthyer sërish te Teatri. Por nuk munda ta shoh serish. Hordhitë barbare ishin sulur sapo kishin parë që kishim levizur nga istikami. Madje pa dalë drita e diellit. Në pabesi. Ashtu siç vepronin dikur baballarët e tyre xhelatë. Natën. Në errësirë. Me arrestime. Me zhdukje. Me pushkatime pa nam e pa nishan. Ishte sikur ta parandjeja. Në bisedat e mia gjatë mbrëmjes e kisha theksuar disa herë që kishte ardhur koha të përplaseshim. Por burrërisht ballë për ballë.

Por ata zgjodhën modelin e baballarëve katile. Tinëzisht. Duke u fshehur si skutha. Fillimisht vinin vërdallë duke provokuar me gjoba. Më pas si e panë që njerëzit u shtuan pas thirrjeve për grumbullim u shpërndanë si hiena për tu grumbulluar më pas në një sulm frontal.

Madje që të bënin të besueshëm se lajmi për shëmbje ishte gjetiu dhe jo te Teatri në orën 23.00 stimuluan shëmbje në një zonë vetëm 500 m më tej aty ku dikur ndodhej Kafe Flora pranë 15 Kateshit. Kush tjetër mund ti bëjë këto makinacione përveçse Sigurimit të Shtetit. Po ne jemi me faj.

Dhe kjo është e verteta. Sepse civilizimi yne si qytetar nuk mund të funksionojë si mendje perverse. Ne nuk mundem ta mbanin zgjuar fanarin tonë sepse ne nuk funksionojmë si mendje talebanësh. Na ndjeni. Shumë nga ju madje sot sulmuat edhe opozitën. Ju mendoni se demokraci është të sulmosh opozitën në ditën që kemi autorin e një krimi.

Opozita ka të metat e saj. Jam kujdesur shumë edhe për natyren time kritike që të jem i rezervuar në qëndrimet e mia ndaj opozitës. Por mbreme Luli ju pengoi të vini te Teatri? Luli ishte aty, bashkë me Gaz Bardhin dhe shumë deputetë të tjerë. Por ju qe rrini zgjuar në rrjetet sociale deri në orët e para të mengjesit me kotësira e keni marrë lajmin për sulmin ndaj Teatrit që në orën 22.00. E pra une nuk ju pashë gjëkundi.

Une mund të kem kritika ndaj Bashës përse ishte ai dhe nuk ishin kryetarët e degët e PD-së në Tiranë. Por juve nuk ju pengoi Luli të vini. Jo, ju nuk donit të vinit. Luli ishte aty deri ne 2.30. Ju nuk ishit. Ndaj turpin mbajeni për vete. Nëse mendoni që historia do ju falë sepse u fshehet poshtë Lulit e keni kot. Ju nuk keni lidhje në historinë.

Historia ju thirri dhe ju u rreshtuat ca me gjumin dhe ca me llumin. Kjo është e verteta e kesaj dite. Dhe pyetja që do ju vrasë gjithmone sa herë t’ju shoh në sy do të jetë;

Po ti ku ishe kur u shemb Teatri?

Këtë herë vendosim ne!

ANISA MARKARIAN

Nuk jam arkitekte. As inxhiniere ndërtimi. Nuk jam eksperte në restaurimin e godinave të vjetra e akoma më pak specialiste në lëmin e historisë dhe të kulturës kombëtare. Jam thjesht, një gocë Tirane.

Dëmtimet e godinës së Teatrit Kombëtar për shkak të moskujdesit prej shumë dekadash, s’besoj se ua tejkalojnë atyre të katedrales Notre Dame të Parisit të shkaktuara nga zjarri. E megjithatë, askush nuk mendoi se katedralja duhej prishur e rindërtuar nga e para. Më e lartë, më e fortë dhe moderne (!). Në pak javë, falë valës së solidaritetit që përfshiu Francën dhe botën mbarë, u mblodhën qindra miliona euro për ta ndrequr. Ndër dhuruesit bamirës edhe Qeveria Shqiptare…

S’mund të krahasohet Teatri me Notre Dame, do të më thoni. Po, po, mund të krahasohet. Mjafton të gjendet këndvështrimi i duhur. Me dashamirësi, ama. Teatri dhe Katedralja janë që të dy simbole të fuqishme. Secili në mënyrën e vet e sëbashku në mënyrën më të thjeshtë që ekziston. Simbolizojnë besimin dhe qëndresën.

Lexoj e dëgjoj shpesh të thuhet: ku ishit ju kur u shembën apo u plaçkitën fabrikat dhe uzinat e vendit? Ku ishit ju kur u copëzua Kinostudio «Shqipëria e Re»? Përse askush nuk e ngriti zërin kur u prish stacioni i trenit, stadiumi, hotel «Vjosa», kinematë «17 Nëntori» e «Republika»… e sa e sa pasuri të tjera arkitekturore, kulturore e historike të Tiranës sonë?

Është e vërtetë. Nuk ishim. Nuk u revoltuam. Nuk qëndruam…

Të zënë me kushedi ç’punë të ngutshme apo hall për të zgjidhur; të vonuar kushedi në ç’zyrë për të pafundmin aplikim absurd ose, thjesht, të sfilitur nga mundi i përditshëm për t’u mbijetuar ligjeve të egra të xhunglës neokapitaliste, i lamë të shkallmoheshin, të shiteshin, të ndaheshin thela-thela.

Dhe na mbuloi betoni…

Tirana festoi përpara pak muajsh 100-vjetorin e kryeqytetarisë së saj. Ç’simbole lamë në këmbë e po mirëmbajmë për t’i dëshmuar vetes, fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë, që nuk lindëm sot?
Mos vallë në emër të verbërisë, memecërisë dhe mefshtësisë që na kapluan gjer këtu duhet të kthejmë kokën mënjanë e të ulim zverkun me lepe e me peqe ndaj mësymjes çnjerëzore e antipatriotike që i bëhet çdo ditë e çdo minutë të shkuarës sonë nga kasta e të pangopurve? Synojnë të na përdhosin identitetin tonë qytetar. Më keq akoma! Të na e zhvoshkin historinë shtatit si të mos kishim jetuar kurrë. Sikur të ishim të porsa(ri)lindur…

A mundemi kësaj radhe të arsyetojmë pozitivisht e t’i themi vetes që, pikërisht sepse nuk e ngritëm zërin dhe nuk u rreshtuam përkrah të paepurve (një pakicë, fatkeqësisht) kur na i përdhunuan thesaret e Tiranës sonë, këtë herë s’duhet të qëndrojmë në qoshk e të bëjmë sehir? Përvoja e këtyre 70 vjetëve të fundit është tepër e hidhur për të ndenjur duarkryq.

Përtej vlerave të tij historike, arkitekturore e kulturore të cilat, e përsëris, nuk jam personi i duhur për t’i gjykuar, Teatrin tonë Kombëtar duhet ta shohim nën dritën e një vlere edhe më të madhe, edhe më të çmuar, edhe më aktuale. Nën dritën e vlerës simbolike që përfaqëson. Ky Teatër dhe sheshi përpara tij janë kthyer tashmë në simbol të qëndresës qytetare. Asaj të hijshmes e fisnikes, sipas traditës së shqiptarit. Mjafton kjo arsye për t’u bashkuar si një trup i vetëm e për t’u thënë hienave: këtë herë vendosim NE!

Rroftë Teatri!
Rrofshin qëndrestarët e ndershëm që duan qytetin e tyre!

©A.M. 16 maj 2020. E shtunë qëndrestare.

Pafuqia e një shteti!

Nga Dr. Av. Lulzim Alushaj

Përkufizimi i shtetit përmbledh tërësinë e organeve publike (në raste te caktuara janë edhe shoqëri të cilat janë autorizuar të kryejnë funksione apo shërbime që i përkisnin dikur shtetit) të cilat janë ngarkuar me ligj për zbatimin e tij.

Midis nesh ka njerëz që besojnë që shteti duhet të ketë një rol të kujdesshëm në ndërhyrjet e tij në sektorë të ndryshëm (liberalët) ekonomik, rregullator etj. dhe ka nga ata që e shikojnë shtetin si i vetmi entitet i cili ka detyrimin për të mbajtur nën kontroll tregun dhe të bëjë politika të tilla që të mund ti kontrollojë në zbatimin e tyre.

Mund të ketë edhe nje kategori të ndërmjetme njerëzish që shtetin e shikojnë në mës të dy rasteve të më sipër cituar. Kam përshtypjen që nuk ka asnjë kategori njerëzish të cilët të mos e duan fare prezencën e shtetit dhe që çdo gjë ta preferojnë ta zgjidhin në mënyrë naturale, pra me rregullin e më të fortit apo atë të pranimit reciprok. Ka vende të cilat si shtete konsiderohen dhe janë më liberale ka vende ku shteti është më ndërhyrës në raport me tregun dhe zbatimin e rregullave të tij dhe ka vende ku shteti merr trajtën e sistemit miks apo më keq akoma të shtetit që përshtatet.

Po të marrim dhe të shikojmë vendin tonë, të paktën në tridhjetë vitet e fundit të tij, kemi bërë një ndryshim rrënjësor për sa i përket sistemit të së drejtës dhe atij ekonomik ku nuk janë pak ligje, akte, vendime, rregullore, udhëzime të nxjerra nga moria e organeve publike në funksion të rregullimit të tregut dhe marrëdhënieve midis pjesëmarrësve në të (individë apo persona juridik). Konkretisht po marr 3 raste konkrete për ti dhënë mundësinë gjithkujt nga ne për të vlerësuar se në kë kategori vendesh e shteti (sipas ndarjes së mësipërme) hyjmë ne shqiptarët.

Aministia në fushën penale konsiston në momentin kur shteti, pasi ka dënuar më parë individët dhe vendimi ka marrë formë të prerë dhe është duke u ekzekututar, pushon zbatimin e dënimit për vepra penale të caktuara në ligjin e amnistisë.

Parimi i përgjithshëm i shteteve me politikë penale moderne është që, nëpërmjet dënimit, personi i dënuar të rekuperohet dhe kur të mbarojë dënimin ti “dorëzohet” shoqërisë si një person i cili është penduar për veprën penale të kryer. Amnisti të tilla në fushën penale, ndër vite, janë bërë disa dhe përfituesit e tyre janë trajtuar thjesht si statistikë e nuk dihet se çfarë kanë përfituar përgjatë periudhës së vuajtjes së dënimit apo edhe pas dhënies së amnistisë. Me këtë formulë praktikisht shteti ka zbatuar kodin penal duke vënë në lëvizje, me kosto të cilat dalin nga taksat e paguara nga gjithë taksapaguesit, policinë, prokurorinë, gjykatat, sistemin e vuajtjes së dënimit por edhe profesionet e lira duke dënuar personat përgjegjës me burgim e kosto ditore për funksionimin e sistemit të burgjeve.

Më tej po ky shtet pushon ekzekutimin e vendimeve por, duke lënë mënjanë kohën, kostot dhe institucionet e përfshira, pa mundur të sqarojë se çfarë fitoi shoqëria nga kjo politikë penale dhe më tej amnistuese. A do të ishte më e drejtë që, në aspektin ekonomik dhe të detyrimeve ndaj shoqërisë e taksapaguesve, kush përfiton nga amnistia penale të paguajë një kuotë për “shqetësimin” dhe kostot që me sjelljen e tij i ka shkaktuar shoqërisë?

Legalizimi i ndërtimeve pa leje, kjo plagë e madhe e këtyre tridhjetë viteve, tregoi se ligjet që vetë shteti aprovonte nuk ishin zbatuar kurrë në mënyrën e duhur dhe sot gjendemi përballe situates ku për një zaptim dhe ndërtim pa leje lindin shumëfish konflikte civile, administrative dhe penale duke mbingarkuar sistemin e administratës dhe kryesisht të gjykatave. Legalizimi i ndërtimeve pa leje është rasti tipik i pafuqisë së një shteti dhe tregon dështimin e një sërë institucionesh publike.

Mirë raportet dhe interesat civile midis privatëve të përfshirë në këto procese, që zgjidhen në rrugë gjyqësore, po koston që qytetarët e rregullt të këtij vendi (shumica) paguajnë për të mbajtur në këmbë me taksat edhe të tyre sistemin e organeve publike, gjyqësore e zbatuese kush e ka llogaritur? Futja në qarkullimin civil të pronave, duke rritur edhe volumin e të ardhurave të shtetit, mund të jetë argument për të mbështetur legalizimet e ndërtimeve pa leje.

Por nuk kemi ende sot llogaritjen e kostos financiare të shtetit, kohën e zënë me këto procese dhe mbingarkesën e sistemit që është krijuar dhe funksionon për një sistem ligjor ku gjithkush zbaton ligjet e tij por asnjëherë për raste masive shkeljesh (si ndërtimet pa leje) që paralizojnë funksionimin normal të institucioneve të shtetit. Si qytetari i cili nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka nevojë për institucionet e shtetit (përfshirë gjykatat), si ai që ka bërë shkelje të ligjit marrin të njëjtin trajtim, paguajnë të njëjtat kosto administrative, pësojnë vonesat, cilësinë e dobët të shërbimit etj. duke krijuar në këtë mënyrë edhe perceptimin se nuk ja vlen të jesh respektues dhe zbatues i rregullt i ligjit. Përsëri edhe në këtë rast vihet re që shteti i të gjithëve shndërrohet në shtetin e pafuqishëm, si rrjedhojë “stimulohen” veprimet e paligjshme dhe gjetja e mekanizmave të paligjshëm për përfitime personale.

Amnistia fiskale e përgjithshme është një ide që po merr diskutim kohët e fundit e po artikulohet dhe serviret si një veprim i cili do të ndihmojë ekonominë dhe, e thënë troç, nga e cila do të përfitojë shteti. Pyetjes se përse kemi nevojë të bëjmë amnisti fiskale nuk besoj se propozuesit e amnistisë i japin përgjigje kaq lehtë, më tej kush do të jenë përfituesit e aministisë fiskale, deri ne sa vlera monetare do të lejohen të aministohen, ky kapital do të amnistohet vetëm për individët apo edhe për subjektet tregtare e ortakët ao aksionerët e tyre dhe më e rëndësishmja kush do të mbikqyrë zbatimin e amnistisë fiskale.

Nuk është nevoja ta nënvizoj që, personalisht dhe për arsye që kanë të bëjnë me mungesën e forcës së shtetit, jam kundër çdo lloj ndërhyrje a posteriori në politikat fiskale por me efekt përfitimi prapaveprues duke amnistuar vlera monetare të cilat i kanë shpëtuar taksimit periodik ndër vite dhe që i kanë shkaktuar taksapaguesve të rregullt mbingarkesë taksimi si pasojë e mosdeklarimit të të ardhurave nga subjektet që tashmë mendohet të amnistohen. Edhe në këtë rast, njësoj si në dy rastet më sipër, lejohet që ligjet në fuqi të anashkalohen duke barazuar në fund taksapaguesin e rregullt dhe patriot i cili me shumë sakrifica kontribuon cdo muaj/vit në mbajtjen në këmbë të shtetit të tij me individë të cilët kapitalin e tyre e kanë mbajtur të fshehtë dhe mezi presin apo, më keq akoma, propozojnë amnistinë.

Për ti dhënë përgjigje se çfarë formë shteti kemi krijuar ndër vite, jam i mendimit që, jemi ende larg një shteti solid dhe ligjor dhe më afër formës së shtetit që përshtatet dhe kërkon të na përshtasë duke barazuar herë pas herë bashkeqytetarët që respektojnë dhe duan shtetin e tyre me të tjerë që dhe pse në shkelje të ligjit kërkojnë të marrin edhe përfitimet. Kostot financiare gjithmonë i mbeten në kurriz shumicës së ndershme në këtë vend, për të tjerat presim faljen, amnistinë, legalizimin e radhës.

Maks Velo, in memoriam

Nga Sokoll Paja/ DIELLI

Ikja e Maks Velos në botën e përtejme do të thotë një mendje e lirë më pak në planetin e mëndjeskllevërve. Te ky njeri i revoltuar pasqyrohej jo vetëm drama njerëzore e persekutimit pa faj por edhe post drama e dalë nga burgjet e persekutimi i egër nga xhelatët e diktaturës. Endej rrugëve me hijen e tij dhe surretërit e atyre që e kishin persekutuar e që i shfaqeshin si hije te zeza kudo në kryeqytet. Me ikjen e Maks Velos ikën jo vetëm kujtimi i bashkëvuajtësve të tij, por humbet shumë dhe memoria e gjallë e muzeut të krimeve, vuajtjeve e persekutimit në regjimin diktatorial. Me ikjen e Maks Velos xhelatët në Ministri të Punëve të Brendshme, Ushtri, Hetuesi, Vetting apo kudo tjetër ku zëri tij ishte kritik, fërkojnë duart si çlirim nga një njeri i hapur dhe kritik. Maks Velo ishte një zë i fortë dhe dëshmitar okular që dëshmoi kundër tyre gjersa iku nga kjo botë. Ai ishte ndër ata njerëz të veçantë që nuk u dorëzua kurrë dhe nuk pranoi të bashkëpunonte me regjimin dhe as me pasardhësit e tyre.
Maks Velo luftoi dhe denoncoi sa mundi trashëgiminë komuniste, këtë mallkim 30 vjeçar në kapilarët e shtetit të brishtë post-komunist. Xhelatët ndjehen më të çliruar, ndërsa, të përsekutuarit e regjimit komunist vazhdojnë edhe sot të jenë pa trajtimin, respektin dhe dinjitetin për qëndresën, vuajtjet dhe jetët e humbura padrejtësisht në diktaturën komuniste.
Maksi u ndëshkua dhe u dënua nga regjimi pse tha të vërtetën, i cili u konsiderua rebel i partisë. Ai shte rebel i lindur. Nana parti donte veç njerëz të bindur e servilë, të pa dinjitet e identitet por Maks Velo nuk ishte i atillë. Ndaj dhe Maksi e pagoi shtrenjtë dhe u dënua si liberal në një sistem asfiksues ku edhe të drejtën për oksigjen duhej t’a merrje te Partia shtet. Po ashtu Maks Velo ishte një arkitekt e piktor mendjendritur dhe me ngjyra në zymtësinë e territ politik të elitave grabitqare të betonit që ndërrojnë postet tash 30 vjet. Në komunizëm, Maks Velon e rrahën, e torturuan, e zhveshën nga gjithçka, i morën çdo gjë që ai kishte, por shpirti i tij luftarak për liri mbijetoi, edhe pse e pagoi me kosto të lartë. Ai u tradhtua dhe u mohua si profetët në Bibël. Se diktatura për ta besuar dëshminë e bashkëpunëtorit të sigurimit, syrin vigjilent dhe revolucionar të Partisë e gjente sa më afër objektit në survejim.
Maks Velo ishte një mendje estetike, në kaosin e mëndje-betonit të parisë drejtuese të menaxhimit dhe administrimit të kryeqytetit dhe qëndrave urbane në Shqipëri.
Maks Velo ishte një zë kritik dhe i fortë përballë tufës unike të lëpirjes ndaj pushtetit. Tragjizmin e një jete të humbur por me dinjitet e integritet njerëzor Maks Velo e përmbyll me sentencën e dorëzimit të “Klubi i Karavastasë”: “Idealistët e ndershëm nuk duhen, janë të vetmit që dalin të humbur”. Gjatë diktaturës, Maks Velo pabesisht humbi shumë, si kohën, rininë, dashurinë, karrierën e shumë të tjera nga jeta, por ai, ia arriti qëllimit, fitoi shpirtin, idealet dhe lirinë prej rebeli.

Të qoftë dheu i lehtë, Maks Velo!

Ankthi i jetës me vdekjen nëpër këmbë

Esmeralda Marinaj rrëfen për gazetën Dielli betejën për jetën në sallat e reanimacionit në Milano, Itali, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja

Në sytë e pacientëve që luftojnë me vdekjen, punonjësit e shëndetësisë janë “engjëjt” e tyre. Përveç Zotit qiellor, këta njerëz të jashtëzakonshëm janë forca, besimi dhe shpesa e pacientëve për ringritje nga krevati i vdekjes. Përkushtimi i këtyre “engjëjve” dhe asistimi në çdo moment në përballjen me armikun vdekjeprurës, i jep çdo pacienti një forcë të madhe në këtë luftë të tmerrshme ku vdekja kërcënon në çdo cast. Mbështetja e personelit shëndetësor është burim i jashtëzakonshëm qëndrueshmërie e mos dorëzimi. Këta “engjëj” janë dëshmitarët e fundit të pacienteve në kacafytjen e jetës mbi vdekjen. Një betejë kjo sa e egër, sa e dhimbshme por aq dhe krenare. Këta s’janë vetëm heronj por edhe dëshmitarë të gjallë se sa e sa përpjekje u bënë çdo ditë për jetën, për shpirtin, për njeriun.
Ankthi se mos vdekja ka goditur gjatë natës ndonjë jetë, e bën mëngjesin e Esmeraldes të frikshëm, të trishtueshëm, të padurueshëm. Sapo del nga shpija duke vrapuar nëpër rrugicat e Milanos deri në spitalin e mirenjohur “H.P”, mëngjesi i Esmeraldës është plot ankth. Mezi pret të shohë gjëndjen e pacientëve që luftojnë me vdekjen. Mëngjeset fillojnë me lutjen e shpresës se lufta do mbarojë shpejt e jetët në rrezik do të shpëtohen e vdekja do ikë duar thatë.
“Andra tutto bene” është bërë moto e jetës për të mposhtur vdekjen në çdo spital italian. Një ngushëllim i dyfishtë i cili përmban brënda shumë mister, përshpirtshmëri, lutje dhe shpresë. Një “Padre Nostro” urata që çdo ditë shoqëronte Esmeralden për në punën e saj si punonjëse e vijës se parë të luftës në Milano, muajt e fundit ka marë një tetër kuptim. E stërmunduar por kurrë e dorëzuar nga ditët e ngarkuara me betejën jeta-vdekje, te lutja e “Ati Ynë” ajo merr forcën për të gjetur një tjetër ditë motivuese në kalendarin e tmerrit covid-19. Kufoma, njerëz që përpëliten në oksigjen, çaste lamtumire e vetmie, sirena policie e ambulancash çdo ditë në rrugët e Milanos të kujtojnë një kohë apokalipsi. Shpresa se të intubuarit do bëhen më mirë dhe se shpirtrat në koma do kthehen prapë në jetë, i jep Esmeraldës forcën e arsyes për të besuar se mrekullitë ndodhin dhe se për ata që besojnë në Zot, s’ka asgjë të pamundur. Edhe kur vdekja godet pabesisht, edhe kur fiken përpjekjet, besimi në Zot, burimi i shpresës dhe forca e sentencës “andra tutto bene” duket sikur i jep çdo personeli shëndetësor pak oksigjen, pak shtysë, pak kohë, pak frymë dhe pak kurajo për mos dorëzim. “Do shkojë gjithçka mirë, do ia dalim së bashku të gjithë” është momenti kur fjala ka një peshë të jashtëzakonshme, edhe më shumë se te Ungjilli i Gjonit Apostull. Pacientët kanë të frikë të flënë, të mbyllin sytë se mbase s’do zgjohen më kurrë. I vetmi çast që sdo doja kurrë të isha prezente rrëfen Esmeralda është lamtumira on line e pacientit me familjen. Një çast teknologjik që shkëput jetën prej vdekjes. Një videocall që skalitet përgjithmonë në memorien tënde. Të gjendur në “intubacione respiratore” pacientët që luftojnë fisnikërisht me vdekjen shihen në “vidiochiamate” me të dashurit e zemrës, nga ku japin shpesh lamtumirën e fundit, një pikëllim on line, një trishtim i paimagjinueshëm, një ndarje e pabesë, një dëshmi e fundit jete përpara dorëzimit përfundimtar.
Besimi dhe lutja se një ditë të afërt s’do të shohë më jetë të humbura, vdekje të trishta njerëzish të vetmuar, i jep Esmeraldës dhe kolegëve të saj kurajon dhe forcën të punojë pa u ndalur.
Nuk ka mission më të shenjtë sesa të mbash jetën gjallë në sallat e vdekjes.
Esmeralda Marinaj jeton me familjen dhe nga tmerri se mund të sjellë virusin vdekjeprurës në shtëpi, ajo izolohet në një dhomë të posaçme. Tragjizmi i jetës rrefen Esmeralda është të luftosh me vdekjen në spital dhe më pas të të ngjitet vdekja pabesisht deri në shtëpinë tënde. Një ankth i dyfishtë i një jete me vdekjen nëpër këmbë.
Vdekja është ngjarja më e pabesë në jetën e njeriut.
Motivi për të shpëtuar jetë, e mposhtë frikën për për të vdekur.
Pas çdo përpjekjeje, rrëfen Esmeralda, pas çdo luftë, pas çdo beteje, me dëshirën që jeta të fitojë mbi vdekjen edhe kur gjunjët na dridhen, prapë se prapë nuk dorëzohemi dhe besojmë fort: “andra tutto bene”.

Izraeli gjen kurën 100% të suksesshme ndaj COVID-19

Bashkimi Europian ka vendosur të japë një fond prej 50 milionë eurosh për Izraelin, pasi në këtë shtet po punohet për nxjerrjen e një kure kundër COVID-19. “Jeruzalem Post” shkruan Izraeli ka përfituar këtë financim nga Banka Evropiane e Investimeve e Bashkimit Evropian, për një kërkim shkencor që mund të nxjerrë kurën për COVID-19. Marrëveshja e financimit pritet të nënshkruhet në 30 Prill në një ceremoni online.

Sipas kësaj medie, të dhënat paraprake të publikuara nga kompania farmaceutike Pluriste, në fillim të këtij muaji, treguan se produkti i terapisë qelizore PLX, ka trajtuar gjashtë pacientë me koronavirus, të cilët janë shëruar.

Nga testet e kryera kura ka rezultuar 100% e suksesshme, një nivel që deri më tani nuk është arritur nga asnjë ilaç që po testohet kundër koronavirusit.

Firma farmaceutike Pluristem me qendër në Haifa ka zhvilluar një terapi, që përdor placentat për të zhvilluar qeliza të ripërpunueshme për të kuruar organet e dëmtuara si pasojë e infektimit me koronavirus. Kura çliron në organizëm proteina, që kurojnë organet e dëmtuara nga COVID-19, si zemra, mushkëritë, veshkat, etj.