31 të vdekur dhe 200 të zhdukur në Kaliforni

Numri i të vdekurve nga shpërthimet e zjarreve në Kaliforni është rritur në 31 vjeç, me më shumë se 200 njerëz ende të pagjetur, thonë zyrtarët.

Gjashtë persona të tjerë u konfirmuan të vdekur në Zjarrin e Kampeve në veri të shtetit, duke çuar numrin atje në 29.

Tani është e barabartë me zjarrin më vdekjeprurës në Kaliforni të ndodhur në vitin 1933 në Griffith Park në Los Anxhelos.

Në jug, zjarri i Woolsey ka marrë dy jetë, pasi ka dëmtuar vendpushimet e plazhit duke përfshirë Malibunë.

Rreth 250,000 njerëz janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre për të shmangur tre flakë të mëdha në shtet.

Me forcimin e erërave që kërcënojnë përhapjen e flakëve, guvernatori i shtetit, Jerry Brown, i ka kërkuar presidentit Donald Trump të deklarojë një katastrofë të madhe, një masë që do të përdorte më shumë fonde federale të emergjencës.

Rama çon Metën në Kushtetuese për Lleshin

Kryeministri Edi Rama, do të depozitojë sot refuzimin e presidentit Meta për Sandër Lleshin në Gjykatë Kushtetuese dhe përgjigjia do të jepet kur të krijohet ky institucion në mënyrë që mos krijohet precedent.

“Refuzimin e dekretimit të Sandër Lleshit do ta depozitojmë të hënën në Kushtetuese. Kur të krijohet Kushtetuesja në pranverë do marrë vendimin e saj për të sqaruar Presidentët e ardhshëm” deklaroi Rama të enjten në emisionin ” Real Story” të Sokol Ballës.

Kryeministri Edi Rama i ridërgoi të premten Presidentit Meta kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshajt në krye të Ministrisë së Brendshme.

Edi Rama: Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm.

Rama u shpreh se besonte se pas 7 ditësh Presidenti Meta do të bindet për dekretimin e Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm.

“Nëse nuk ka asnjë axhendë personale, nuk ka asnjë motiv që ta refuzojë dekretin. Letra e Presidentit nuk ka pasur asnjë referencë Kushtetuese, por vetëm ka deklaruar se nuk kam bindjen për Sandër Lleshin”, tha Rama një ditë më parë.

Rama shtoi se deri të shtunën, kur bëri këtë ekstravagancë Kushtetuese, Meta ka qenë një President korrekt.

“Nuk e kemi votuar që të jetë një kukull e PS” tha kryeministri.

Duke folur rreth takimit me Metën, Rama tha se nuk ka pasur asnjë diskutim tjetër veç çështjes së mosdekretimit të Lleshit.

“Në 90 minuta bisedë, Presidenti nuk ka hapur asnjë bisedë tjetër me mua” tha Rama.

Të mërkurën ceremonia e rivarrimit të Mid’hat Frashërit

Arkivoli i Mid’hat Frashërit pritet të niset sot në Shqipëri ndërsa më 14 nëntor është parashikuar ceremonia e rivarrimit të tij në Shqipëri.

Eshtrat e Mid’hat Frashërit u nxorën më 9 nëntor nga varreza Ferncliff e qarkut Ëestchester, ku preheshin që nga viti 1949 dhe u sollën në Qendrën Nënë Tereza të kishës shqiptare që ndodhet pranë varrezës, për ceremoninë e përcjelljes që u mbajt një ditë më pas.

Zëri i Amerikës njoftoi se eshtrat do të nisen për në Shqipëri më 12 nëntor.
Në ceremoni, përpara arkivolit të mbështjellë me flamur të qëndisur me dorë, qëndronin pjesëtarë të familjes, përfaqësues nga Shqipëria, pjesëtarë të katër komuniteteve fetare dhe njerëz që dëshironin të shprehnin respektin e tyre për Mid’hat Frashërin.

Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo, tha: “Kthimi i i Mid’hat Frashërit ka rëndësi historike, jo vetëm për vlerën e tij historike dhe kulturore, por edhe për faktin se është anatemuar, është përbaltur, është quajtur kriminel, bashkëpunëtor me pushtuesit. Instituti ynë jo vetëm që e boton veprën e tij të plotë, në 14 vëllime, por u bë edhe nismëtar për kthimin e eshtrave. Kam qenë shumë i emocionuar mbrëmë, kur u ndodha përpara varrit të Mid’hatit, bashkëpunëtorit të ngushtë edhe të tim eti, Safet Butkës, sepse kanë qenë bashkëpunëtorë dhe luftëtarë të një ideje të madhe” citon Zëri i Amerikës

NATO koment pozitiv Shqipërisë në misionet paqeruajtëse

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg përgëzoi trupat shqiptare në Heart, për rolin e tyre kryesor në misionin kundër terrorizmit në Afganistan.

Lajmi u bë e ditur nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“Trupat shqiptare në Heart, bashkë me kolegët e tyre nga Italia, SHBA, Sllovenia, Lituania dhe Ukraina, u vizituan dhe përgëzuan nga Stoltenberg për rolin e tyre kyç që Afganistani të mos bëhet ‘parajsë’ për terrorizmin ndërkombëtar”, tha Xhaçka.

Meta: Amatorët dhe diletantët të lexojnë Kushtetutën

Në debatin për mosdekretimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm, Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje ‘amatorëve dhe dilentatëve” të lexojnë Kushtetutën lidhur me kompentencat që ajo i jep atij si kryetar shteti.

Meta u rezervua të saktësonte se kujt i drejtohej duke i etiketuar si “dilentantë” dhe “amatorë” ndërkohë që vetë kryeministri Edi Rama por dhe deputetët e maxhorancës këto ditë janë shprehur se Kushtetuta e detyron ta firmosë.

Dhe në kuadër të këtij debati Meta ngriti dhe një pyetje: A mundet parlamenti të rrëzojë dekretin e presidentit për një ministër?

Rama deklaroi më 6 nëntor: Kushtetuta i ka të përcaktuara një për një, e zeza mbi të bardhë, të 12-të kompetencat e Presidentit të Republikës, ndër to nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit të Kryeministrit përsa kohë ky gëzon besimin e shumicës në Parlament dhe po njësoj të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit.

Është e sigurtë që nëse do të ekzistonte një kompetencë e tillë qoftë dhe e fshehur nëpër rreshtat e atyre 12-të kompetencave të shkruara qartësisht, s’ka diskutim që paraardhësi i Ilir Metës s’do ta kishte lënë pa zbuluar. Edhe pse haptazi partiak, botërisht i njohur si artilier i zellshëm i Partisë Demokratike, pasi e bombardoi me gjithë furinë e grykës së gojës ministrin e propozuar prej meje, presidenti i gjashtë i Republikës e firmosi dekretin për atë ministër me duart e lidhura nga Kushtetuta e Shqipërisë. …

Keqkuptimi i madh i presidentit të Republikës është se unë nuk i kam propozuar atij kandidat për ministër. Jo! Unë Presidentit i kam çuar dekretin për një ministër jo kandidat.

Sipas Kushtetutës presidenti nuk ka kompetencë ta refuzojë por ka detyrën ta miratojë. Pra presidenti i Republikës sonë Parlamentare përveç 12 kompetencave që Kushtetuta ia njeh shprehimisht dhe ligjet e nxjerra në pajtim me të ia përkufizojnë qartësisht, dhe një nga këto është dhe detyra për të dekretuar qeverinë si dhe çdo anëtar të saj sipas kërkesës së kryeministrit. Madje brenda 7 ditësh me një dispozitë taksative nuk lë asnjë vend për intepretim.

Ilir Meta sot më 9 nëntor: “Pa dashur të jap leksione për Kushtetutën. Të gjithë amatorëve dhe dilentantëve të njëanshëm i ftoj të të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e Presidentit. Një akt formal apo ceremonial është vetëm betimi tek presidenti. Të gjithë ata që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite se presidenti nuk mund të kthejë prapa dekretin kam një pyetje tjetër: A mundet parlamenti të rrëzojë dekretin e presidentit për një ministër?”

A do i drejtohet parlamentit për të treguar arsyet?

“Unë jam mjaft i lidhur me parlamentin dhe jam i zgjedhur nga parlamenti, kështu që parlamenti për mua është gjithçka.”

Kryeministri Rama i dërgoi sërish sot presidentit emrin për dekretimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm

Opozita greke Ramës: Po i hedh benzinë zjarrit

Partia më e madhe opozitare në Greqi, ‘Demokracia e Re’ ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për ceremoninë e varrimit të Kostandinos Kacifas në Bularat.

Duke e konsideruar të papranueshme dhe provokative, ‘Demokracia e Re’ akuzon edhe qeverinë greke se me heshtjen e saj inkurajon Shqipërinë.

Deklarata të papranueshme dhe provokative. I hedhin benzinë zjarrit. Qeveria greke hesht dhe në këtë mënyre e inkurajon”, thuhet në reagim.

Një ditë më parë, kryeministri Rama duke komentuar situatën në Bularat me thirrje antishqiptare, tha se shteti shqiptar nuk lufton me arkëmorte dhe provokatorë varrimesh.

Bushati sqaron ngjarjen në Bularat

Duke cituar një shprehje të famshme të ish-kryeministrit britanik Benjamin Disraeli, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati shpjegon qëndrimin e autoriteteve shqiptare ndaj zhvillimeve të ditëve të djeshme në Bularat.

Benjamin Disraeli na la një këshillë për të gjitha kohët: “Rrethanat janë përtej kontrollit njerëzor, por sjellja është pjesë e fuqisë tonë. Ne politikanët gjykohemi vetëm nga veprimet tona për të nxitur ose urtësuar situatat”, shkruan Bushati në FB.

Një ditë më parë për ngjarjen reaguan edhe kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Aleksis Tsipras. Ata theksuan se kjo situatë nuk prek marrëdhëniet e mira mes dy shteteve dhe se dialogu do të vazhdojë.

Fillon puna për Bypass-in e Vlorës

Nisi puna edhe për ndërtimin e Bypass-it të Vlorës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri në një postim në Facebook, ku sqaron se kontrata ka një vlerë financimi prej rreth 36 mln euro.

“Në përfundim të procesit të procedurave konkuruese për përzgjedhjen e kompanisë kontraktore që do të kryejë punimet për ndërtimin e Bypass-it të Vlorës, Autoriteti Rrugor Shqiptar nënshkroi kontratën me Joint Venture shqiptaro-italiane “Gener 2 & Impresa Ing.E.Mantovani”. Kontrata ka vlerën e financimit prej 35,874,354 Euro.

Kompania kontraktore fillon tanimë punën në terren duke ringritur kantierin dhe vazhduar investimin për realizimin e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore”, thuhet në njoftimin e publikuar nga vetë ministri.

Ambasada amerikane: Ministria e Brendshme duhet të jetë plotësisht funksionale

Ambasada amerikane përmes një deklarate për shtyp shpreh gadishmërinë të vijojë punën me partnerët shqiptarë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri

“Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme” nënvizohet në deklaratën e kësaj ambasade e cila vjen dy ditë pasi Sandër Lleshi u emërua në postin e zv/ ministrit me kompetencat e ministrit të Brendshëm, pas dorëheqjes së Fatmir Xhafës. Ndërkohë presidenti Meta ende nuk ka firmosur dekretin e tij.

Deklarata e plote e ambasades amerikane

“Përgjatë muajve të fundit, jemi inkurajuar nga përparimi që kemi parë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri – rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët.

Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen.

Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme.

Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë.
Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e reformës në drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar.

Grekët në ceremoninë mortore në Bularat: “Kostandin jeton, ti na drejton”

Qytetarë të shumtë grekë janë mbledhur në Bularat për t’i dhënë lamtumirë 35-vjeçarit Kostandinos Kacifas, i cili u vra nga forcat RENEA.

Me flamuj grek në duar dhe me parullat “Kostandin jeton, ti na drejton”, ata kanë kënduar himnin grek.

Ndërkohë, familjarët nuk kanë lejuar mediat shqiptare që t’i afrohen banesës. Ata janë shprehur se nuk i njohin mediat shqiptare, por vetëm ato greke.

Në ceremoni është i pranishëm edhe ish-ministri shqiptar Spiro Ksera, i cili pas ceremonisë ka paralajmërua një deklaratë për mediat.

Ceremonia mortore do të zhvillohet në kishën e fshatit Bularat.