Tenton të kalojë rrugën, përplaset për vdekje 74-vjeçari

policiaNjë 74-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e sotme, si pasojë e një aksidenti rrugor. Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor  Korçë-Zemblak, ku një automjet tip “Opel” me targë AA643BS ka përplasur për vdekje të moshuarin.

Policia bën me dije se viktima është identifikuar si shtetasi Enver Bendo, ndërsa shoferi i automjetin është Kelment Topçiu, 54-vjeç. Ky i fundit është shoqëruar në komisariat, ku po merret në pyetje për të marrë më shumë detaje rreth aksidentit.

74-vjeçari ka qenë duke kaluar or në anën tjetër të rrugës, në momentin e përplasjes nga makina “Opel”.

Meta-Ponta: Forcimi i marrëdhënieve i shërben axhendës evropiane të Shqipërisë

Foto shqiptarja.com
Foto shqiptarja.com
Foto shqiptarja.com

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot pasdite Kryeministrin e Rumanisë, Victor Ponta, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe tradicionale mes dy vendeve dhe diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit. Meta pasi vlerësoi marrëdhëniet solide mes Shqipërisë dhe Rumanisë, shprehu vullnetin për intensifikimin e tyre në të gjitha nivelet. Në këtë kuadër, z. Meta shprehu bindjen se vizita e Kryeministrit Ponta në Tiranë do t’i shërbejë thellimit konkret të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve tregtare. Kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta, shprehu kënaqësinë për këtë vizitë zyrtare në Tiranë dhe theksoi se Shqipëria mund të mbështetet në përkrahjen e Rumanisë në të gjitha çështjet e rëndësishme. Z. Ponta shprehu përkushtimin e Rumanisë ndaj avancimit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke vënë në dukje se integrimi i plotë në BE është një qëllim i shkëlqyer strategjik për Shqipërinë dhe rajonin. Kreu i Kuvendit dhe Kryeministri i Rumanisë ndanë bindjen se forcimi i marrëdhënieve ndërparlamentare i shërben jo vetëm forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe axhendës evropiane të Shqipërisë. Z. Meta në këtë kuadër konfirmoi krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Rumani, i cili do të drejtohet nga Deputeti me origjinë arumune, Pirro Kapurani.

Meta dhe Ponta diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet në rajon, duke vlerësuar se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Rumanisë i shërben forcimit të stabilitetit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit, dhe duke theksuar njëkohësisht se të dy vendet mbeten të përkushtuara për perspektivën euro-atlantike të të gjithë vendeve të rajonit. Në këtë kuadër, Kryeministri Ponta dhe Kryetari Meta ndanë bindjen se rajoni i Ballkanit do të stabilizohet plotësisht, atëhere kur të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë dhe Kosovën, të jenë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kosovë: Kompanitë franceze të interesuara për investime

kosova_flag_1Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, priti të martën një delegacion francez në përbërje të së cilit ishin Julien Roche – President i Odës së Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, Claude Scheuer, këshilltar në kompaninë franceze Degremont. Delegacioni shoqërohej nga ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet. Ministri Ismajli, e njohu delegacionin francez me zhvillimet ekonomike në vend, kornizën institucionale dhe ligjore, klimën e biznesit që ofron vendi për investitorët e huaj si dhe projektet që janë në zhvillim e sipër. Më tej u diskutua për bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e energjisë, energjisë së ripërtëritshme, mineralet e fusha tjera me interes të përbashkët. Në takim u diskutua edhe lidhur me ardhjen e investitorëve francezë në Kosovë si dhe për projekte konkrete në fushat që mbulon MZHE, ndërsa u shtrua nevoja për asistencë teknike dhe avancimin e bashkëpunimit me odat ekonomike në Kosovë. Kompania franceze Degremont është e specializuar në ofrimin e zgjidhjeve që përmes projekteve përkatëse të trajtojë ujërat dhe shërbime të tjera për autoritetet lokale dhe industrive të ndryshme.

Rrëzohet amendamenti i republikanëve për pronat në bregdet

mediuKomisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka rrëzuar amendamentin e kreut të PR-së, Fatmir Mediu, për kthimin e tokave të bregdetit pronarëve të ligjshëm. Kreu i komisionit, Eduard Shalsi, e përcaktoi amendamentin si të pamjaftueshëm për të zgjidhur çështjen e pronave në tërësi, ndërsa Mediu deklaroi se është abuzuar me dhënien e pronave në jug të vendit.

“Ky projektligj synon të përmirësojë situatën për kthimin e pronave pronarëve legjitimë, tokat e të cilëve përfshihen me vendndodhje në zonat e parashikuara me ligj të posaçëm për zhvillimin e turizmit. Nga ana tjetër kjo do të ndikonte në mënyrë të ndjeshme në uljen e faturës financiare për ata pronarë të cilëve i është njohur e drejta e pronësisë nga AKKP-të, por që janë kategorizuar në subjekte që duhet të trajtohen me kompensim financiar. Miratimi dhe zbatimi i këtij propozimi i shërben jo vetëm interesit të pronarëve të ligjshëm, e drejta e të cilëve është nëpërkëmbur prej më shumë se 20 vitesh tashmë, por edhe në interesin më të mirë të një zhvillimi të qëndrueshëm të turizmit në zonat bregdetare, dhe për rrjedhojë në interes të ekonomisë kombëtare”, -tha Mediu.

Ndërsa kryetari i komisionit, Eduard Shalsi, thas e qeveria ka hartuar një plan pune dhe veprimi për çështjen e pronës që është mbështetur edhe nga komiteti i ministrave të Këshillit të Europës

“Kjo mazhorancë ka hartuar një plan pune dhe veprimi për çështjen e pronës që është mbështetur edhe nga komiteti i ministrave të Këshillit të Evropës. Çdo tentativë për të zgjidhur çështjen e pronës me forma të tilla do të jetë e dështuar që në krye të herës. Pa unifikuar institucionet, pa dixhitalizim dhe pa një bankë të dhënash çështja e pronës do të vazhdojë të rrokulliset në të tatëpjetën që ka marrë,” -tha Shalsi.

Ndërkohë që përfaqësuesi i PDIU-së, Dashamir Tahiri, ka kërkuar që në projektligj të përfshihen edhe tokat në Greqi.

Ndryshimet në projektligjin e prezantuar nga Fatmir Mediu synonin që pronat e shtetëzuara në bregdet, të konfiskuara ose të marra në çdo mënyrë tjetër nga shteti, të kalojnë në pronësi të pronarëve që i kanë zotëruar ato para vitit 1945.

Corlatean: Do t’ju mbështesim për statusin

bushati-corloteanNë takimin me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Titus Corlatean, ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati vuri theksin në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, si dhe në intensifikimin e dialogut politik. Ministri Bushati u shpreh se avancimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit në të gjitha fushat e bashkëpunimit përbën një element të rëndësishëm të politikës rajonale të Shqipërisë.

Në faqen e saj zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme, bën me dije se të dy ministrat biseduan në lidhje me situatën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për zhvillimet e fundit në Ukrainë. U vlerësua gjithashtu kryesimi i radhës nga Rumania i SEECP-it dhe u shkëmbyen mendime lidhur me marrjen e këtij kryesimi nga Shqipëria në qershor të 2014-ës.

“Nga ana e tij, ministri Corlatean u shpreh se vizita e tij në Shqipëri është tregues i forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe aktivizimit të dialogut politik, dhe se i shërben një qasjeje pozitive rajonale. Ai tha se Rumania e ka mbështetur dhe do vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian”, -thuhet më tej në faqen zyrtare të MPJ-së.

Ministri Corlatean ndodhet në Tiranë në kuadër të vizitës që po zhvillon kryeministri rumun Ponta.

Përplasjet për SHISH-in, Tahiri takon Nishanin

saimir-tahiriMinistri Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, është takuar ditën e sotme me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ku në foks të takimit do të jetë situata e sigurisë në vend. Takimi po zhvillohet në ambientet e Presidencës, ku pjesë e diskutimeve do të jenë edhe marrëdhëniet e Shërbimit Informativ Shtetëror me Ministrinë e Punëve Brendshme. Takimi zhvillohet me kërkesë të ministrit Tahiri.

Pak javë më parë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka fajësuar Shërbimin Informativ Shtetëror se është inaktiv dhe nuk informon për ngjarje të rënda, siç kanë qenë shpërthimet me tritol kohët e fundit. Por presidenti Nishani e ka përgënjeshtruar ministrin Tahiri, duke theksuar se Shërbimi Informativ Shtetëror ka informuar në mënyrë profesionale dhe të vazhdueshme Ministrinë e Rendit për “tritolin”.

Deputetët e majtë kanë dorëzuar në Kuvend një kërkesë zyrtare, përmes të cilës kërkojnë ngritjen e një komisioni parlamentar për të kontrolluar nga afër ligjshmërinë e veprimeve të Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe udhëzimin për përgjimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Kërkesa e firmosur nga deputeti Piro Lutaj propozon një komision të përbërë nga 5 anëtarë, 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita. Në kërkesë argumentohet se duke qenë se në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë nuk morën përgjigje për shkak të mospasjes së certifikatës së sigurisë nga kreu i SHISHit për t’u njohur me dokumentacionin sekret, është e nevojshme kryerja e kontrollit në ambientet e këtij shërbimi.

Grupi i kontrollit kërkon të verifikojë ligjshmërinë e Shërbimit Sekret dërguar drejtorive të SHISH, ku kërkohet informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjore të emëruar në pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit si dhe të gjitha veprimet apo mosveprimet e ndërmarra nga SHISH në zbatim të kësaj kërkese.

Zamir Dule, gazetari i masakruar, po verbohet

zamirTë udhëtosh në një stinë pranvere, në një fshat kufitar, nuk është më një stërmundim i madh. Infrastruktura deri diku e përmirësuar dhe një rrugë shumë e ngushtë sapo lë kryeqendrën e Devollit, Bilishtin, të çon në pjesën e epërme siç e quajnë devollinjtë, Devollin e Sipërm, pikërisht në fshatin Miras, ndër më të mëdhenjtë e kësaj krahine. Aty në një shtëpi gati të rrëzuar, në fund të fshatit dhe i harruar në një dhomë përherë të errët, ndodhet një gazetar që bëri epokë me kronikat e zeza  dhe gazetarinë investigative në vitet 1194-1997. Quhet Zamir Dule. Me një fytyrë tejet të bardhë sa të ngjall dhe frikë, por edhe keqardhje njëherësh për atë se çfarë i ofroi profesioni i gazetarit të guximshëm, ai të pret i frikësuar gjithsesi në shtëpizën, të cilën e ndan varfërisht me nënën plakë të veshur me të zeza. Ai të jep dorën dhe më pas struket në shtratin e tij, i frikësuar nga ndonjë e keqe, që duket se i ka lënë hidhërimin më të madh përherë. Ndonëse vështrimi i tij humbet, ndonëse ai me dëshpërim të thotë se tashmë nuk mund të lexojë që prej një muaji, ndërsa mjegulla ka kohë që i është bërë si shok i pandarë. Ai është në prag të verbimit. E rrahën në vitin e mbrapshtë ’97, duke e shokuar me goditje të levave të hekurit në kokë dhe në trup, punonjësit e SHIK-ut. Dhe këtë ia bënë mu në mes dhomave të komisariatit të Policisë numër tre në Tiranë, fakt i cili është në dosjen e Prokurorisë së Tiranës, e cila fillon, pezullon, rifillon, e mbyll dhe rihap këtë dosje tragjike të djegies së redaksisë së gazetës së parë të pavarur e më të madhe në Shqipëri, “KOHA JONË”. Zamiri ka  një pension të posaçëm të lidhur nga ish-kryeministri Nano në vitin 2004, porse gjendja fizike dhe sidomos syri deri në verbim, duket se nuk ia rregullojnë shikimin ato pak lekë që merr nga shteti. Por në këtë gjendje, ai ka nevojë për të gjithë, për kolegët e tij të dikurshëm, por edhe të sotëm; ka nevojë edhe për Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, i cili edhe vetë u godit nga bandat qeveritare të vitit ’97. Kryeministri ka nevojë të përdorë një fond të vogël që ta shërojë, duke përdorur gjithë mekanizmat shtetërorë.

Dëshpërimi ka kohë që e ka mbuluar Zamir Dulen, gazetarin që provoi gati vdekjen dhe që mundi të mbijetojë falë rastësisë, natën e djegies së gazetës “Koha Jonë” në vitin 1997. Ai pret atje në shtëpinë e tij, një dhomë krejt e vogël, ndonjë lajmës nga Tirana që të mund ta shërojë, që të paktën të shikojë, të lexojë.

Zamiri po humb edhe shikimin

Mbijetesa e tij është gati fatale për të, teksa ai ndihet mirë vetëm brenda një hapësire të vogël të një dhome të ulët me disa orendi të viteve ’70-të, ku i qëndron pranë si gjithmonë nëna e tij, Qerimeja. Ai ka lënë leximin dhe librat e tij të shtrenjtë, me të cilët ndante ditë-netët e gjata, i vetëm me një nënë të moshuar dhe pa miq, të cilët e kanë harruar në kujtesën e tyre të së shkuarës. “S’mund të lexoj dot më, kam probleme me sytë”, – kaq mund të të thotë Dule, i cili hyn sërish në atë botëzën e tij plot mister dhe enigma, ndërsa prej shumë kohësh shtëpia e tij nuk ka më as televizor. Varfëria duket se për ironi i ka gllabëruar dhe të vetmin mjet që mund të argëtonte disi gazetarin, i cili dëgjonte me kujdes lajmet. Por, fati edhe këtë herë nuk është me të. Madje, në këtë shtëpi të fundosur nga shumë fatkeqësi të njëpasnjëshme pas vitit ogurzi të ’97-ës, kur Zamiri do linte njëherë e përgjithmonë Tiranën dhe jetën e tij prej gazetari kronikash të zeza, kjo s’është asgjë. Zamiri rrëfen me shumë lakonizëm se televizori u është prishur dhe se nuk mund të shohë më; por për fat të keq, nuk ka as edhe një radio për të jetuar jetën e të gjallëve, për të patur informacionin, burimin e jetës së tij të dikurshme. Sa për internet, rrjete sociale, Facebook etj., këto janë fjalë të panjohura për ish-gazetarin, sepse nuk ka patur shansin t’i shohë dhe provojë si gjithkush, qoftë dhe si bashkëfshatarët e vet. Ai mezi gjen shtratin e tij, që qëndron i pandryshuar prej vitesh me disa nënkresa të vjetra e të dala boje, ndërsa në një dritare mban fletore dhe shënime të shumta. Por dhe ky “privilegj”, si një tjetër zakon i të shkuarës, po i privohet. Zamir Dule nuk mund të shkruajë asgjë, as ditarin e tij të thjeshtë pa ngjarje reale dhe personazhe jetësorë. Ai tani nuk mund të shkruajë dhe as të lexojë. Të afërmit e tij bëjnë apel për ndihmë, ndërsa ata shprehen se Zamirin e kanë harruar të gjithë dhe në këto momente, ai ka nevojë për ndihmën e shtetit. Traumat në familjen Dule kanë qenë të njëpasnjëshme. Pas asaj që pësoi gazetari, iu vra vëllai, teksa nga gjithë ky lumë hallesh, u nda nga jeta edhe babai i tij. Ajo që mund të thuhet tashmë për të është se Zamir Dule ka nevojë për ndihmë, për kurim, për vëmendje. “Të paktën të ketë sy të shkruajë dhe të lexojë. Ju lutem ndihmojeni”, – thonë të afërmit e tij. Dëshira që e mban në jetë këtë njeri të ndëshkuar dhimbshëm, është ajo e botimit të librave të tij. Në një raft të një bufeje të vjetër dhe të pluhurosur, ai ka radhitur në ca fletore të trasha veprat e tij. Njëra e ka titullin “Apologjia”, “Busti” quhet një tjetër, por natyrisht ai nuk të lë t’u afrohesh për të parë se ç’thonë këto vepra të mbetura thjesht në ca rreshta, të shkruara në ditët e vetmisë së gjatë të tij. Nëse tenton ta pyesësh për ditën kur u dogj gazeta “Koha Jonë”, ai nis e shqetësohet së tepërmi dhe më pas, do ose të largohet nga shtëpia, ose të jetë i vetëm në atë dhomën e tij të errët, ku edhe dielli i ka kursyer rrezet e veta. Sa shumë i dhembin ato ngjarje Zamirit, saqë tanimë jeton me dyshimin e njerëzve të SHIK-ut që do i behin në derë papritur dhe do nisin nga torturat çnjerëzore, të cilat e lanë në një botë të frikshme dhe pa kthim.

Ai ka humbur shumë në jetë, profesionin, karrierën, jetën e tij të gjallë, shokët, miqtë, ka humbur shpresat, familjarët e vdekur, ndërsa i kapërcen ditët në një fshat të largët kufitar, me ca kujtime të vrara të një kohe kur e masakruan punonjësit e SHIK-ut, për të mbetur si një trup i ekzekutuar qyshkur. Ai është dhe nuk është.  Shpreson se librat e tij ku ka dhe kujtime do të botohen një ditë, por nuk beson se do ketë buzëqeshjen dhe hovin për të ecur rrugëve të kryeqytetit, për të raportuar lajmet në redaksi. Ajo ishte kohë tjetër dhe mbeti në zjarrin e asaj nate marsi, kur u dogj redaksia e “Koha Jonë”, bashkë me jetën e tij…

Apel i fundit për ndihmë Kryeministrit Rama

Zamiri po pret që dikush t’i vijë në ndihmë. Pret dhe nuk flet. Nuk shikon dot mirë, por vështron me lotët e shpirtit. Ai nuk do shumë gjëra, bile më saktë, ai shpreson vetëm t’i kthejnë shikimin e syve, që të lexojë apo të shikojë lajme. Aq do për momentin, heroi i gazetarisë investigative dhe emblema e medias së vitit 1997. Zamir Dule është atje, në fshatin Miras, në Korçë. I vetëm, me nënën, pa shikim dhe larg botës së Tiranës.

Nga Albana Çakshiri “Koha Jone”

Dialogu Kosovë-Serbi pas fitores së Vuçiç

serbikosoveAnalistët politikë në Prishtinë vlerësojnë se ndryshimet politike në Serbi mund të ndikojnë në dinamikë, por jo të ndalin procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Sipas tyre, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, përbën një nga kushtet e Brukselit për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Sipas Naim Rashitit, një analisti nga Grupi Ballkanik për Politikat kryeministri i ardhshëm, Aleksandar Vuçiç, ka qenë më hezitues në raport me dialogun me Prishtinën zyrtare krahasuar me kryeministrin e deritashëm Ivica Daçiç. Mirëpo, ai nuk sheh shumë alternativa as për Vuçiçin, përveç vazhdimit të bisedimeve. Nëse Vuçiç dhe Partia Përparimtare vendosin të krijojnë koalicion, ai nuk e përjashton si mundësi që të ngarkohet ish-presidenti Boris Tadiç për procesin e negociatave me Kosovën.

Ndërkohë, edhe analisti tjetër, Ardian Arifaj parashikon që vazhdimi i bisedimeve sipas axhendës evropiane për normalizimin e raporteve Prishtinë – Beograd do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të Serbisë dhe zgjedhjeve që priten në Kosovë. Një refleksion i ndryshimeve politike në Serbi në raport me bisedimet e Brukselit, sipas tij, mund të jetë shtimi i rezervave të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiçit në raport me implementimin e disa arritjeve të procesit negociues me Prishtinën.

Bazuar në axhendën e përcaktuar nga Brukseli, analistët politikë, presin që Prishtina dhe Beogradi të vazhdojnë negociatat për normalizim deri në momentin kur do të krijohen kushtet edhe për anëtarësimin e njërës apo dyja shteteve për integrimin të plotë në BE.  Kjo periudhë mendohet të jetë pas vitit 2020, kur Serbia dhe Kosova do të duhet të tejkalojnë mosnjohjet reciproke nëse duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

 

Gati videoklipi i “Zemërimi i një nate” për në Eurovizion

Hersi Matmuja
Hersi Matmuja
Hersi Matmuja

Hersi Matmuja sapo ka realizuar videoklipin e “Zemërimi i një nate”, me të cilin do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion. Xhirimet janë realizuar në plazhin e Divjakës. Më pas, Hersi udhëton me biçikletë nëpër rrugët kryesore të Tiranës.

Kënga me të cilën Shqipëria do të përfaqësohet në garën më të madhe të këngës evropiane do të jetë në anglisht. Aktualisht kënga është publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të “Eurovizionit”, por edhe në rrjetet sociale. Kënga është fituese e edicionit të 52-të në Festivalin e Radiotelevizionit Publik Shqiptar, në dhjetor të vitit të kaluar. Festivali zhvillohet në datat 6 deri në 10 maj.

Rama: Vajzat dhe djemtë shanse të barabarta për t’u përzgjedhur si pjesë e Policisë së Shtetit

ramaNë Pallatin e Kongreseve janë paraqitur rreth 10 600 aplikantë për shkollën bazë të policisë. Paraditen e sotme kandidatët, nga të gjitha qarqet janë thirrur në Pallatin e Kongreseve për të dhënë udhëzimet e nevojshme mbi procesin e konkurrimit. Po ashtu aplikantët do të ndjekin dhe ceremoninë që do të zhvillohet në kuadër të fillimit të procesit të testimit të shkollës bazë të policisë “Për patrullë të përgjithshme”. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij ka kërkuar që të dyfishohen pranimet në shkollën e policisë, nga 500 në 1000 vende. Sipas kryeministrit ky vendim u mor për të gjeneruar policinë me kapacitet të ri njerëzor, pasi policia ka moshën më të vjetër sot.

“Valë të jashtëzakonshme aplikimesh që asnjëherë më parë nuk solli për të trokitur në derën e policisë më shumë se 10 mijë aplikantë. Sot unë besoj se është dita që me miratimin tuaj t’i kërkojmë ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të policisë dhe strukturës që ka përgatitur konkursin që ta dyfishojmë dhe ta bëjmë 1 mijë. Jo sepse u bë deti kos, por për një arsye shumë të thjeshtë pasi ne nuk kemi kohë për të humbur për më shumë siguri, për më shumë inovacion dhe më shumë progres pasi pjesë themelore e kësaj beteje është transformimi i policisë, duke rritur kapitalin njerëzor dhe duke bërë që policia e shtetit sot të ketë një moshë mesatare më të re të krahasuar me të gjithë rajonin dhe Europën. Me gjithë respektin për të moshuarit, policia nuk mund të jetë streha e atyre që presin të dalin në pension, apo e atyre që duan të marrin një asistencë. Ky është vendi i vajzave dhe djemve më të vendosur dhe më patriot”, u shpreh Rama. Rama premtoi trajtim të njëjtë të gjithë konkurrenteve duke theksuar se përzgjedhja e fituesve do të bëhet sipas meritës dhe jo sipas njohjes.

Saimir Tahiri

Për ju sot si kurrë më parë, 10 mijë djem dhe vajza jeni prova më e fortë e besimit për gjithçka jemi, do jemi dhe duhet të jemi të gjithë bashkë. Do të jeni gjenerata e policisë moderne që do të garantojë sigurinë për qytetarët.  Ju sot këtu, je nxitja më e madhe se gjenerata e ligjit dhe e drejtësisë është sot këtu.  Dhe kjo më bën që unë të vijojë me reformimin e policisë së shtetit. Në kaq pak kohë kemi arritur te kthejmë kursin, te frenojmë degradimin e policisë, të luftojmë me paligjshmërinë dhe të arrijmë rezultate konkrete dhe ta kthejmë policinë e shtetit në krye të detyrës. Dhe sot vendi është më i sigurt dhe do të vijojë të jetë edhe më shumë në vazhdim sepse ne sapo kemi nisur. E gjetëm policinë në ditët e veta më të vështira. Në vitet e fundit policia u braktis, asaj u paralizua nervi i drejtësisë.  Humbi besimin që mund të ekzistonte Policia e Shtetit pa tradhti të vogla. Kjo sallë sot nuk është djepi, por po lind brenda nesh idealin e drejtësisë.

Artan Didi

Radhët e Policisë së Shtetit do të rigjenerohen. Policia ka nevojë për dinamizmin e brezit të ri. Policia ka nevojë për njerëz të përkushtuar. Detyrat në fushën e rendit dhe të sigurisë janë sfiduese. Ne jemi të vendosur të përballemi me vështirësitë pasi kemi burimet e pashtershme të energjisë që vijnë nga ju, nga brezi i ri. Kjo ditë është me rëndësi edhe për ju të nderuar kandidatë pasi ata që do të fitojnë testin do të fillojnë rrugën e gjatë për t`u bërë një punonjës policie. Konkurrimi juaj bëhet kur organizata e policisë po i bëhet një reformë e thellë ku prioritet është arsimimi.