
Kiev kërkon të rimarrë qytetin e pushtuar
Forcat qeveritare ukrainase kanë nisur një operacion për të rimarrë qytetin lindor të Sllovianskut të pushtuar nga forcat pro-ruse. Sipas ministrit të Brendshëm Arsen Avakov, 1 pilot ukrainas është vrarë ndërsa të tjerë ushtarë janë plagosur. Sipas tij, militantët pro-rusë të armatosur kanë hapur zjarr ndaj dy helikopterëve ndërsa plumbat kanë vrarë njërin nga pilotët. Ndërsa nga ana e tyre, separatistët në Slloviansk e kanë mohuar të kenë hapur zjarr. Agjencitë e lajmeve raportojnë për të shtëna, shpërthime dhe helikopterë ushtarakë që qëllojnë në rrethinat e Slovianskut. Por gazetari i “New York Time” që ndodhet atje, CJ Chivers përmes një mesazhi të postuar në rrjetin social Tëitter njoftoi se “aktualisht në Sloviansk ka fare pak të shtëna”. Në një deklaratë për mediat, ministry Avakov tha se tashmë forcat qeveritare ukrainase kanë hyrë në një fazë aktive, në të cilën janë përfshirë forcat e brendshme dhe Garda Kombëtare. Televizioni shtetëror rus “Rossiya 24″ më herët deklaroi se qyteti po “bastisej” ndërsa të mërkurën e 30 prillit, Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se çdo operacion do të kishte “pasoja katastrofike”. Më herët, presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Olexandr Tuchynov futi sërish në fuqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për t’u përballur me sigurinë e degraduar në lindje të vendit. Lëvizja, e shpallur me një dekret, erdhi teksa militantët pro-rusë morën nën kontroll zyrën e prokurorit rajonal në Donetsk, një qytet ku shumica e ndërtesave qeveritare tashmë është nën kontrollin e tyre. Ende në kufirin lindor të Ukrainës qëndrojnë rreth 40 mijë trupa ruse. Sot pritet që situata e tensionuar në lindje të Ukrainës dhe qëndrimi i Rusisë, të jenë në qendër të bisedimeve edhe mes presidentit amerikan Barack Obama dhe kancelares gjermane Angela Merkel në Washington.
Arrestohet grabitësi i supermarketit
Një 30-vjeçar është arrestuar sot pasi akuzohet për grabitjen me armë të supermarketit mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit. Supermarketi, përballë spitalit të qytetit, dhe 200 metra larg godinës së drejtorisë së Policisë u grabit mbrëmjen e djeshme në lagjen 6 të qytetit. Fatmir Lukaj dyshohet se nën kërcënimin e armës dhe i maskuar ka grabitur paratë e xhiros ditore të supermarketit. Policia e Durrësit arrestoi Lukajn në lagjen 18, është sekuestruar edhe arma, me të cilën kreu grabitjen. Dyshohet se arma e grabitjes mund të jetë plastike, por ende nuk është konfirmuar.
Hëna e Rilindjes
Edi Rama me shijen dhe pasionin e tij për ngjyrat ka bërë që qeverisja e tij të identifikohet me ngjyrën e purpurt që Berisha ja pagëzoi me termin mavi. Madje, sa herë kam një veshje me ngjyrën që tanimë njihet si e Rilindjes imagjinoj fytyrat dhe nënqeshjet e atyre që pandehin më mirë se unë se cilit kah i përkas. Ndaj në përgjithësi e evitoj të purpurtën. Por, të Enjten e 1 Majit, në zymtësinë e shiut të imët dhe britmave “qeveri mashtruese” që vinin nga Pallati i Koncerteve, ku mbahej Panairi i Punës, u duk qartë se një hënë e re është shfaqur në Shqipëri. Hëna e purpurt që të mundëson të mos kompleksohesh nga ngjyra që ke veshur, sikundër të paralajmëron të mos presësh çudira nën reflektimin e saj, sepse siç e ka thënë i pari i kostelacionit të Rilindjes në këtë vend është sistemi që korrupton, jo individi. Si rrallëherë, qytetarët nuk kanë frikë të protestojnë. Si pothuajse asnjeherë më parë një Kryeministër dhe një anëtar qeverie nuk fshihen pas trupave shtatlartë të truprojave, por komunikojnë me të revoltuarit. Ky nuk është një xhest që meriton të shoqërohet me duartrokitje, pasi ndodh rëndom në çdo vend demokratik, ku qytetarët u kërkojnë llogari të zgjedhurve të tyre. Megjithatë është një xhest i padokumentuar mediatikisht gjatë qeverisjes së mëparshme, e cila ishte blinduar pas xhamave të makinave të errëta ku më e lexueshmja ishte arroganca ndaj votuesve të tyre dhe më e pavërtetuara mbetet shkalla e korruptimit të tyre. Pazotësia e maxhorancës së re, në trup të së cilës ndodhet edhe një pjesë e qeverisjes së mëparshme, për të zbardhur dhe ndëshkuar korruptimin si akt dhe të korruptuarit si individë, ul edhe më shumë parashikimet për ndryshime të vrullshme që zakonisht shoqërojnë tranzitin e një hëne të re. Nën hënën e Rilindjes, që edhe vetë disa socialist të mërzitur nga mospërfillja e Ramës i ka bërë të kenë sjellje lunatike, gjasat janë që sistemi të konfirmohet po aq korruptiv dhe individi të mbetet viktimë e tij. Duhet pritur dhe gjykuar kur të ketë më shumë shembuj e prova. Veprimet simbolike të Kryeministrit që ndalon dhe flet me të revoltuarit, pavarësisht se nuk e ka plotësisht nën kontroll dozën e tij të fortë të sarkazmës është një shenjë e një qeverisjeje që po tenton të qëndrojë e përgjegjshme përpara qytetarëve të saj, qofshin ata votues të tyre ose të keqpërdorur nga opozita e sotme. Porse prap se prap këto mbeten xheste simbolike dhe nuk japin shpresë për ndonjë hënë të ndritur në muajt e ardhshme. Vullneti për tu sjellë me përgjegjshmëri dhe jo me frikën që të pezullojmë gjithcka sa të marrim atë dreq statusi në Qershor që është edhe më pak simbolik se veprimet e Ramës, duhet dëshmuar ditë pas ditë, derë pas dere nga çdo zyrtar i kësaj maxhorance. Hëna e Rilindjes ka ngjyrë të theksuar që ndoshta nuk është në shijen e të gjithë, por aktet e frymëzuara prej saj duhet të jenë të gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse edhe ndaj zërit më të dobët të kësaj shoqërie, që nuk ka luksin dhe as frymëzimin të merret me hënën e të tjerëve sa herë ndjehet i eklipsuar nga hëna e tij. – See more at: http://www.oranews.tv/analize/hena-e-rilindjes/#sthash.k5jGgjt2.dpuf
Blushi: Parlamenti ka shumë izolatrikë, që s’e duan Europën
Një nga figurat më të njohura të Partisë Socialiste, shkrimtari Ben Blushi deklaron se në Parlament ndodhen shumë “izolatrikë” që s’e duan integrimin në BE. “Ka njerëz që mendojnë se me hyrjen në BE do humbin aftësinë që kemi për të shkelur ligjin” thotë Blushi. I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, deputeti socialist dhe shkrimtari Ben Blushi ka vijuar replikat në distancë me kryeministrin Rama. Ai tha se shumica e anëtarësisë por edhe e forumeve kërkojnë zbatimin e statutit të PS-së. Një tjetër çështje në të cilën Blushi u ndal gjate emisionit “Debati në Channel One”, ishte situta e xhihadistëve shqiptarë. Ai deklaroi se të paktën 500 milionë euro, hyjnë në Kosovë nga vendet arabe për të financuar arabizimin e islamit shqiptar, që është islam unik në botë. INTERVISTA E PLOTE Roland Qafoku: Nuk është roman, sepse u ngopëm mirë me romanet. Çfarë është ky libër? Ben Blushi: “Hëna e Shqipërisë” nuk është një libër artistik, nuk ka një fabul imagjinare, megjithëse ka një imagjinatë dhe pak fantazi. Është një ese e gjatë që përpiqet të fokusohet tek e ardhmja e Shqipërise. Është një libër që përpiqet të ndërtojë sesi mund të jetë Shqipëria, në aspektin politik dhe shoqëror, për disa dekada, duke u nisur nga e shkuara, por edhe nga e tashmja. E vetmja mënyrë për ta ndërtuar të ardhmen, gjë për të cilën mendojmë të gjithë, mundohet të projektojë zhvillimet politike dhe gjeopolitike në dekatat e ardhshme dhe thelbi i ketij libri është mbi cilësinë e jetës në Shqipëri. Sesa Shqipëria do të jenë një vend i begatë, i prosperë, demokratik, për dekatat që vijnë. Roland Qafoku: Ky libër mund të quhej edhe “100 vitet e ardhshme të Shqipërisë”? Ben Blushi: E kisha si titull alternativ. Ky libër ka pasur një vonesë për shkak të titullit. Ky titull nuk më bindi sepse nuk marrë përsipër të tregoj Shqipërinë pas 100 vitesh, ashtu sic të pakten, kjo eshte vulgarizuar në media. Jam përpjekur të lexoj Shqipërinë edhe kam arritur në një konkluzion që Shqipëria ka hyrë në një fazë pesimiste, duke marë parasysh disa faktorë: cilësinë e jeteses në Shqipëri, krizën që po kalon Evropa një numër tjetër zhvillimesh politike. Kam zgjedhur hënën, si simbol pesimizmi. Roland Qafoku: Zoti Blushi, e keni referencë librin e Fridmanit “100 vitet e ardhshme?” Ben Blushi: Jo, një mik ma ka dhuruar dy javë pasi kishte dalë ky libër. E njihja si libër, por nuk e kisha lexuar. Kur jam marrë me kërkime në internet, dy vjet më parë, e kam hasur diku por nuk e kam lexuar. Roland Qafoku: Termi “izolatrik” duket si një krijim i juaji. Kë keni parasysh me këtë karakter? Ben Blushi: Unë jam pjesë e sistemit që prej 1997, njoh njerëzit fenomenet dhe në 2-3 vitet e fundit më ka shqetësuar fenomeni i izolatrikut. Kemi një debat për integrimin europian të Shqipërisë. Kur ne ishin në opozitë na akuzonin se ne bllokonim dhe nuk donim integrimin, ata gjoja donin integrimin. Ky në fakt ishte një debat për Europën. Në këtë debat kam hasur shumë njerëz që thoshin dakord, por a ia vlen të hyjmë në Europë?! Unë s’kam parë asnjë të varfër që të thotë se nuk ia vlen të hyjmë në Europë. Përkundrazi të gjithë ata që kërkojnë më shumë drejtësi sociale duan të hyjnë në Europë. Sa më lart të ngjitemi në shoqëri, më pak e duan Europën, sepse do të humbnin ato pushtete që kanë sot. Këta unë i quaj izolatrikë. Është një term që më pëlqen më shumë. Ka njerëz që e mendojnë se me hyrjen në Europë do të humbin liritë fiskale që kemi, do të humbim aftësinë që kemi për të shkelur ligjin, shumë privilegje që sot i kemi. Hyrja në Europë është zbatueshmëri e ligjit, asgjë më tepër. Ne nuk integrohemi në Europë siç thotë dikush se jemi popullsi me shumicë myslimane, jo vetëm nga një arsye: Sepse nuk zbatojmë ligjin. Nëse do të kishim zbatuar ligjin në këto 20 vjet, do të ishim integruar më shpejt në Europë. Izolatrikët si tipologji për mua janë njerëz me pushtet ose afër pushtetit. Kanë influencë në provinca sidomos. Kanë mundësi të jenë feudalë të vegjël që kur të vijën zgjedhjet ata e shesin pushtetin e tyre si mundësi për të devijuar votat. Kjo u jep fuqi izolatrikëve. Këta ëq kanë fuqi të deviojnë votat nuk janë të varfër por janë të pasur. Ky nuk është rast tipik europian dhe Europa nuk funksionon kështu. Pyetja është: Pse këta gjallojnë në territorin tonë. Parlamenti i Shqipërisë ka shumë izolatrikë. Unë jam në Parlament që ka 2001 dhe deri në 2013, tendenca është se në Parlament po hyjnë gjithnjë e më shumë njerëz të pasur. Kjo tregon se është tendecë. Pra janë ata të pasur që kanë bërë devijim votash deri dje dhe vijojnë dhe tani që janë në Parlament. Roland Qafoku: “Në Shqipëri, lulet i hanë gomerët, pra nuk ia vlen t’i blesh për t’ia dhuruar një zonje. Ky është izolatriku par excellence shqiptar. Mua më ngjan politikisht, sepse e kam hasur diku ne parlament. Keni pasur dikë parasysh? Ben Blushi: Jo, e kam parë si fenomen. Si teknikë, ky lloj libri është gjithmonë përballë një risku, që të bëhet i palexueshëm. Kam përdorur pak art për ta bërë më të lexueshëm. Jam përpjekur t’i metaforizoj disa gjëra. Pikërisht për këtë kam përdorur një film, nga më emblematikët e historisë së Shqipërisë. Roland Qafoku: I keni marrë leje babait? Ben Blushi: Kam pak “copyright”. E trashëgoj. Roland Qafoku: Kur keni botuar romanin “Të jetosh në ishull”, keni pasur reagime deri në kërcënime në atë kohë, për persona që i përkisnin fesë myslimane. Ben Blushi: Nuk më ka ndodhur asgjë. Ka pasur reagime të mirëkuptueshme, nga ana ime. Ka lidhje me realitetin shqiptar. A ka frymëzim nga brenda Shqipërisë, për të çuar kamikazë në Siri. N.q.s ka kush i frymëzon, kush i armatos, kush i paguan biletat, kush e bën këtë gjë. Ata nuk shkojnë në Siri, për të luftuar regjimin e Assadit, por për të ndërtuar një shtet islamik midis Irakut dhe Sirisë. Për të ndërtuar një teokraci, shtet fetar. Në qoftë se këta shqiptarë e kanë pasur me kaq zell të luftojnë diktaturat në të gjthë botën, përse nuk luftuan diktaturën e tyre. Keni parë shqiptarë të dalin me armë kundër Enver Hoxhës? Tani, shkojnë luftojnë Assadin! E njëjta gjë në luftën e Kosovës. Dikush i shtyn, dikush i fryn dhe i sponsorizon. Janë 500 milionë euro, nga bisedat që kam pasur ne Europë, që hyjnë në Kosovë nga vendet arabe për të financuar arabizimin e islamit shqiptar, që është islam unik në botë. Është shumë i hapur, i moderuar, paqësor dhe arsimdashës. Roland Qafoku: Si konfirmohet kjo shifër? Ben Blushi: E kam nga kolegët e mi, në Kosovë. Roland Qafoku: Ka tërhequr vëmendje edhe debatet e fundit me poltikën, sidomos çështje e politikës. Zoti Blushi, dini të fishkëlleni ju vetë? Ben Blushi: Në libër unë jam marrë me bubullima, jo me fishkëllima. N.q.s shtetet bazohen mbi kushtetuta dhe kushtetuta është kontrata e të gjithë qytetarëve të atij shteti, edhe statutat e partive janë si kushtetutat për shtetet. Partitë janë shoqëri aksioneresh, më shumë se dy njerez deri në një limit X, pa limit, janë anëtarë të një shoqërie që quhen parti politike. Unë bëj pjesë në një grup aksionerësh. Janë rreth 80 mijë socialistë në të gjithë Shqipërinë, me tester, pra që kanë pranuar kushtet. Dhe kur pranon kushtet dhe jam futur në këtë shoqëri aksionere, janë futur për disa arsye ose në statut, ose në program. Për sa kohë ka një statut të votuar dhe pranuar nga Partia Socialiste, ai duhet zbatuar sipas gërmes dhe sipas frymës. Dhe sipas gërmës dhe sipas frymës, unë kam të drejtë. Roland Qafoku: Në rastin konkret, në librin që ju keni shkruar ju jeni konstatues shumë i mirë i realitetit për asaj çfarë jemi sot dhe në të ardhmen. Do të donit një rol më aktiv dhe revelant, për të mos mbetur në çështjet e konstatuesit, si një personazh që mund të ndikojë për mire, apo për keq? Ben Blushi: Unë jam aktiv, jam ligjvënës. Kam mundësi të influencoj. Është çështje tjetër sesa influenca ime kthehet në rregull, mund të kthehet në program. Në të shkuarën kjo ka ndodhur. Roland Qafoku: Kur keni qenë për herë të fundit, në Elbasan? Ben Blushi: Kam qenë para fishkëllimës. Në të shkuarën e afërt, arsyet jo për t’u rebeluar, por për të ndryshuar diccka, kanë dhënë produkt. Ju kujtohet kur kam bërë një debat në vitin 2009, kur kur humbëm zgjedhjet dhe kam thënë që një nga arsyet që humbën zgjedhjet ishte se nuk kishim program. Dhe në fakt nuk kishim program. Krahaso vitin 2009 me vitin 2013, kam folur për taksë progresive, për shpërndarjen më të mirë kontributesh përmes taksave. Kjo ishte një temë që kam folur shumë. U fut në programin e PS. Se po të shikoni programin e vitit 2009 me vitin 2013, kanë ndryshim si nata me ditën. Nuk flisnim për taksë progressive, megjithëse taksa e sheshtë ishte në fuqi që nga viti 2007. Por, në vitin 2009 ne nuk thamë që ne do të heqim taksën e sheshtë sepse është e padrejtë sepse krijon pabarazi. Për shkak të kësaj influence, që një pjesë e rëndësishme e grupit parlamentar në atë kohë u shtruan, program i PS ndryshoi. Hiqini të gjitha këto. Sikur asgjë të mos kishte ndodhur, të mos kishte pasur asnjë debat në PS, si ajo që u bë nga 2009, në 2010, në 2011, ndoshta ky program do të ishte shumë i zbehtë. Roland Qafoku: Dhe ta kishim filmuar kongresin tjetër, nga çatia e Pallatit të Kongreseve.. Ben Blushi: Ka gjasa të ndodhi prapë kështu që bëhuni gati. Ka gjasa të ndodhi prapë, kur do që të ketë ndonjë kongres ku të flitet për këto tema si statut, ndryshim statuti, nuk do t’ju lënë të filmoni. Roland Qafoku: E filmojnë nga çatia zoti Blushi, si në “Ora Neës” në vitin 2009… Ben Blushi: Po të them që influencë kur ti e ushton publikisht dhe e beson atë gjë, ka gjasa të ndryshojë diçka edhe pse me vonesë dhe jo në kohën e duhur. Roland Qafoku: Përse ne vitin 2014, nuk gjendet kurajo për t’i thënë këto gjëra? Nuk e gjej arsyen në asnjë faqe të librit tuaj edhe pse e analizoni mënyrën sesi veprojnë partitë politike. Çfarë është, frikë nga kryeministri i cili, megjithëse nuk e ka eksperiencë shumë të gjatë politike e përsërit që nuk është politikan? Çfarë i tremb këta njerez, të thonë diçka me zë të lartë? Ben Blushi: Në përgjithësi ne kemi një raport të vështirë me demokracinë. 20 vjet kemi që e ushtrojmë këtë sport dhe ka raste kur më mirë preferojnë ta vonojnë demokracinë në funskion të karrierës. Unë nuk e kam zgjedhur këtë model. Jam e bindur që pjesa dërrmuese e PS në çdo nivel baze, grupi parlamentar, kryesi, kongrese, absolutisht po ti pyesesh a do të zbatosh statutin apo jo ? Do të thonë që do zbatoj statutin. Pra është një shumicë dërrmuese edhe pse është e heshtur. Nuk besoj se i tremb ndonjë gjë, por besoj që nuk po i jepet mundësia për ta shprehur mendimin. Askush nuk mund të thotë që nuk duam të zbatojmë statutin e Partisë. Kjo është flagrante. Kjo nuk mund të ndodhi. Roland Qafoku: A është ky libër produkti I një politikani të zhgënjyer? Ben Blushi: Nuk mund të them i zhgënjyer por i pakënaqur mund ta thoni. Roland Qafoku: Në qoftë se do të ishit ministër, do ta thonit këtë? Ben Blushi: Unë kam thënë gjëra më të rënda kur kam qënë ministër. – See more at: http://www.oranews.tv/vendi/blushi-parlamenti-i-shqiperise-ka-shume-izolatrike-qe-se-duan-europen/#sthash.nsaQDkpF.dpuf
Qeveria gjermane do të ashpërsojë të drejtën e azilit
Njerëz nga Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia pritet ta kenë në të ardhmen edhe më të vështirë që të paraqesin me sukses një lutje për azil në Gjermani. Për këtë do të kujdeset qeveria gjermane me projektligjin e saj për klasifikimin edhe të shteteve të tjera si “vende të sigurta të origjinës”. Azilkërkues nga shtete të tilla duhet të llogarisin që rastet e tyre do të përpunohen me shpejtësi dhe kërkesa për azil do të refuzohet në shumicën e rasteve si “qartësisht e paargumentuar”.
“Ne duam ta pakësojmë me këtë hap numrin e azilkërkuesve nga këto shtete”, e argumentoi ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere (CDU) motivin për propozimin e tij të miratuar nga kabineti. De Maiziere tërhoqi në këtë drejtim vëmendjen për praktikën që ndiqet në Britaninë e Madhe, në Francë dhe në Belgjikë. Atje, një procedurë e tillë ka kohë që është e zakonshme.
Qeveria nuk sheh rrezik për romët
Qeveria e justifikon projektligjin e saj ndër të tjera me argumentin se në vendet e prekura nuk ka përndjekje, tortura, dhunë arbitrare ose trajtim çnjerëzor dhe poshtërues. Romët në këto vende vërtet diskriminohen, por nuk përndiqen. Vitin e kaluar ishin më shumë se 20.000 vetë nga këto vende të përmendura që shtruan kërkesë për azil në Gjermani, numri i përgjithshëm ishte më shumë se 100.000 vetë.
Pasojat për të prekurit e refuzuar nga “shtete të sigurta të origjinës” janë të rënda. Atyre u mbetet vetëm një javë kohë për të paraqitur ankesë. Por edhe ankesa nuk ua ndalon kthimin. Gjykatat administrative kanë të drejtë të urdhërojnë ndalimin e dëbimit vetëm nëse ekzistojnë dyshime serioze në seriozitetin e vendimit. Nga trajtimi i përshpejtuar i procedurave të azilit për vendet e sigurta të origjinës synohet të përfitojnë azilkërkues nga shtete në krizë si Siria, procedurat e të cilëve zgjatin aktualisht me muaj.
Pro Asyl e konsideron jo të besueshëm argumentimin e qeverisë
Shumë organizata të refugjatëve kanë kohë që paralajmërojnë për rrezikun e së ashtuquajturës rregullore për shtetet e treta. Drejtuesi i organizatës “Pro Asyl”, Günter Burkhardt i tha agjencisë gjermane të lajmeve, DPA se në këto vende ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, korrupsion, shkelje të lirisë së shtypit dhe struktura që nuk funksionojnë në sistemin juridik. Dhuna ndaj grave dhe sulmet kundër homoseksualëve nuk janë diçka e rrallë. Që prej vitit 2012, 90 përqind e kërkesave për azil nga këto tri shtete ballkanike janë refuzuar në fakt në procedurë të përshpejtuar, kritikon Pro Asyl.
Mbështetje projektligji i CDU-së merr nga CSU-ja. Zëdhënësi për politikën e brendshme dhe atë juridike i kësaj partie në Bundestag, Michael Frieser dëshiron që tri shteteve të përmendura si “shtete të sigurta” t’i shtojë edhe Shqipërinë. Si argumentim ai tërheq vëmendjen në numrin e azilkërkuesve nga Shqipëria, të rritur dukshëm në tremujorin e parë të këtij viti, “pa qenë e mundur të konstatohet një përndjekje në parim e azilkërkuesve në kuptimin e ligjit për azilin”. /DW/
Të paktën 100 të vdekur në një sulm terrorist në Homs
Të paktën 100 persona, mes të cilëve më shumë se 80 civilë, u vranë në një atentat të dyfishtë me makinë bombë që goditën një lagje proregjimit në Homs, qyteti i tretë më i madh në Siri, sipas një OJQ-je.
Këto sulme janë marrë përsipë nga grupimet xhihadiste.
Bëhet fjalë për sulmin më vdekjeprurës të këtij lloji në Homs që prej fillimit të konfliktit që prej tre vitesh, një përshkallëzim nga ana e rebelëve që vjen një muaj para zgjedhjeve presidenciale të organizuara nga regjimi.
Jahjaga: Kosova, shtet i të gjithë qytetarëve
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi sot një grup të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Petar Miletiç, nënkryetar i Kuvendit.
Presidentja e Kosovës i mori në konsideratë çështjet që i parashtruan deputetët për të drejtat e liritë e komuniteteve etnike në Kosovë, të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Presidentja Jahjaga i siguroi deputetët se do të vazhdojë të jetë mbështetëse e promovuese e vlerave të ngërthyera në Kushtetutën e vendit, e respektimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë dhe e realizimit të plotë të të drejtave individuale dhe kolektive të të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe pavarësisht numrit të tyre.
Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme prosperuese për të gjithë, u shpreh ajo.
Presidentja Jahjaga iu tha deputetëve se do të vazhdojë të përfaqësojë unitetin politik, në bashkëveprim të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë konsultimet dhe të harmonizojnë qëndrimet me grupet parlamentare për të arritur zgjidhje të pranueshme, që avancojnë proceset demokratike dhe përparojnë të drejtat e komuniteteve.
Basha takim të veçantë me përfaqësuesit e BB dhe FMN-së
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takime të veçant përfaqësuesit e Bankës Botërore, Tahseen Sayed dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Nadeem Ilahi, ku në qendër të bisedimeve ishte ekonomisë shqiptare.
Gjatë takimeve, Basha shprehu shqetësimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës për kursin e gabuar ku qeveria ka futur ekonominë shqiptare.
Po ashtu, Basha tha se “ka rënie të mbledhjes së të ardhurave, jo vetëm krahasuar me periudhën e mëparshme, por edhe duke marrë parasysh vetë parashikimet e qeverisë dhe se është shumë shqetësuese, mungesa e transparencës nga qeveria në lidhje me vendimet dhe të dhënat zyrtare”.
Gjithashtu, Basha tha se “Qeveria ka krijuar pasiguri juridike, çka ka dëmtuar biznesin dhe ka stepur investitorët. Treguesit e ekonomisë janë në përkeqësim, rënie, ose dobësim.Ulja e ndjeshme e mbledhjes së të ardhurave.Nga ana tjetër është rritur praktika e prokurimit të drejtpërdrejtë nga ana e qeverisë”.Basha takon përfaqësuesit e BB dhe FMN 3
“Duke u ndalur tek arbitrariteti, shkelja e ligjit, moszbatimi i vendimit të gjykatave, prishja e ndërtimeve me leje ose në proces legalizimi, spastrimet në administratën publike dhe emërimet e personave me precedentë apo të kaluar kriminale dhe se është krijuar një klimë pasigurie e përgjithshme që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe biznesin dhe si rezultat ka mbyllur vende pune dhe zvogëluar shanset për punësim”, tha Basha
Në këtë situatë, ekonomia, tregu financiar, konsumatorët dhe investitorët kanë reaguar e po reagojnë keq, duke shënuar përkeqësim në cdo drejtim, tha Basha./
Bushati: Evropa s’duhet të injorojë sfidat e Ballkanit Perëndimor
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Uashington.
Në konferencën e Këshillit të Atlantikut, ministri deklaroi se, as Evropa dhe as NATO nuk duhet të injorojnë sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, për sa kohë i gjithë rajoni nuk është ende plotësisht i ankoruar në rrjedhat euro-atlantike.
Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, në këtë aktivitet, morën pjesë Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, si dhe ministra të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes nga vendet e anëtarësuara në NATO.
Shqetësimet që u ngritën në këtë këshill, kishin të bënin me situatën e paqëndrueshme në Ukrainë, si dhe sfidat që kjo situatë paraqet për të ardhmen e komunitetit euro-atlantik.
“Në kontinentin evropian vijojnë të ekzistojnë zona me potencial të lartë destabilizues, të cilat kur shoqërohen me agjenda zgjerimi rivale, krijojnë kushtet ku e drejta ndërkombëtare dhe parimet themelore demokratike mund të shkelen pa u ndëshkuar”, – tha ministri.









