Berisha takon ekipin kombëtar para ndeshjes me Norvegjinë

53

kombetarjaKryeministri  Berisha zhvilloi sot një takim me ekipin Kombëtare të futbollit përpara ndeshjes që ata do të zhvillojnë ditën e premte me skuadrën e Norvegjisë. Në këta takim ishte i pranishëm edhe Kreu i Federatës së Futbollit Armando Duka dhe trajneri i kombëtares shqiptare italiane Gianni de Biasi, i cili ka falenderuar kryeministrin Berisha për vizitën dhe mbështetjen.  Ai  theksoi  se futbolli nuk është një shkencë ekzakte dhe në futboll gjithçka ndodh përsa i përket rezultatit. “Jemi të bindur se është një ndeshje shumë e vështirë, madje më e vështirë se ajo që kemi luajtur në Norvegji, por po përgatitemi për të bërë diçka të mirë për ta çuar këtë ëndërr deri në fund”, u shpreh trajneri i kombëtares Gianni de Biasi.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha përshëndeti trajnerin, për punën e bërë në udhëheqjen e ekipit drejt nivele dhe rezultateve me te larta; “Përshëndes trajnerin tuaj, i cili ka arritur që të udhëheqë ekipin drejt niveleve më të larta, drejt rezultateve më të larta dhe në këtë kampionat keni bërë ndër lojërat më të bukura, por jeni edhe afër një momenti shumë të rëndësishëm dhe ju falenderoj për të gjitha rezultate e arritur, edhe si ekip edhe individualisht, sepse në ekipe të tjera keni shkëlqyer. Kjo ka rëndësi, sepse kjo është një botë globale. Unë po shikoja në Afrikë të Jugut kur luante Zvicra, që kishte në skuadër 3-4 shqiptarë dhe u gëzova. Sigurisht do të gëzohem shumë më tepër kur të shkojmë ne në Brazil dhe e vërteta është se nuk jemi larg atij momenti. Unë ju uroj shumë përzemërsisht suksese. E falenderoj trajnerin për punën e mirë që ka bërë dhe nuk e ka shumë të lehtë, pasi e ka me përgjegjësi  të madhe dhe ju garantoj se do të përpiqem që t’ju mbështesim edhe më shumë, sepse ju e meritoni plotësisht. Keni dëshmuar talentin, aftësinë, shkallë të madhe përgatitjeje. Futbolli është një sport me një dinamizëm të paimagjinueshëm. Kur pashë spanjollët thashë se këta paskan arritur qiellin dhe kur pashë gjermanët thashë këta qenkan pak më tutje se qielli, sepse për spanjollët mendova se kishin sintetizuar të gjitha anët më të spikatura të futbollit në 30 vite dhe mu duken të jashtëzakonshëm, por gjermanët mu dukën  edhe më të jashtëzakonshëm. E thash këtë për të theksuar sesa e vështirë është ta ndjekësh garën e futbollit, por ju po  e ndiqni dhe po e ndiqni shumë mirë.

Unë ju uroj suksese dhe ju siguroj se qeveria do të ketë një premio për fitoren, sepse e meritoni plotësisht. Shpresoj dhe uroj që të fitoni, por natyrisht loja është lojë dhe sytë e shqiptarëve kudo që janë, janë në stadium dhe presin fitoren. Natyrisht gjakftohtësia është miku juaj numër një më shumë  sesa emocioni. Nuk duhet kurrë që emocioni të mbizotërojë gjakftohtësinë në fushë.  Unë erdha t’ju mbështes për gjithë përfaqësimin që ju i bëni Shqipërisë, flamurit, vendit. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë për Ligën Kombëtarë, pavarësisht se mund të mos na e pranojë federata, por ne do të përpiqemi. Futbolli është sporti më popullor dhe në këtë pikë sa më shumë aktivitete aq më mirë bëjmë.”