“Ka dhe disa pretendime që vijnë nga mosnjohja totale e realitetit, siç është ideja e një auditi ndërkombëtar. Zotërinjtë duhet ta dinë se auditi ndërkombëtar është ‘on line’, është i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm. Shqipëria është një nga vendet e pakta që boton, publikon në faqen e thesarit çdo qindarkë që shpenzohet në territorin e republikës së Shqipërisë nga buxheti i shtetit, të nesërmen e shpenzimit të tij“,- ka deklaruar Berisha.
Gjatë miratimit të vendimeve për dhënie me koncesion te hidrocentraleve apo të ndalimit të prokurimeve dhe tenderimeve pa marrë më parë lejen nga Këshilli i Ministrave, zoti Berisha i kërkoi administratës të mos japë dorëheqjen pas instalimit të Qeverisë së re, si dhe hodhi poshtë kërkesën e zotit Rama për një qeveri kujdestarie deri ne shtator.
“Ky është një debat shterpë që ka në bazë thjesht revanshe dhe epshe të papërmbajtura të pushtetit, i paqytetëruar, i panevojshëm dhe unë ftoj administratën të mos ndikohet, por të vazhdojë me përgjegjësi detyrat dhe detyrimet e veta ligjore në ushtrim të pushtetit ekzekutiv në këtë vend deri ditën që fillon mandati i ekzekutivit të ri dhe pastaj është ky ekzekutiv që do të vendose, si për programin e vet ashtu dhe për administratën, të cilën unë kam bërë thirrje që asnjeri të mos japë dorëheqjen“, – tha Berisha.