Beqaj: “Në raport me qytetarin jemi ne rolin e shërbyesit”

64

beqajMinistri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mori pjesë sot në Takimin përmbyllës të Grupit në Mbështetje të Zbatimit të Reformës në Shëndetësi, që u zhvillua në Tiranë nga Ministria e Shëndetësisë me asistencën teknike të projektit të USAID-it në Shqipëri. Në fjalën e tij, Ministri Beqaj tha se “menaxhimi modern spitalor kërkon që spitalet të orientohen kryesisht drejt përmirësimit të shërbimeve klinike dhe të fillojnë të lehtësojnë veten nga menaxhimi i shërbimeve joklinike, ku proçedurat e outsourcing që promovohen brenda kulturës se rë menaxheriale të spitalit kërkojnë edhe përdorimin e teknikave të balancuara financiare.”
Më tej ministri u ndal në rëndësinë që ka pasur ky projekt për të “institucionalizuar angazhimin e palëve të interesit në procesin e rritjes së transparencës dhe gjithëpërfshirjes, duke krijuar mekanizma të tillë qeverisës, ku zëri i komunitetit dhe ai i pacientit u vendosën në qendër të vëmendjes së politikëbërjes së bazuar në prova,” pasi, vazhdoi ai, “ashtu siç e kemi theksuar më se një herë, për ne, ministria e Shëndetësisë, në raport me qytetarin është në rolin e “shërbyesit” dhe çdo administrator spitali duhet të reflektojë këtë koncept”. Ministri Beqaj gjatë fjalës së tij, falenderoi organizatorët, si dhe përfaqësuesit e projektit të “Mbështetjes për Reformën në Shëndetësi” të financuar nga USAID-i, për ndihmën në sistemin spitalor.