Bënte martesa mes emigrantëve dhe italianëve, arrestohet kryetari i komunës

7

Kryetari i një komune në rajonin e Kalabrisë është arrestuar sot me akuzën e favorizmit të emigracionit klandestin e abuzimit me fondet e Ministrisë së Brendshme italiane të destinuara për strehimin e azilkërkuesve.

Deri më sot ai konsiderohej në nivel botëror si simbol i administratorëve më të mirë lokalë në zgjidhjen e krizës së emigracionit.

Domenico Lucano, kryetar i komunës së vogël Riace në provincën e Rexhio Kabarias është arrestuar pas një operacioni të koduar “Xenia”, hetimet e të cilit kanë zbardhur se ai së bashku me të dashurën e tij Tesfahun Lemlem kishin ndërtuar një skemë të vërtetë kriminale që realizonte martesa të kombinuara mes emigrantëve e banorëve të komunës së Riace.

Martesat fiktive kishin si qëllim pajisjen me leje të rregullta qëndrimi të emigrantëve klandestinë.

Domenico Lucano deri më sot ishte shndërruar në simbolin e administratorit lokal, i aftë të mirëpriste mbi 480 emigrantë në komunën e vogël kalabreze Riace, e cila ka gjithsej vetëm 1800 banorë.

Në vitin 2010 ai ishte renditur në vendin e tretë në Word Mayor, konkursi botëror i kryetarëve të bashkisë më të mirë në botë e në vendin e 40 në listën e lidërve më influencë në botë, publikuar nga revista amerikane Fortune.

Aktiviteti i zgjeruar hetimor ka zbardhur dhe një aferë korruptive në abuzimin e menaxhimit të fondeve publike të destinuar për strehimin e emigrantëve, fatura të rreme, raportim jo i vërtetë i kritereve të përcaktuara për pranimin e emigrantëve, abuzim detyre e mashtrim financiar në dëm të shtetit e të Bashkimit Europian.

Pas arrestimit sot të kryetarit të komunës së Riace, Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini publikon fotografi të tij në shoqërinë me ish-kryetaren e Parlamentit Laura Boldrini e shkrimtarin antimafia Roberto Saviano.

“Çfarë kanë për të thënë sot Saviano e të gjithë “të mirët”që duan të mbushin Italinë me emigrantë”shkruan Ministri italian.