Belgjikë, sulmohet sistemi informatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme

56

pirateriQeveria belge njoftoi se sistemi informatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme ishte piratuar për të “kopjuar” informacione në lidhje me krizën ukrainase.
“Ministria konstatoi pak ditë më parë, me ndihmën e shërbimeve sekrete ushtarake se një virus i keq kishte mundur të depërtonte në sistemin e saj kompjuterik për të kopjuar informacione dhe dokumente që lidhen me krizën e Ukrainës”, njoftoi kryediplomati Didier Reynders në një deklaratë.
Një proces hetimor u iniciua për të analizuar “shkallën e dëmeve si dhe identitetin e personave që kishin ndërhyrë në rrjet”, saktësoi kryeministri Elio Di Rupo, duke treguar se po e ndiqte rastin hap pas hapi.
Sipas të përditshmeve “Echo” dhe “De Tijd”, të cilat publikuan informacionin mendohet se sulmi është kryer fundjavën e kaluar nga Rusia në kontekstin e krizës ukrainase.
Di Rupo sqaroi se një ankesë është depozituar pranë Prokurorisë Federale.
Kryeministri vuri në dukje se qeveria kishte vendosur në dispozicion 10 milionë euro për forcimin e institucioneve të sigurisë kompjuterike belge, pas një seri sulmesh ku u vunë në pah një sërë problematikash. Por masat ende nuk janë zbatuar nga qeveria.