Basha: Shqipëria dhe Greqia, potenciale për të thelluar më tej bashkëpunimin

63

bashaKryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti sot kryetarin e parlamentit grek Vangelis Meimarakis, në një takim ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë gjatë drejtimit të Presidencës së Bashkimit Europian nga Greqia.

Basha vlerësoi mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen, dhe shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje si dhe urimin që gjatë presidencës greke të BE-së, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.

Duke u ndalur në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Basha tha se është bërë progres në lënien pas të problemeve të së shkuarës dhe zgjidhjen e shumë çështjeve që kishin mbetur pezull, dhe në këtë kuadër bëri apel për angazhim të mëtejshëm të dy vendeve e qeverive për të zgjidhur dhe çështje të tjera, si ajo e pronave të qytetarëve çamë të shpërngulur pas luftës së dytë botërore.

Kryetari i PD-së, Basha vlerësoi vëmendjen e autoriteve greke ndaj momenteve të veçanta siç ishte rasti fatkeq i Ilia Karelit, dhe shprehu bindjen se drejtësia e vendit fqinj do të bëjë punën e saj për zbardhjen e ngjarjes.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti Kryetarin e Parlamentit Grek, Vangelis Meimarakis…Basha theksoi gjithashtu se ndonëse marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira ka ende potenciale të pashfrytëzuara për të thelluar dhe konsoliduar më tej këto marrëdhënie, dhe se për këtë duhet të mbizotërojë vullneti i mirë politik dhe vendosmëria për të hapur një kapitulli të ri bashkëpunimi edhe më të ngushtë e të frytshëm në të gjitha fushat.

Duke vlerësuar përkushtimin e Greqisë ndaj perspektivës europiane të Europës Juglindore, Basha shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nga shteti helen do të shërbejë për konsolidimin e proceseve integruese në Ballkanin Perëndimor.