Basha: Mos e përdorni politikisht këtë fatëkeqësi, duhet të jemi të bashkuar

11

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ndarë një udhëzim të prerë për të anëtarët e Partisë Demokratike. Basha thotë se të gjithë të ndarë në grupe duhet të mbajnë konktakte me qytetarët e prekur nga tërmeti për të evidentuar nevojat e tyre.

Ai thotë se nuk duhet përdorur politikisht fatkeqësia e madhe që ka ndodhur në vend, por të ndihmohen qytetarët pa asnjë dallim partiak.

Postimi i Bashës:

Duke uruar të jeni mirë ju dhe të afërmit tuaj dhe duke ju falenderuar për angazhimet e deritanishme në mbështetje të bashkëqytetarëve të goditur nga tërmeti, ju përcjell këtë udhëzim të kryetarit të PDSH.

Duke filluar nga nesër në mëngjes, të ndarë sipas grupeve më poshtë, duhet të mbajmë dhe të shtojmë praninë në terren, të takojmë qytetarët e prekur nga tërmeti, të evidentojmë çfarë nevojash kanë, dëmet e shkaktuara në banesa, të përpiqemi t’i vijmë në ndihmë me çfarë të mundemi. Grupet do të shoqërohen nga Kryetarët e Degëve dhe anëtarët e Kryesisë së Degës në secilën zonë të prekur.

Secili grup, nën orientimin e drejtuesit të strukturës së partisë në zonë (anëtar Kryesie Dege dhe Kryetar Grupseksioni/Seksioni), lëviz në të gjithë zonën, takojnë qytetarët e dëmtuar nga tërmetet, shikojnë kushtet ku ata jetojnë, dokumentojnë dhe evidentojnë kushtet dhe nevojat, mbledhin problematikat që raportojnë qytetarët dhe interesohen nëse strukturat shtetërore i kanë ofruar ndihmë apo i kanë kontaktuar.

Qëllimi nuk është të përdorim politikisht fatkeqësinë e madhe që na ka ndodhur, por t’i vijmë në ndihmë qytetarëve, prandaj duhet të shmanget çdo dalje publike apo reagim personal në facebook/tëitter, që mund të merret si përdorim politik i fatkeqësisë. Dëmet apo problematikat, dokumentohen dhe evidentohen (me video, foto, dëshmi), por nuk bëhen publike në mënyrë individuale. Ato raportohen tek Koordinatorët për secilën bashki, dhe këta të fundit më pas, në konsultim me Kryetarin e Partisë dhe/ose Sekretarin e Përgjithshëm, vlerësojnë sesi do të trajtohet çështja.

Kryetarët e Degëve ngarkojnë Kryetarët e Grupseksioneve dhe strukturat lokale të partisë, që jo vetëm të shoqërojnë grupet e punës, por të evidentojnë paraprakisht zonat, banesat dhe qytetarët që kanë patur probleme nga tërmetin dhe që do të merret kontakt. Evidentimi bëhet pa asnjë dallim partiak. Takohet kushdo dhe interesohemi për nevojat për ndihmë që kanë qytetatarët dhe pasojat që kanë patur nga tërmeti.