Mund të kisha menduar gjithçka, mundet të kisha thurur mijëra ëndrra, si çdo baba për fëmijën e tij, por jo se im bir do të lindte në këtë tokë të bekuar, që na ka pritur me aq dashuri e fisnikëri qysh në aeroport.
Pasi lexova mijëra fjalë me urim për jetë të gjatë dhe të lumtur ndaj djalit tim, Glauk, i cili lindi në Finlandë, mendoj se një urim special u takon edhe stafit mjekësor për punën dhe përkushtimin ndaj familjes time. Ata u bënë për mua dhe bashkëshorten time më shumë sesa mjekë, më shumë sesa specialist të shëndetit, u bënë si prindër dhe pse jo edhe si psikologë në atë kontratë të jetës me trashëgiminë e saj unikale, fëmijën.
Qenë një derë e hapur dashurie ku ne trokitëm dhe ata na e hapën me zemërgjerësi, duke qenë ditë e natë në shërbimin tonë vetëm me buzëqeshje dhe fjalë të ëmbla.
Kam mbi 8-javë në Finlandë, por deri më sot nuk kam parë një njeri që të mos buzëqeshë apo edhe që nuk është i gatshëm të të ndihmojë kur e pyet për diçka. Ndihma ndaj tjetrit, me sa duket, këtu është një modalitet jete, që me kohë është kthyer në arkitip të sjelljes sociale e më gjerë, pse jo kulturë kombëtare.
Kujtoj policët në aeroport që më përshëndetën në gjuhën e nënës, apo stafin e spitalit që m’u lutën për një opinion, pasi lamë spitalin aq të befasuar prej tyre. E çfarë opinioni t’iu jap unë apo gruaja ime, përveçse t’iu jap zemrën në dorë, që ishin kaq të mirë, kaq të përkorë e fisnikë, me mua dhe familjen time të re …?!
Këtu duan dhe dinë të flasim bukur dhe me kulturë, sepse ajo fillon si psikologji kombëtare të mbillet bashkë me jetën qysh në embrion të saj, aty në ato dhoma ku jeta jep jetë. Qysh në paralindje ndoshta, kur zëri i mjekut, aq i ngrohtë dhe dashamirës, përcjell tek foshnja në embrion tone të buta jete, dashuri dhe mirësi, pa të cilat nuk mundet të jetoj dot në mënyrë dinjitoze asnjë qenie në këtë botë!
Vizitat tek gjinekologu për habinë tonë nuk shoqëroheshin me ECO-t, jo, madje ata habiteshin sesi nëna dhe fëmija bombardohej me rreze për dymijë lekë nga doktori me ilaçet çdo muaj si edhe analizat pa fund?! Kur mbërritëm në urgjencë, një infermiere buzagaz na akomodoi në dhomën e lindjes ku edhe burri kishte krevatin e tij si edhe privilegjin të asistonte sipas dëshirës në lindjen e fëmijës.
Aparaturat e fjalës së fundit dukej sikur ishin në garë me humanizmin dhe profesionalizmin e atij spitali që pritnin jetën qysh në embrion me aq delikatesë dhe finesë. Dhimbjet që natyrshëm shtohen në ato çaste, përkundrazi, me ata njerëz në dukje të ftohtë, të bënin me krahë se kjo lindje nuk mundet kurrsesi të kishte fatin e ndërhyrjeve çezariane, traditë kjo me pasoja në natalitetin dhe të ardhmen si komb nga mjekësia shqiptare.
Historia dhe brezat do të na akuzojnë për këto krime ndaj nënës dhe foshnjeve qysh në embrion dhe këtë e bëjnë ata, mjekët tanë aq sinqerisht dhe me vetëdije, ndërkohë që politika ka marrë trofetë e marazit për paudhësitë që po na dhuron ndër dekada, për mua ky është një krim mbi krimet. Duket sikur foshnjet qysh në bark të nënës, dënohen të bëhen agresivë nga mjekët që në fakt me betimin prej 10-pikash të Hipokratit duket sikur janë vënë në garë me politikanët që më kujtojnë 10 pikat e amanetit të Enverit apo me 10-pikat e Katovicës ku ajo e gjashta po realizohet 100%. Dhe kjo ndodh vetëm në Shqipërinë tonë, po këtu aspak, ajo është krejt ndryshe. Këtu nuk janë 10 pika, por njëqind e një mijë pika që kumtojnë gatishmëri, përkushtim, shërbim, profesionalizëm dhe humanizëm…
Në fakt, shoqëria shqiptare nuk ka parë asgjë reale dhe dobiprurëse përveçse mallkimit nga këto dhjetat dhe ato katrat si antipod janë fataliteti ynë. Këto abuzime me pasoja si edhe kjo garë e shfrenuar mes politikës dhe mjeksisë që kudo ja faturojmë shoshoqit situatën se kush më shumë apo më pak po e dënon kombin tonë, do të duhen vetëm studime evropiane dhe jo ato të OJF-ve shqiptare për të konkluduar këtë masakër ndaj ardhmërisë ku ata përbetohen.
Me një qetësi olimpike dhe buzëqeshje që të bënin të ndiheshe inferior për çfarë kujtojmë të gjithë nga kjo palo mjekësia jonë, erdhi më në fund edhe ora e bekuar e lindjes së djalit. Tina, quhej mamia e vetme qe me zë të ulet fliste anglisht se “bebi po vjen, ai është shumë mirë, do ta lindim bashkë dhe ju s’do keni asnjë problem, të lutem Egla, të lutem”, fliste ajo pa pushim, por edhe Essi gjithashtu që gjatë të gjithë natës kontrollonte situatën me aq përkushtim…
Zërin e asaj gruaje zonjë dhe fjalëpake e punëshumë nuk di a do ta harrojmë dot, se s’mund të harrohet, jo kurrësesi jo magjia e duarve dhe fjalës së saj! Prej aty, tek ai zë i ngrohtë e gjithë jetë, fillon kjo buzëqeshje që të shoqëron në çdo cep të Finlandës.
Ata dinë të thonë mirëserdhe në këtë jetë dhe atë duhet ta gëzosh po i barabartë dhe pa kurrfarë ndroje dhe inferioriteti edhe pse ti je aty përkohësisht azilant.
Megjithëse azilantë, ne për ta ishim qytetarë të barabartë dhe kudo na pyesnin me fjalën magjike, “ju lutem, si u bë gruaja juaj, bebi do lindi shumë mirë dhe ju do të ikni të tre në shtëpinë tuaj”.
Korridoret e atij spitali u bënë aq të njohura, sepse kudo ku ecje të uronin dhe dëshironin të largoheshe i shëruar dhe për ta do të ishe gjithmonë i mirëpritur. Asnjë dallim apo diferencim, buzëqeshje dhe përkushtim profesional, ky ishte binomi i jetës në atë spital ku si një orë zviceriane akrepat e jetës dhe rrahja e zemrës së fëmijës ishin sinkron dhe simfoni e përkryer e njerëzve që respektojnë jetën dhe nuk e dhunojnë atë qysh në embrion.
Normal që aty nuk konceptohet pagesa nën dorë, madje nëse doje të testojë ato fytyra paqësore, një provokim do të bënte fajtor për jetë, ndërsa gara për pagesën në Shqipëri mbetet kurora e turpit për ne si komb ku mjekësia dhe drejtësia kanë triumfuar në çdo sondazh dhe raport.
Mirësinë dhe mikpritjen e gjeta me vepra dhe fjalët e pakta nga ata njerëz në dukje të ftohtë, por shumë të gatshëm t’iu ndihmojnë kur jeta juaj dhe e familjes qëndron në fije të perit, ata e bëjnë fijen litar duke e tërhequr atë drejt bregut e jo drejt fundit të detit.
Këto po meditoja mbrëmë, i vetmuar, ndërsa gjumi më kishte braktisur për tre netë dhe rrija e vështroja me kënaqësi, i dehur nga aroma e këtij vendi me emrin Finlandë, që bën aq shumë për gjithkënd, bebin e porsalindur, djalin tim, Glauk, që kur të rritet, do të kuptoj se ndihet i bekuar që ka lindur në këtë tokë të premtuar, ku njerëzit kanë në sy një dritë të pashuar përkujdesje dhe mirësie ndaj engjëjve…
*Botuar në “Tirana Observer”